Neokomunizmi i passocializmit komunist në Shqipëri

Neokomunizmi i passocializmit komunist në Shqipëri
  • 10 February 2019 - 08:13

Shkruan: Skënder Kapiti

Në Shqipëri komunizmi ngriti sistemin komunist të socializmit shtetëror praktiko-eksperimental dhe ekstremisht radikal. Pas vetëshembjes së atij regjimi, Shqipëria realisht ka kaluar gjatë kësaj periudhe 28- vjeçare në një regjim si të një neokomunizmi demokratiko-kapitalist, pasi ish-komunistët më komunistë dhe agjentët e ish-sigurimit të shtetit kapën politikën, ekonominë, pushtetin, drejtësinë, shoqërinë civile, mediat dhe pluripartitizmin. Pra, komunizmi dhe pushteti tij vetëm ndërroi maskën dhe ngjyrën. Më i mirë është një regjim diktatorial ku sundon ligji, se sa një demokraci spekulative dhe manipulatore ku sundojnë kaosi, paqëndrueshmëria, anarkia dhe ku ligjin, drejtësinë dhe shtetin i përdor korrupsioni, vjedhja, padrejtësia dhe vetëgjyqësia e mafio-oligarkisë.

Demokracia e praktikuar dhe e zbatuar keq dhe së prapthi është një e keqe shumë pak më e vogël sesa komunizmi dhe qeverisjet e sistemet e tjera para saj dhe pse jo në ndonjë rast ndoshta edhe më e keqe se ato. Demokracia po të përdoret si ideologji, po të zbatohet si korrupsion dhe po të keqkuptohet publikisht, ajo do të ishte pastaj një gënjeshtër e madhe publike dhe si një thashethemnajë mashtrimi.

 Duke iu referuar realiteteve gjithëdimensionale, si shoqërore, juridike, politike, ekonomike, mjedisore, intelektuale, si dhe të krimeve gjithfarëshe: të krimit të korrupsionit, të krimeve gjyqësore, të vjedhjeve, të abuzimeve me paranë publike, të krimeve mjedisore, të krimeve me pronat shtetërore dhe me ato të qytetarëve , të krimeve ordinere, të prostitucionit dhe të trafikimit të qenieve njerëzore, të krimit të kultivimit e të trafikimit të drogave, të krimit të shitblerjes së dijeve dhe të diplomave, të papunësisë e varfërisë si dhe të largimit të pandërprerë e të vazhdueshëm të popullsisë më aktive dhe të rinisë shqiptare nëpër shtetet e BE-së dhe pra duke bërë një bilanc krahasimor të këtij realiteti a nuk rezulton se paskomunizmi mashtrimdemokratik i këtij tranzicioni është shumë më traumatik sesa ish-diktatura?!

Dështimi i shtetit Nuk bind dhe nuk besohet më justifikimi i këtij dështimi të madh të demokracisë në Shqipëri me akuzat sa për shfajësim që i bëjnë politikanët dhe qeveritarët e këtyre viteve të paskomunizmit, duke ia veshur të gjitha arsyet dhe fajet regjimit komunist të së shkuarës. Shqipëria si shtet ka rreth 30 vite që mbijeton falë ndihmave, kredive, borxheve dhe donacioneve të huaja. Shqipëria shpëtoi nga katastrofa ku e solli komunizmi në vitet e agonisë së tij në vitet 1990 falë bollëkut dhe tepricave të ndihmave humanitare të perëndimit, falë asaj të largimit dhe të strehimit e të punësimit të shqiptarëve në vendet e Evropës Perëndimore pasi në Shqipëri nuk mbeti asgjë nga komunizmi përveç depove të armatimit e të barutit të cilat edhe ato u shpërthyen, u vodhën dhe u grabitën dhe u kontrabanduan nga regjimet demokratike paskomuniste. Shqipërinë dhe familjet shqiptare edhe sot shumica prej tyre i kanë sytë dhe mbahen nga remitancat dhe dërgesat valutore të emigrantëve shqiptarë të punësuar në perëndim. Politika dhe pushteti dështak i këtyre viteve të tranzicionit e shikon perëndimin si valvov shkarkimi të papunësisë, të varfërisë, të pasigurisë ekonomike dhe të punësimit për shqiptarët , pra si politikë që si zgjidhje ua imponon shqiptarëve largimin nga atdheu, pra eksodin, ku Shqipëria renditet e para në Evropë dhe e dyta në botë për braktisjen nga atdheu sidomos prej rinisë shqiptare.

Po kështu dhe aspak më mirë nuk është as gjendja në Kosovë. Prej kësaj elite të keqe dhe të papërgjegjshme, korruptive dhe të kriminalizuar Shqipëria ka sot imazhin e një vendi të krimit të organizuar dhe të korrupsionit , dhe si te një narkoshteti.

Dështimi tjetër i madh demokracisë dhe shtetit demokratik e ligjor në Shqipëri i ka ardhur nga padrejtësia dhe falimentimi i sistemit të drejtësisë, ku si pasojë e këtij dështimi ndërhynë SHBA-ja dhe BE-ja për miratimin e VETTING-ut, të kësaj reforme jetike për Shqipërinë dhe për shqiptarët.

