Mitrovica e Veriut, beteja e fundit për Pavarësinë e Kosovës

Mitrovica e Veriut, beteja e fundit për Pavarësinë e Kosovës
  • 21 February 2019 - 08:20

Shkruan: Rexhep Myftari

Ditët pas festës së 11- vjetorit të Pavarësisë së Kosovës dhe në prag të festës së 20- vjetorit të çlirimit të saj, po i gjen shqiptarët e veriut të diskriminuar dhe të kërcënuar si kurrë më parë. Edhe përkundër shumë vështirësive, ndalesës nga KFOR-i për vite me radhë dhe pengesës nga UNMIK-u për t'u kthyer në trojet e tyre në veri të Mitrovicës, banorët shqiptarë të Lagjes së Doktorëve u kthyen në shtëpitë e tyre në vitin 2009, por ende ballafaqohen me pengesa tani edhe drejtpërdrejt nga shteti serb, të orkestruara nga Beogradi. Ani pse kanë kaluar 20 vjet nga lufta e vitit 1999, Beogradi po e forcon pushtetin në pjesën veriore të Kosovës duke bërë ndarjen etnike edhe të furnizimit me energji elektrike.

Serbët kanë furnizim të plotë me energji elektrike, ndërsa shqiptarët ballafaqohen me ndërprerje të energjisë dhe diskriminim në baza etnike. Sipas marrëveshjeve të Brukselit për energjinë elektrike, Kosova do të duhej ta shtrinte sovranitetin edhe në pjesën veriore të Republikës, pse po ndodh e kundërta më së miri do të dinin të përgjigjeshin institucionet lokale dhe ato qendrore në Prishtinë, mirëpo ato po heshtin, e heshtja po sjellë amulli dhe pasiguri ne mesin e banorëve të veriut. Ndarja etnike Edhe pas 10 vjetëve prejse janë kthyer në shtëpitë e tyre ndaj këtyre banorëve po vazhdojnë provokimet nga më të ndryshmet nga shteti serb. Rezistenca shqiptare ndaj planit të Beogradit për zbrazjen e veriut nga shqiptarët po bëhet më e vështirë, sepse dita- ditë është duke u bërë gati e pamundur jetesa normale në këto troje shqiptare. Tani këta banorë po ndeshen me provokimet e radhës nga Beogradi përmes EPS-Elektro Privreda Serbije. EPS, e cila ushtron kontroll të plotë të furnizimit me rrymë në pjesën veriore të Kosovës, përfshirë këtu Mitrovicën Veriore ku gjendet Lagja e Doktorëve.

EPS ia doli që t'i përjashtojë shqiptarët nga burimi kryesor i furnizimit me energji elektrike duke i lënë ata disa ditë në terr. Kjo ndarja etnike sipas banorëve të Lagjes është bërë për ta pamundësuar kthimin e banorëve të tjerë në këtë lagje, por edhe për të mos u kthyer shqiptarët në pjesët e tjera të veriut të Kosovës. Nëse nuk ka kushte jetese dhe nëse ka ndërprerje të furnizimit me rrymë, por edhe provokime dhe rrezik permanent nga shteti serb këtu brenda Kosovë dhe nuk ka reagime të institucioneve të Kosovës, atëherë asnjë qytetar shqiptar nuk do të mund të jetojë në këtë pjesë të Kosovës. Për me tepër, nuk besoj që ka njeri që dëshiron që fëmijët e tyre te rriten në terrin që po e shkakton shteti serb brenda Kosovës dhe më së shumti do ta pësojnë këta banorë nëse vjen deri te shkëmbimi i territoreve, siç po flitet tevona në publik.

