Të qajmë apo të festojmë për Kosovën

Të qajmë apo të festojmë për Kosovën
  • 19 February 2019 - 08:36

Shkruan: Gani Qarri

Përderisa heroi i kombit Isa Buletini qysh në vitin 1913 të shekullit të kaluar, para diplomatëve të Fuqive të Mëdha, me krenari deklaronte; "Unë jam mirë, kur është mirë Shqipëria", kuislingu Hashim Thaçi, për më tepër se një shekull më vonë, po dëshmon hapur se është në gjendje ta shesë e ta zhbëjë tërë Kosovën, për të qenë mirë vetëm ai për vete duke rrezikuar gjithë të tjerët. Edhe në përvjetorin e 11-të të Pavarësisë, në të cilin sapo hyjmë, Thaçi & CO, kudo dhe kurdo që flitet për Kosovën, në tavolinë gjithmonë mbajnë ndarjen, si opsion të parë! Ndaj, sot nuk di kush më, nëse më parë duhet të qajë, apo të festojë për Kosovën.

Madje, siç duket atij nuk i bën fare përshtypje as fakti që edhe vetë Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z.Tramp, në letrën e sapodërguar Aleksandër Vuçiqit, kërkon nga Serbia njohjen e Kosovës shtet të pavarur në tërësinë e saj, si kurorëzim i një marrëveshje historike me pranimin e ndërsjellë të të dy vendeve, e cila do të vendoste paqen e përhershme në rajon. Për aq më tepër, mungesa e një lidershipi vendor të njëmendtë politik për ta parandaluar ndarjen e Kosovës ka bërë që ajo të shndërrohet në ushqimin kryesor të këtij presidenti kuisling dhe bashkëpunëtorëve të tij të shitur te Beogradi, të cilët mbijetesën në pushtet dhe blerjen e lirisë personale e kanë siguruar vetëm duke luajtur me ndarjen dhe ngrënë pjesë, pjesë, e shitur pak nga pak tokat e Kosovës.

Tendenca për ndarjen e shtetit tonë

Para pak kohësh edhe Ambasadori Amerikan në Beograd Kyle Scott, deklaronte se "Harta e Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe harta e Serbisë në Serbi janë të ndryshme! Por përkundër të gjitha argumenteve të miqve tanë më të fuqishëm ndërkombëtarë, si SHBA, Britania e Madhe, Gjermania etj., për ruajtjen e tërësisë territoriale të Kosovës dhe pengimin e ndarjes së saj, sigurimi i fshehtë francez "DGSE" (Direction Générale de la Sécurité Extérieure") dhe ai serb "BIA", siç duket e kanë përpunuar aq papërmirësueshëm këtë shërbëtor të tyre sa edhe ky, ta shohë me sy të njëjtë si Serbia, hartën e shtetit agresor serb, të ngulitur thellë me kthetra, deri në brendësi të zemrës së Kosovës.

Ndaj, edhe i vetmuar, presidenti kuisling Hashim Thaçi po vazhdon pareshtur t'i bjerë sa më fort që mundet idesë së tij të çmendur, për ndarjen e Kosovës dhe faljen e veriut të saj, Serbisë, kështu që, prej kur kanë filluar bisedimet me këtë shtet ish-okupator, rreziku për ndarjen e Kosovës kurrë nuk ka qenë më i madh e më prezent sesa në 11-vjetorin e Pavarësisë së saj.

Fatkeqësisht, tendenca për ndarjen e shtetit tonë të brishtë po bëhet gjithnjë e më konsistente, jo vetëm për shkak të përpjekjeve të pareshtura dhe sukseseve të diplomacisë serbe, por më tepër nga efekti i kontributit të vazhdueshëm proserb të zëdhënësve dhe bashkëpunëtorëve vendor të Serbisë me në krye Hashim Thaçin, si dhe papërgjegjësisë totale të të gjitha segmenteve politike në Kosovë, të cilat po dëshmojnë katërçipërisht se janë të paafta të mbajnë shtet, nuk janë të rritura për përgjegjësi kaq të mëdha institucionale dhe u mungon tërësisht kultura e veprimeve shtetërore.

"Korrigjimi i lehtë"

Madje, megjithëse kufijtë e Republikës së Kosovës janë vendosur me luftën e UÇK-së dhe ndërhyrjen e NATO-s, të cilët vetëm lufta sërish mund t'i luajë, zhvillimet e fundit po dëshmojnë se kuislingu Hashim Thaçi, përveç përkrahësve në partinë e tij, ai ka mbështetës të fortë për ndarjen e Kosovës edhe në partitë "kundërshtare", ndaj dhe 11- vjetori i Pavarësisë po e gjen Kosovën më të rrezikuar se kurrë më parë, nga copëtimi dhe shpërbërja përfundimtare e saj si shtet i pavarur.

Përkundër faktit se si ndarjes ashtu edhe bashkimit të Kosovës me shtetet e tjera, i është vënë vijë e kuqe nga vetë bashkësia ndërkombëtare, qysh në bisedimet për statusin e saj, presidenti kuisling dhe pushtetarët e shitur të vendit tek Serbia nuk kalon javë as muaj, e të mos e riaktualizojnë ndarjen, duke e kamufluar herë si shkëmbim të territoreve, herë si bashkim i Preshevës, Bujanocit e Medvegjës me Kosovën, herë si korrigjim të "lehtë" të kufijve të Kosovës me Serbinë, si çmenduri për ta shpëtuar veten, qoftë edhe me çmimin e zhbërjes së tërësishme, 20 vite pas çlirimit dhe 11 sosh nga shpallja e pavarësisë, të shtetit tonë të brishtë.

Ndaj, me gjithë dëshirën e madhe dhe të zjarrtë, që si në çdo përvjetor tjetër edhe këtë vit, veçanërisht të frikshëm e të pasigurt, t`ia urojë vendit tim ende të lirë dhe të tërë, 11- vjetorin e pavarësisë, kasta e dështuar dhe udhëheqësit e shitur e mafioz, e kanë sjellë gjendjen deri në atë shkallë, saqë qytetarët të cilët vërtet e duan me gjithë zemër shtetin e vet, nga frika e ndarjes me të cilën kuislingu Hashim Thaçi po u rri pareshtur mbi krye, të mos dinë më, nëse më parë duhet të qajnë, apo të festojnë edhe në këtë ditë të ëndërruar gjatë, të shënuar dhe të shumëpritur për Kosovën. Kosova jonë e dashur, me brengë të thellë për fatin tënd të mëtejmë dhe shpresën se ky nuk do të jetë përvjetori i fundit, që ti je e tëra dhe e pandarë, Urime nga zemra Pavarësinë!

(Kosova Sot)