Para këtij 'varri' masiv të quajtur ambasadë

Para këtij 'varri' masiv të quajtur ambasadë
  • 21 February 2019 - 08:26

Shkruan: Gëzim Ejupi

Qytetarë të nderuar, kjo që po ndodh është gjendje e jashtëzakonshme, mirëpo nuk është duke u vërejtur nga askush, sidomos partitë të cilat kanë qenë trashëguese të pushtetit që nga pas lufta janë bërë të shurdhër dhe të verbuara ndaj kësaj dukurie, e cila është vrastare për shtetin tonë...

Qytetarë të nderuar, kjo është gjendje e jashtëzakonshme për një shtet normal, po e jashtëzakonshme pikërisht kjo, sepse nuk ka më keq dhe më katastrofë sesa një shtet të mos jetë i dëshiruar për qytetarët e tij, më falni, thashë shtet, por ç'është e vërteta nuk është shteti fajtori, por pushtetet që udhëheqin në këtë shtet... Mos prisni liberalizim vizash me këta pushtetarë

Si mund të quhemi shtet i inovacionit kur, perspektivë e vetme e rinisë janë ambasadat? Si mund të jeni aq të pamëshirshëm kur edhe pas dhjetë viteve nuk i keni ndërruar prioritetet për qeverisje, ende prioritet dhe premtim kryesor është liberalizimi i vizave. I falët 8200 ha tokë për këto të mallkuara viza dhe nuk u realizua premtimi i dhënë, gjë të cilën e kam ditur, sepse edhe po ta falësh gjysmën e Kosovës e të jenë këta pushtetarë në krye të shtetit nuk do të ketë as liberalizim e as perspektivë për qytetarët... Madje çka na duhet liberalizimi i vizave kur ekonominë e kemi të shkatërruar në themel, ku të shkojmë kur nuk mund ta vizitojmë as vendin tonë cep me cep e ku të shkojmë pastaj më tej? Si na ofrohen mundësitë ta vizitojmë Evropën, po more po, si do ta vizitojnë Evropën qytetarët të cilët nuk kanë bukë për t'u ngopur...

Të këndellemi e t'i thërrasim mendjes Qytetarë të nderuar, edhe njëherë po ju them, ndoshta nga zemra e plasur dhe nga mllefi, sepse nuk është e lehtë ta durosh këtë gjendje, e cila është fatale për këtë shoqëri. Të këndellemi e t'i thërrasim mendjes,të mbledhim mendjen dhe t'i tregojmë vendin të gjithë këtyre që shkatërruan këtë vend, që privatizuan për të vjedhur u pasuruan duke vjedhur këtë shtet të rraskapitur e të lodhur ekonomikisht...

Ky shtet duhet t'i largojë nga institucionet të gjitha mbeturinat e korruptuara që Kosovën e shohin si pronë të tyre personale dhe familjare... Jam i gatshëm dhe do të jem në shërbim të vendit çdoherë, prandaj ju ftoj që të ngritemi në këmbë i madh e i vogël e t'i pensionojmë këta të cilët janë duke e shndërruar këtë vend nga vend me popullsinë më të re në vend me popullsinë më të vjetër në Evropë... PARA se të ikë nga Kosova dëshiroj që këtyre t'iu tregojmë se ku e kanë vendin, se vendi i tyre nuk është në pozitat udhëheqëse në institucionet e Republikës, por vendi i tyre është në institucionet rehabilituese, kuruese apo siç dëshironi t'i quani. Njerëzit të cilët shkatërrojnë shtëpinë e tyre nuk e kam besuar dhe nuk e besoj që duhet të jenë menaxherë në atë shtëpi, por të kurohen dhe të mbahen në kujdes intensiv.

(Kosova Sot)