Këtë pasiguri e forcon edhe më shume lajmi që Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, paska nënshkruar në marrëveshjen e vitit 2013 që Ushtria e Kosovës, Forcat e Armatosura të Kosovës nuk do ta shtrijnë prezencën e tyre në veri të lumit Ibër, pra në pjesën veriore të Mitrovicës gjë që i bën banorët e veriut të mendojnë se qeverisja në Prishtinë ka nënshkruar për ndarjen e Kosovës dhe se rezultatet e këtyre marrëveshjeve të fshehta po fillojnë të zbatohen në terren qysh tash, në muajin shkurt 2019. Presioni politik serb Ndarja etnike e furnizimit me energji elektrike koincidon edhe me përvjetorin e Natës së Tmerrit ku në natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, strukturat paramilitare serbe para syve të KFOR-i Francez dhe UNMIK-u vranë në shtëpitë e tyre në veri të Mitrovicës 10 shqiptarë, plagosën mbi 80 veta si dhe dëbuan sistematikisht mbi 1500 familje shqiptare nga veriu i Mitrovicës.

Përderisa diskriminimi në baza etnike ndaj shqiptarëve po vazhdon, qeverisja lokale në Jug të Mitrovicës, e cila pretendon ta bashkojë qytetin, nga dy Mitrovica ta bëjë një, deri tani nuk i është përgjigjur thirrjes së banorëve të Lagjes së Doktorëve për ta rregulluar furnizimin me energji elektrike në këtë lagje, ndërsa thirrjeve të tjera të banoreve të këtushëm shpesh u janë përgjigjur se ju jeni me Komunën Veriore, ndërsa serbët e Komunës Veriore të Mitrovicës u thonë banorëve të këtushëm se në bazë të planit të Ahtisarit për ndarje komunale, ju i takoni Komunës së Mitrovicës së Jugut. Kjo lojë me banorët e veriut po shkakton pasiguri dhe mund t'i dërgojë ata drejt vendimeve të padëshiruara. Presioni politik serb dhe përkeqësimi i kushteve të jetesës mund t'i shtyjë shqiptarët t'i çojnë duart nga institucionet e Kosovës dhe në pamundësi që t'i përballojnë presionit sistematik serb, t'i braktisin trojet e tyre. Siç e dimë nga historia e dhimbshme shqiptare, një skenar i ngjashëm na ka ndodhur edhe në periudha të tjera, pra, dëbimi i shqiptarëve nga Sanxhaku, por edhe nga Serbia qendrore është bërë sistematikisht që nga ardhja e tyre në Ballkan në shek.VII. Problemi në aspektin teknik mund të shpjegohet në pika te shkurtra kështu:

Trafoja, e cila ka furnizuar tërë Lagjen e Doktorëve në veri të Mitrovicës, duke përfshirë edhe ndërtesën serbe, e cila gjendet në hyrje të lagjes, kjo trafo pra është ndarë në faza etnike. Serbet apo EPS-ja e ka ndarë furnizimin në 4 njësi, 3 njësi e furnizojnë vetëm ndërtesën serbe, ndërsa 1 njësi pjesën tjetër të Lagjes së Doktorëve prej nga furnizohen 20 shtëpi. Dmth EPS furnizon ndërtesën e kolonëve serbë, të cilën e kishte ndërtuar qeveria e Beogradit në vitin 2009 për ta ndryshuar strukturën etnike të Lagjes, ku nuk kishte pasur serb para luftës së vitit 1999, ndërsa tani aty jetojnë dhjetëra banorë serbë, pra EPS furnizon serbët me 3 njësi, ndërsa shqiptarët me vetëm 1 njësi. Ndërsa, gjendja më herët deri në shkurt të 2019 ishte e barabartë, të gjithë në këtë lagje edhe ndërtesa serbe, edhe banorët shqiptarë furnizoheshin nga i njëjti burim nga e njëjta trafo pa ndarje në baza etnike. Pra, si konkluzion, duke marrë parasysh edhe sulmin e fundit me bombë ndaj policit të Kosovës në mëngjesin e datës 18 shkurt 2019, mund të konstatojmë se një ofensive e re serbe ka filluar kundër shqiptarëve dhe kundër komuniteteve të tjera joserbe në veri. Prandaj, banorët e veriut thërrasin institucionet e Kosovës ta shtrijnë sovranitetin në tërë territorin e Republikës dhe t'u dalin në ndihmë banorëve të lagjeve ku banojnë shqiptarët, në mbrojtje të së drejtës për të jetuar në trojet e tyre dhe sovranitetit të shtetit të Kosovës

(Kosova Sot)