A thua, si u avulluan aq shpejt 500 mijë euro për festën e pavarësisë?!

A thua, si u avulluan aq shpejt 500 mijë euro për festën e pavarësisë?!
  • 21 February 2019 - 08:22

Shkruan: Bislim Aliu

Pa dyshim, deputetët e opozitës, por edhe analistët të shumtë po pyesin me të drejtë, a thua ku u shpenzuan aq shpejt 500 mijë euro për festën e pavarësisë së Kosovës. Ky shënim i 11- vjetorit të pavarësisë së Kosovës, sigurisht ka mundur të festohet me 50-60 mijë euro, besa hiq më tepër? Si është e mundur që Qeveria jonë të jetë aq dorëlirë për t'i ndarë aq mjete të qytetarëve, kur populli po vuan për mbijetesë, besa edhe për bukë goje?! Apo mos vallë, Kosova e ka gjithë atë luks jetese, apo mos jemi ndonjë shtet super i pasur dhe me ekonomi të zhvilluar dhe mund të harxhojmë para dhe mjete pa farë kontrollimi. Kjo, mendoj unë, është diçka e tepërt, besa edhe shumë e tepërt, ku populli po vuan vazhdimisht. Andaj, pse vallë për këtë, të mos kërkohet llogari; kah janë harxhuar dhe a kanë vajtur në vendet e duhura.

Dihet mirëfilli se shënimi i pavarësisë së Kosovës, gjithsesi duhet të festohet. Ama, 'zgjati këmbët sa e ke jorganin", thotë populli. Populli ka ardhur në gjendje katastrofale të jetesës, e të harxhohen 500 mijë euro, aq lehtë dhe aq shpejt, kjo është diçka e pafalshme, jonjerëzore dhe jodemokratike. Pra, t'i harxhosh aq mjete, po lind dyshimi i bazuar, a thua mos ka pasur edhe keqpërdorime?!

Duhet transparencë për këto mjete se si janë harxhuar? Me të vërtetë, institucionet e shtetit tonë janë shpeshherë të papërgjegjshme, në shfrytëzimin e parave të popullit dhe të shtetit. Dhe, për këtë, Qeveria e jonë, për festën e 11- vjetorit të pavarësisë, i ndau hiq më pak se 500 mijë euro?! Dhe, bëhet vallë, që Qeveria jonë, të jetë aq dorëlirë, thuajse ne jemi një shtet super i pasur, për të shpenzuar aq para, për një kohë të shkurtër, kur populli po vuan aq shumë, besa edhe për mbijetesë?! S'do mend se kemi ardhur në një gjendje të palakmueshme për të jetuar. Dhe, për këtë, secili institucion i vendit, apo secili politikan, pa përjashtim duhet të japë llogari për mjetet e shpenzuara. Përndryshe, duhet secili të mbajë përgjegjësi para populli, para ligjit dhe para drejtësisë? Nuk mundet asnjë institucion apo politikan i lartë i shtetit t'i abuzojë mjetet e popullit apo të shtetit, pa e studiuar mirë se si ato po harxhohen.

Askush pa përjashtim nuk është mbi ligjin. Pra, të gjithë jemi njësoj para ligjit. Atëherë pra, pse a thua, në Kosovën tone kemi laramani në këtë drejtim?! E gjykatat tona, a thua, a po e kryejnë detyrën si duhet në baza ligjore. Ligjin ata duhet ta zbatojnë në ço vend dhe për secilin individ pa marrë parasysh, a është politikan apo një njeri i thjeshtë? Pra, shteti mbahet me ligj e me drejtësi, përndryshe me "laramani" nuk ka shtet?! Deri kur populli të bëjë 'seri' në këto padrejtësi? Pa dyshim, kemi ardhur në një gjendje alarmante, kur populli të zgjohet nga "gjumi i thellë" dhe të reagojë me protesta e me reagime të shumta në padrejtësitë që po shkaktohen në Kosovën tonë të dashur. Andaj, popull reago aty ku ka padrejtësi. Kërko realitet dhe ligjshmëri se shteti e do ketë. Mos hezito e zgjohu nga gjumi i "thellë" se me padrejtësi shteti nuk mund të shkojë përpara dhe as që mundet me qenë shtet i fortë dhe shtet i së drejtës. Mjaft më ky popull ka vajtuar e duruar dhe ka bërë "seri" duke i shikuar padrejtësitë e ndonjë institucioni apo të ndonjë politikani të lartë. Kosova është e jona. E të gjithëve është. E pra, deri kur të shfaqen laramani dhe padrejtësi?! . . .  

(Kosova Sot)