Vetëm paprekshmëria e kufijve garanton paqe dhe stabilitet në rajon

Vetëm paprekshmëria e kufijve garanton paqe dhe stabilitet në rajon
  • 15 February 2019 - 08:35

Shkruan: Ramiz Bojaj

Thjesht Serbia nuk ka gatishmëri për bisedime konkrete dhe arritjen e paqes me shtetin e Kosovës. Ata duan 'paqe' e 'drejtësi' për të realizuar projektin e Qosiqit-Millosheviqit për një ndarje fizike mes dy kombeve, duke zgjatur kthetrat edhe në brendinë e shtetit të Kosovës përmes 'të drejtës historike' të shpifur

Duhet të pezullohet dialogu, jo taksa. Dialogu Kosovë-Serbi në rrethanat aktuale duhet të pezullohet për një periudhë të paktën dyvjeçare. Kjo për faktin se Serbia nuk duket aspak e gatshme për bisedime serioze qe përkojnë me realitetin e ri Ballkanik, me shtetin e pavarur e sovran të Republikës së Kosovës. Për aq kohë sa Serbia nuk e njeh këtë realitet, por njeh territore serbe e shqiptare "në krahinën jugore të Kosovo e Metohisë" siç e quan Beogradi, asnjë marrëveshje 'historike' nuk mund të arrihet. Thjesht Serbia nuk ka gatishmëri për bisedime konkrete dhe arritjen e paqes me shtetin e Kosovës.

Ata duan 'paqe' e 'drejtësi' për të realizuar projektin e Qosiqit-Millosheviqit për një ndarje fizike mes dy kombeve duke zgjatur kthetrat edhe në brendinë e shtetit të Kosovës përmes 'të drejtës historike' të shpifur. Tashmë ky projekt është prezantuar si kornizë e dialogut i cili e ndanë Kosovën, rrënon të gjitha të arriturat e gjertanishme të paqes e stabilitetit në rajonin tonë dhe nxit konflikte ndëretnike edhe në pjesën tjetër të Ballkanit, por edhe më gjerë.

Plani serb për ndarjen e Kosovës të promovuar nga Edi Rama e Aleksandar Vuçiq, në Serbi prezantohet si plan i Vuçiqit, në Kosovë si plan i Hashim Thaçit dhe të dytë bashkë e prezantojnë në BE e SHBA, si plan të paqes, por në fakt është një plan i ri i luftës dhe tensioneve. Ky plan duhet të hidhet poshtë bashkë me aventurat e presidentit tonë Hashim Thaçi, sepse e rikthen situatën në periudhën e para vitit 1999.

Kosova po mbahet peng

Marrëveshjet ndërkufitare mund të ndodhin vetëm pas njohjeve reciproke, përndryshe Kosova do të marrë goditjen përfundimtare të ekzistencës së vet si shtet. Bisedimet e gjertanishme e kanë lënduar rëndë integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës, ngase Serbia është fokusuar në grabitjen e territoreve me pasuri nëntokësore të vendit tonë, për të krijuar modele-shtete etnocentrike serbe e ortodokse, me të cilat do ta mbajë nën ndikimin e saj stabilitetin dhe vetë ekzistencën e shtetit tonë

Bisedimet sipas planit ThaçiVuçiq bazohen në një kornizë marrëveshje, për të cilën duhet të pajtohen të gjithë pjesëmarrësit në dialog, e jo të bisedohet për një marrëveshje paqeje mes dy shteteve fqinje. Pra, presidenti serb dhe ky i yni, janë fokusuar të realizojnë planin e tyre, duke i shndërruar bisedimet KosovësSerbi, në një kanal formal pa asnjë aneks shtesë, që nënkupton bisedime të nënshtruara nga diktati i dy liderëve autokratë, të cilët realisht ia kanë zënë frymën dialogut të mirëfilltë, të cilët, gjithashtu, po mbajnë peng edhe paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë.