Disave, atyre, sidomos atyre apo asaj kaste politiko-korruptive dhe përfituesve të politikës dhe të drejtësisë ndoshta nuk u pëlqen ky konstatim, pasi ata janë shumë herë dhe pakrahasimisht më shpirtzinj, më antihumanë dhe më të dëmshëm sesa sunduesit e pushtetarët e diktaturës. Kapitalistët grabitqarë Nuk mund të krahasohet vjedhja, krimi ekonomik, papëgjegjshmëria, privilegjet, as pasuria që kanë vënë politikanët shqiptarë të tranzicionit paskomunist vetëm për meritën dhe faktin se ata janë politikanë e pushtetarë dhe duke krahasuar neonomenklaturën e kësaj elite politike të sotme me nomenklaturën dhe me pushtetarët e ish-diktaturës nuk mund të krahasohet abuzivizmi, krimi dhe korrupsioni i politikanëve dhe i qeveritarëve të tranzicionit as me ish-ministrat e ish-byroistët komunistë.

Nuk mund të krahasohen abuzivizmi, zullumet dhe hajnitë e vulëmbajtësve dhe e pushtetit të kryebashkiakëve e kryekomunarëve të paskomunizmit me atë se çfarë kishin dhe trashëguan kryetarët e komiteteve ekzekutive dhe kryetarët e këshillave popullore të kohës së diktaturës, dhe nuk mund të krahasohen me atë zullum, hajdutëri dhe korrupsion të administratorëve dhe të drejtorëve të paskomunizmit as me ishkryetarët e kooperativave bujqësore, as me ish-drejtorët e dikastereve të regjimit komunist. Nuk mund të krahasohen përfitimet, vjedhjet, korrupsioni, dhe as paraja e pasuria, dhe as privilegjet, rrogat e djetat, makinat luksoze, vilat dhe rezortet, pronat dhe trojet e deputetëve e të pushtetarëve të sotëm me ato se çfarë kishin deputetët dhe pushtetarët e komunizmit. Kjo erdhi në Shqipëri pasi së pari klasa politike e paskomunizmit ishte dhe vazhdon të jetë e të funksionojë si një klasë e kastë bastardokomuniste.

Bastardokomunizmi është shkalla më e ulët e degradimit të komunizmit. Kjo ndodhi kështu pasi komunistët më bastardë e më servilë të ish-diktaturës u konvertuan dhe dolën si antikomunistët më të flaktë. Prej këtij lloji bastardokomunistësh dhe ish-agjentësh të diktaturës u instalua në Shqipëri një neokomunizëm liberalkapitalist, ku po ata u bënë politikanët dhe pushtetarët "e rinj" në rrethanat e reja demokratike, po ata dhe pinjollët e tyre u bënë pronarët dhe kapitalistët më grabitqarë.

Politika problematike Pra, komunizmi në Shqipëri u luftua dhe u çmontua nga komunistët dhe po komunistët e bastarduan komunizmin, duke se shndërruar atë jo në një sistem demokratiko-ligjor, por në një sistem korruptivo-juridik, vjedhjeje e grabitjeje. Ish-komunistët më bastardë dhe më të ligë, pinjollët dhe trashëgimtarët e tyre e kapën përsëri edhe politikën, pushtetin, ekonominë, financat, mediat, drejtësinë dhe shoqërinë civile, pra ata e kapën demokracinë dhe pluralizmin politikojuridik dhe pluralizmin hajduto-mafioligarkik. Ata e kapën shtetin, e privatizuan atë dhe pasuritë kombëtare, shkatërruan dhe vodhën pasuritë dhe ndërmarrjet strategjike kombëtare, rrënuan ekonominë shqiptare dhe monopolizuan krimin, korrupsionin, vjedhjen, ligjin dhe drejtësinë, shoqërinë dhe shtetin.

Në Shqipëri, klasa politike sot është elita më e keqe politike që ka parë historia e shtetit shqiptar. Kemi të bëjmë me një elitë politike thellësisht të kriminalizuar dhe të korruptuar, tradhtare, e pabesë dhe antikombëtare, që vetëm fatkeqësi dhe trauma u shkakton përditë qytetarëve shqiptarë. Një elitë politike që prodhon vetëm politika dhe problematika hajnie, grabitje, korrupsioni; problematika antishoqërore dhe antikombëtare; një elitë politike spekulatore dhe manipulatore e madhe, mashtruese e gënjeshtare deri në paturpësi dhe me amoralitet politik dhe demokratik të paimagjinueshëm. Ka ardhur koha që shqiptarët duhet të ndahen njëherë e mirë me këtë elitë politike, duke e ndëshkuar ashpër atë me votë, duke e larguar nga pushteti këtë kastë mafio-oligarkike politikojuridike, hajdutokrate dhe të kriminalizuar e të stërkorruptuar si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.

(Kosova Sot)