Pa njohjen reciproke Kosovë-Serbi, nuk mund të ketë tavolinë bisedimesh

Pa njohjen reciproke Kosovë-Serbi, nuk mund të ketë tavolinë bisedimesh
  • 16 February 2019 - 07:48

Shkruan: Hajro Limaj

Edhe pse Serbia është fajtore për ato pasoja tragjike që i ka sjellë popullit shqiptar të Kosovës, jo vetëm që nuk i kërkon falje atij, por vazhdon të bëjë presione të gjithanshme, politike, diplomatike, ekonomike dhe ushtarake

Të analizosh dhe të komentosh zhvillimet politike të kohëve të fundit në Kosovë duhet t'u kthehesh dhe të lexosh me qetësi vendimin legjitim të popullit shqiptar të Kosovës, të datës 17 shkurt 2008, për shpalljen e shtetit sovran dhe të pavarur. Këtë ligjërim historik në përputhje me ligjet ndërkombëtare e vulosi në vitin 2010 edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Prandaj, Kosovën deri tani e kanë njohur si shtetet të pavarur 110 vende të botës, me në krye SHBA-në. Këto zhvillime të pavarësimit dhe sovranitetit të Kosovës e detyruan Bashkimin Evropian që në vitin 2013 ti kushtëzojë Serbisë anëtarësimin e saj në BE vetëm mbasi të njohu shtetin e Kosovës. Në këtë kuadër kanë vazhduar takimet e presidenteve Thaçi dhe Vuçiq në Bruksel nën drejtimin e përfaqësueses se lartë të politikës së jashtme të BE-së Mogerini. 

Mungesa e transparencës

Por, edhe pse Serbia është fajtore për ato pasoja tragjike që i ka sjell popullit shqiptar të Kosovës, jo vetëm që nuk kërkon falje atij, por vazhdon të bëjë presione të gjithanshme politike, diplomatike, ekonomike dhe ushtarake. Populli i Kosovës dhe ne që e mbështesnim atë fuqishëm nga jashtë nuk mund ta harrojmë konfliktin e armatosur në Kosovë që filloi më 28 shkurt 1998 me sulmet serbe në fshatrat: Likoshan dhe Qirez në Drenicë dhe përfundoi më 11 qershor 1999. Shifrat dhe faktet flasin për një luftë barbare, gjenocidi dhe shfarosëse, e cila solli humbjen e jetës së 15 mijë qytetarëve, nga të cilët 2400 trima të ushtrisë çlirimtare të Kosovës, mbi 800 mijë qytetarë, u detyruan të braktisin shtëpitë dhe atdheun e tyre, mbi 5 mijë janë të zhdukur, etj., etj.

Këtu nuk është fjala për t'i fryrë zjarrit të rindezjes së luftërave e riderdhjes se gjakrave, por fjala është për të vendosur në tavolinën e bisedimeve me përfaqësuesit e Serbisë dhe të Bashkimit Evropian barazinë, reciprocitetin dhe të drejtën ndërkombëtare. Është e çuditshëm deklarimi i papritur i idesë së "korrigjimit të kufijve " ose e "shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë" kur Qeveria e Kosovës si kundërpërgjigje të agresivitet të pa arsyeshëm të Serbisë vendosi taksën 100 qind për qind të mallrave serbe dhe Bosnje Hercegovinës që futen në territorin sovran të Kosovës, e cila u shoqërua me vendim tjetër strategjik te krijimit të Forcave të Armatosura të shtetit të Kosovës. Pati edhe kundërshtar, por tani nuk ndihen më të gjallë mbas bërjes realitet të kësaj të drejte dhe pranimi nga SHBA dhe të tjerë. Por mungesa e transparencës për zhvillimet e bisedimeve midis dy kryetarëve të shteteve ne Bruksel e detyroi qeverinë kosovare, më në krye kryeministrin Haradinaj, t'i propozojë Kuvendit për krijimin dhe ligjërimin e grupit përfaqësues të Kosovës në bisedimet e mëtejshme. Në politikën dhe shtetin e Kosovës tashmë është krijuar një çarje madhe. 

Politika kosovare duhet të kapet tek koka dhe thelbi i çështjes

Përveç presidentin Thaçi pothuajse të gjitha forcat politike dhe qeveritare janë kundër korrigjimit të kufijve ose shkëmbimit të territoreve, ashtu si qeveria Haradinaj është për vazhdimin e taksës 100 % deri në njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë, kur presidenti këmbëngul anulimin e saj. Një vëzhgues i të gjitha këtyre zhvillimeve arrin në përfundimin se Kosova është në një udhëkryq jo pak të rrezikshëm.

Dalja nga ky udhëkryq është ulja në një tavolinë e të gjithë përfaqësuesve te shtetit: presidenti, qeveria, kuvendi, gjykata kushtetuese, akademia e shkencave ,kryetaret e partive, institutet dhe qendrat shkencore joqeveritare për të përcaktuar dhe vendosur për një qëndrim të vetëm që duhet të mbahet dhe zbatohet. Shteti i Kosovës në këto zhvillime është në avantazh ndaj shtetit serb, sepse autoritetet e Beogradit janë nën presionin e Bashkimit Evropian dhe Amerikës, ndodhet në një krizë politike që demonstruesit në rritje kërkojnë dorëheqjen e presidentit Vuçiq, ekonomia nuk po siguron një jetë normale për shumicën e popullsisë,etj.

Gjermania në krye të BE-së vazhdon ta shantazhojë, se panjohur Pavarësinë e Kosovës dyert e anëtarësimit në BE i ka të mbyllura, si dhe është e para që vazhdon të kundërshtojë ndryshimin e kufijve. Para dy ditësh në një takim me median Vuçiq pyeti: Unë nuk e di se çfarë kërkojnë nga ne ?! Dhe Kosova në një zë t'i përgjigjet: Njih zyrtarisht pavarësinë dhe sovranitetin e shtetit të Kosovës. Kjo është pika e parë. Me zgjidhjen përfundimtare të kësaj pike hajde të ulemi në tavolinë për të diskutuar dhe trajtuar të gjitha problemet që kemi. Pra, shteti dhe politika kosovare duhet të kapen tek koka dhe thelbi i çështjes. Ajo duhet t'i kushtëzojë Serbisë njohjen zyrtare sa më parë të shtetit të pavarur të Kosovës, nga e cila do të vijnë diskutimet për zbutjen dhe zgjidhen e shumë problemeve që kanë mbetur pa u diskutuar dhe pa u zgjidhur.

Diskutime për korrigjim kufijsh apo shkëmbim territoresh, edhe kur Serbia të njoh shtetin sovran të Kosovës duhet të negociohen vetëm më vendim të Kuvendit dhe me kontroll të gjithanshëm, sepse kombi shqiptar në veri dhe në jug, në lindje dhe në veri, perëndim, e jugperëndim ka humbur shumë hapësira. Kosova duhet të mësojë nga debatet dhe realitet që po kalon edhe Shqipëria për kufijtë jugorë te Detit Jon,kur Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë vendimet e marra në Qeveri dhe Kuvend. Hapësirat territoriale janë pasuria e shenjtë e një populli dhe mbi to nuk mund të lozë askush.

(Kosova Sot)