Presidenti Hashim Thaçi po e mban peng Kosovën duke prezantuar e lobuar fuqishëm për planin serbo-rus, i cili ka mbështetje të madhe nga homologu serb Aleksandër Vuçiq, por edhe nga Edi Rama, të cilët këtë plan anti- Kosovë e kanë prezantuar si kornizë të vetme të paqes, duke keqpërdorur edhe aleatët tanë tradicionalë. Paqe e as marrëveshje të njëanshme nuk ka. Ka vetëm nënshtrim ndaj palës superiore. Andaj, Kosova duhet të ndërpresë përkohësisht bisedimet me Serbinë, për të ndërtuar një platformë të re, mbi principet juridikokushtetuese me të cilat do t'i prezantohet BE-së se Kushtetuta, tërësia territoriale dhe sovraniteti i Republikës, nuk mund të diskutohen nga askush e në asnjë rang bisedimesh, shtylla mbi të cilat duhet të ndërtohen marrëdhëniet ndërshtetërore Kosovë-Serbi.

Përndryshe, bisedimet e gjertanishme pa plan e strategji kanë risjellë pakon e gatshme me të cilat i janë bërë koncesione vrastare për Kosovën (plani Rama-Vuçiq-Thaçi). Sipas këtij plani "marrëveshje historike" dhe e mundshme me Serbisë, duke i ndarë pjesë nga territori ynë është marrëveshje me dhëmbë të ngulur në gjymtyrët e viktimës, e që është shkelje flagrante e Kushtetutës së Kosovës, por edhe hap i sigurt për luftë të re. Duhet të ndalet lobimi antishqiptar i çdo politikani të korruptuar e në panik me modelin se vetëm ndarja e 'lehtë' e Kosovës sjell marrëveshje të paqes mes dy shteteve fqinje.

Në këtë kontekst, të gjitha pengesat qe i dalin realizimit të këtij plani serb, duke përfshirë edhe taksën për produktet serbo-boshnjake, janë hap që ruajnë stabilitetin e përkohshëm politik, përderisa paqja e përhershme mund të ndërtohet duke njohur pa kushtëzime njëra-tjetrën Kosova dhe Serbia. Paqe me kushtëzime nuk ka. Kryeministri Ramush Haradinaj duhet të hartojë një plan të ri për bisedime me Serbinë, natyrisht duke arritur, paraprakisht, një marrëveshje me partitë politike në opozitë, LDK-në dhe 'Vetëvendosjen', e mos të merret me ekipet negociatore, të cilat janë mbështetje-shtyrje e ideve serbe të presidentit. 

Të pezullohen përkohësisht edhe bisedimet me Serbinë

Mbajtja e taksës është e domosdoshme, por ngjitas kësaj duhet bërë plane tjera për të rrënuar planin serb të 'paqes', por edhe për të ndalë aventurat e kujtdoqoftë me shtetin, Kushtetutën dhe territorin e vendit tonë. Duhet pezulluar presidenti Thaçi, të pezullohen përkohësisht edhe bisedimet me Serbinë, por jo taksa. Ideja e Thaçit Vuçiqit dhe e Edi Ramës për shkëmbim territoresh është bazuar në interesat serbe e ruse, ndërsa pezullimi i kësaj ideje bazohet në ligjet juridikokushtetuese të Kosovës, në integritetin territorial dhe sovranitetin.

Korniza këto mbi të cilat është shpallur pavarësia e Kosovës më 17 shkurt 2008, të njohura nga 116 shtete e të konfirmuara edhe nga GJND-ja. Vetëm paprekshmëria e kufijve garanton paqe dhe stabilitet në rajon, përndryshe çdo aventurë me prekje kufijsh është marrëveshje për luftë e jo për paqe. Dhe, ne jemi të vendosur për paqe, garanci për këtë i kemi kufijtë e shtetit të Kosovës, Kushtetutën dhe integritetin territorial me tërësinë e saj. Këtë e kemi dëshmuar tash e 20 vjet, bashkë me miqtë tanë ndërkombëtarë. Kush prek në kufij, prek në kufijtë e durimit.

(Kosova Sot)