Të mos kthehet statusi i Kosovës së pavarur në zeron politike të Serbisë dhe të Rusisë

Të mos kthehet statusi i Kosovës së pavarur në zeron politike të Serbisë dhe të Rusisë
  • 09 February 2019 - 07:53

Shkruan: Mehdi Hyseni

Nëse kthehemi në vështrimin e kronikës së zhvillimit të ngjarjeve politike në Kosovë në dekadën e fundme të shekullit XX, SË PARI, regjimi policor i Serbisë së kryekriminelit Slobdan Milosheviq (me terror dhe me forcë ushtarake-policore dhe paramilitare) Kosovën e zhveshi nga autonomia e vitit 1974, dhe kështu statusin autonom të Kosovës e shndërroi në një ZERO POLITIKE (1989-1999).

Si rrjedhim Kosova humbi të gjitha atributet, të drejtat dhe liritë autonome, që i gëzonte sipas Kushtetutës së RSFJ-së (1974); SË DYTI, pas përfundimit të luftës (10 qershor 1999), në kohë paqeje, kur Kosova përfundoi nën mandatin juridik paqësor të UNMIK-ut (sipas Rezolutës 1244 të KS-së OKB-së), kryeshefi drejtues i këtij misioni ndërkombëtar, Robert Kushner, statusin politik të Kosovës e ktheu në ZERO, duke bërë këto gabime kardinale: 1) Anuloi Kushtetutën e Kaçanikut (7 , IX, 1990), 2) anuloi Referendumin gjithëpopullor të shpalljes së pavarësisë së Kosovës (26-31-shtator 1991), 3) Rasformoi Qeverinë e Përkohshme të dalë nga lufta, 4) Pezulloi UÇK-në, duke e shndërruar në një "organizatë pastruese" si dhe 5) Ndaloi përdorimin e Flamurit Kombëtar Shqiptar, që të vihej në objektet dhe në zyrat e administrimit të UNMIK-ut, edhe pse UÇK-ja zhvilloi luftën e saj kundër pushtimit terrorist dhe gjenocidal të Serbisë (1993-1999); SË TRETI, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës (17 shkurt 2008), hartuesit e Deklaratës së shpalljes së pavarësisë dhe konstitucionalistët e Kushtetutës së Kosovës (15.06.2008) bënë të njëjtat gabime politike dhe juridike sikurse Robert Kushneri, sepse në asnjë rresht të Deklaratës dhe të Kushtetutës së theksuar nuk kanë sanksionuar vlerat historike të shpalljes së pavarësisë së Kosovës: 1) Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut të vitit 1990, të miratuar nga 114 delegatë të Kuvendit të Kosovës, e cila "ishte akti që shënoi hapin historik institucional të pavarësimit të Kosovës, i cili u zhvillua jashtë objektit të Parlamentit, por para dyerve të tij, në kushte të rrethimit nga forca të mëdha policore e ushtarake dhe tanke…" (https://archive.koha.net/?id= 27&l=16298); 2) Kushtetutën e Kaçanikut të 7 shtatorit 1990, e cila u miratua në fshehtësinë më të madhe-në rrethana të jashtëzakonshme të pushtuesit militarist serb në qytetin historik të heroit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, Idriz Seferi. Me rastin e përkujtimit të 18-vjetorit të kësaj Kushtetute (2008), ishpresidenti i Kosovës, Prof. Dr. Fatmir Sjediu deklaroi se "7 Shtatori i vitit 1990 shënon një ditë të rëndësishme në historinë tonë më të re.

Atë ditë u miratua Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila pasoi shpalljen e Deklaratës së Pavarësisë më 2 korrik të po atij viti. Bashkë me Referendumin për pavarësi, këto dy akte i vunë themelet e shtetit të Kosovës." Gjithashtu, pas shpalljes së pavarësisë (17 shkurt 2008), përfaqësuesit shqiptarë të qeverisë dhe të parlamentit të Republikës së Kosovës vazhduan me përsëritjen e gabimeve politike, duke pranuar diktatin dhe ultimatumet e politikës dhe të diplomacisë antishqiptare të Beogradit zyrtar, që kishte për qëllim rishqyrtimin postfestum të statusit politik të Kosovës, përkatësisht rikthimin e tij në ZERO, duke mos e njohur pavarësinë e Kosovës (sipas strategjisë politike të Slobodan Milosheviqit, i cili me tanke policore dhe ushtarake e ktheu në ZERO statusin autonom politik, juridik dhe kushtetues të Kosovës), duke ia arritur që përmes Dialogut të Brukselit (2011-2019) ta ndërkombëtarizonin çështjen e pjesës Veriore të Kosovës, duke përfshirë gjysmën e Mitrovicës, që as de fakto e as de jure nuk ishte çështje për t'u ndërkombëtarizuar, sepse edhe veriu sikurse pjesët e tjera të Republikës së Kosovës, është pjesë e pandashme e tërësisë territoriale të Kosovës. Veç përqafimit të Dalogut fatal të Brukselit (2011-2019), që po zhvillohet për copëtimin e territorit të Republikës së Kosovës, qeveria dhe parlamenti i Kosovës (edhe pse Kosova u bë e pavarur dhe sovrane, duke falënderuar UÇK-së dhe Amerikës) kthyen situatën politike në ZERO, duke pranuar që "300 pjesëtarë" të UNMIK-ut të ngelnin edhe më tej në Kosovën e pavarur dhe sovrane, edhe pse pas shpalljes dhe njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e Amerikës dhe e më se 100 shteteve të tjera të OKBsë, UNMIK-u, më 17 shkurt 2008 de jure ka përfunduar misionin e tij paqësor (1999- 2008).

UNMIK-u në Kosovë, i jashtëligjshëm

Derisa UNMIK-u të qëndrojë në Kosovë sipas Rezolutës 1244, asnjë shtet tjetër nuk do ta njohë Republikën e Kosovës për shkak se kjo Rezolutë e KS-së Kombeve të Bashkuara e mohon pavarësinë e Kosovës. Prandaj Qeveria e Kosovës, duhet ta mbyllë mandatin e UNMIK-ut, sepse është i jashtëligjshëm sipas Kushtetutës së Kosovës dhe sipas normave e parimeve të së drejtës ndërkombëtare, duke qenë se Kosova që nga 17 shkurti 2008 është shtet i pavarur dhe sovran. Jo vetëm Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, por para së gjithash edhe Amerika ka të drejtë që të kërkojë tërheqjen e UNMIKut nga Kosova, sepse ligjërisht sipas Kartës së OKB-së dhe, sipas parimeve dhe normave të së drejtës ndërkombëtare me t'u njohur Kosova si shtet i pavarur dhe sovran, më 17 shkurt 2008, ka përfunduar misioni paqësor i OKB-së në Kosovë, ngase politikisht, ligjërisht dhe juridikisht Kosova ka ndryshuar statusin e saj të mëparshëm, që kishte nën mandatin e "protektoratit" administrativ paqësor të UNMIK-ut (10 qershor 1999- 17 shkurt 2008).

Edhe pse Serbia me mbështetjen e Ban Ki Moon-it (ish-sekretar i Përgjithshëm i OKB-së) dhe Rusia me VETO-n e saj, duke u mbështetur në Rezolutën 1244 të KS-së së Kombeve të Bashkuara (e cila de fakto dhe de jure është e pavlefshme për shtetin e pavarur të Kosovës) ia imponuan Kosovës, që edhe më tej t'ia vazhdojë mandatin e skaduar të UNMIK-ut, Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, në bazë të Kushtetutës (15 qershor 2008), urgjentisht duhet të kërkojnë nga sekretari i Përgjithshëm aktual i OKB-së, Antonio Guterres, që ta tërheqë UNMIK-un nga Kosova. Prania e UNMIK-ut në Kosovë, pas pavarësimit të saj më 17 shkurt 2008, është jolegjitime dhe jolegale, para së gjithash, është në kundërshtim të plotë me parimet dhe me objektivat e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe me normat e parimet e së drejtës ndërkombëtare, e cila nuk njeh asnjë pushtet tjetër mbi statusin e pavarësisë dhe të sovranitetit të shtetit të ri të Kosovës (17 shkurt 2008). Qëndrimi i mëtejmë i UNMIK-ut në Kosovë, në bazë të Rezolutës 1244 të KS-së së OKB-së (10.06.1999) është argument i qëndrueshëm politik për Beogradin dhe për Moskën, që të mos e njohin Republikën e pavarur të Kosovës, si dhe të lobojnë te shtetet anëtare të OKB-së, që t'i tërheqin njohjet e deritashme dhe, t'i bindin vendet e tjera (të cilat deri tani nuk e kanë njohur Kosovën), që të mos e njohin atë, duke qenë se sipas Rezolutës 1244, "Kosova është territor i Serbisë" dhe, sipas Rusisë dhe Serbisë, është vetëm një "kuazishtet eksperimental i përkohshëm"!? Ky është efekti i rëndësishëm politik dhe diplomatik i lobimit serbo-rus kundër pavarësisë së Kosovës. Këtë e dëshmon edhe prania e mëtejme e UNMIK-ut në Kosovë, si dhe dialogu i Brukselit (2011-2019), që po zhvillohet në bazë të Rezolutës 1244, e cila de fakto dhe de jure është e jashtëligjshme pas krijimit të shtetit të ri të pavarur të Kosovës (17 shkurt 2008-2019).

(Kosova Sot)