Pastrimi i ndërgjegjes nga prostitucioni kulturor

Pastrimi i ndërgjegjes nga prostitucioni kulturor
  • 19 March 2019 - 09:10

Për ata që bëjnë analiza të hollësishme për një shoqëri, kurrgjë nuk është i dëmshëm prostitucioni (seksual) i një individi: qoftë femër, apo mashkull, në krahasim me prostitucionin kulturor masiv të në shoqërie. E prostitucion masiv është kur: secili individ (ose gati secili) gënjen secilin. Dhe kur gati askush nuk është i sinqertë dhe i besueshëm ndaj askujt!

Ndaj, për një shoqëri normale, asgjë nuk ka më tragjike (dhe më alarmante) sesa kjo që po ndodh mes nesh: kur gati askush nuk ia thotë të vërtetën askujt, kur askush nuk i beson, më, askujt dhe kur askush nuk është i sinqertë me askënd! Sot, për fat të keq, në shoqërinë tonë, më së shumti po ka njerëz të pasinqertë, të pabesueshëm (njerëz dyfytyrësh), të cilët, që në hapin e parë, posa t'u jepet rasti i parë: MASHTROJNË gjithkënd. Kështu, nuk e kanë për asnjë ngarkesë ndërgjegjeje, nëse sot: babai e nëna, mashtrojnë fëmijët, bile në baza ditore (për çkadoqoftë, bile, edhe për gjëra krejtësisht triviale dhe krejtësisht të parëndësishme!), nëse edhe biri dhe bija mashtrojnë prindërit (bile edhe për gjëra krejtësisht të parëndësishme, nëse vëllai mashtron motrën, apo motra mashtron vëllain, bile edhe për gjëra krejtësisht të parëndësishme.

Ngulja e thikës pas shpine Sot, për fat të keq, xhamitë dhe kishat (më shumë se kurrë ndonjëherë më parë) po mbushen plot me njerëz në të cilët hyjnë e dalin ( shumica: për t'u dukur kinse janë besimtarë, të cilët, posa dalin nga objektet fetare, pa i vrarë fare ndërgjegjja (dhe pa u frikësuar fare: as nga Zoti, as nga ligji) i bëjnë të gjitha të zezat! Mashtrojnë (të tjerët, por edhe vetveten!) spiunojnë e bashkëpunojnë me armikun kundër vëllait, kundër më të afërmit (dhe kundër vetvetes!) Në të kundërtën, shtrohet pyetja: prej kah dhe prej kujt po na vijnë gjithë këto të këqija në shoqërinë tonë?!

Prej kah po vijnë gjithë këto ngatërresa deri në vëllavrasje për prona e për probleme kaq të turpshme mes nesh?! Sepse, kur një "besimtar" posa del nga xhamia ose nga kisha, dhe, pa fije turpi e frike: as nga Zoti, as nga njeriu, ende pa u kthyer në shtëpi, ngutet dhe … keqpërdor besimin e vëllait e të afërmit, ia bën të pabesën dhe bën veprime të pamoralshme, të pandërgjegjshme, të poshtra dhe mashtron të tjerët për interesa personale; keqpërdor pronën e huaj, mashtron tjetrin, të cilit me fjalë i thotë diçka tjetër e i bën lajka, kurse në anën tjetër, pas shpinës së tij ia bën gropën: edhe vëllait, edhe mikut dhe i bën të gjitha të zezat: a nuk është prostitucion moral dhe kulturor edhe ky?! Jo, jo: Prostitucion nuk është vetëm të kryesh marrëdhënie seksuale të pamoralshme me dikë. Por prostitucion kulturor dhe moral është: edhe kur mashtron tjetrin dhe ia ngul thikën pas shpine njeriut që të beson, kur (në prani të tij) i bën lajka dhe e lavdëron atë edhe kur nuk duhet ta bësh këtë, edhe kur të vret ndërgjegjja për fjalët e pamerituara që ia ke thënë dikujt: jo pse i ka merituar, por pse ti ke pasur ndonjë interes të caktuar prej tij. Andaj, kur kjo dukuri bëhet përditshmëri në një shoqëri, atëherë mund të thuhet me të drejtë se ajo shoqëri ka humbur rrugën normale të zhvillimit dhe është shndërruar në një shoqëri prostitucionale. Sot, për fat të keq, në këtë mënyrë prostituojnë edhe prindërit me fëmijët, edhe fëmijët me prindërit, prostituojnë politikanët e pandërgjegjshëm me popullin, prostituon dhe u bën lajka populli i pandërgjegjshëm politikanëve të pandërgjegjshëm! Zoti na ruajt dhe na nxjerrtë diqysh prej gjithë kësaj gjendjeje: GJITHËprostitucionale!

Dhe krejt kjo katrahurë shoqërore, pikërisht: për shkak të dyfytyrësisë masive (prostitucionit kulturor), gjegjësisht për shkak të moralit të dyfishtë: masiv të një shoqërie! A ka rrugëdalje? Po. Rrugëdalje ka: Luftimi i DYFYTYRËSISË dhe i moralit të rremë (prostitucionit kulturor) në veten tonë! Sepse… shoqëria jonë, për fat të keq, sot e 20 vite të pasluftës, për shkak të kësaj sjelljeje PROSTITUCIONALE (me vetveten dhe me të gjithë ata që na rrethojnë) në vend se ta gëzojë lirinë, po jeton në FERR, duke u ballafaquar me dhunën e të gjitha llojeve, me padrejtësitë më banale, me pabarazinë shoqërore dhe me papunësinë më të pandershme. Sepse, për ata që shohin, ferri nuk është vetëm në atë botë, por është i pranishëm edhe në këtë botë. E njerëzve të NDËRGJEGJSHËM (njerëzve jo dyfytyrësh) Zoti ua ka dhënë mendjen dhe ndërgjegjen. Ndaj, nuk ka forcë në këtë botë që lufton dhe largon FERRIN mes nesh, përveç ndërgjegjes sonë. Një "besimtar" me lot në sy, një ditë më tha: "Dje, posa dola nga xhamia, e zura vëllain tim, duke keqpërdorur pasurinë time dhe duke spiunuar kundër meje, me qëllim që të më fuste në një ngatërresë me një person tjetër, nga i cili, ky i fundit kishte njëfarë interesi personal… Gjithashtu edhe një votues, gjatë votimeve të fundit më tha: "Me veshët e mi dëgjova një politikan, t'u thoshte të tjerëve, krejt të kundërtën nga ajo që ma tha mua! Ndaj, ne, si njerëz të vërtetë dhe të ndërgjegjshëm, pa e pastruar NDËRGJEGJEN tonë, pa i ndërruar sjelljet tona dhe pa u kusuritur me vetveten (edhe si individë, edhe si familje, edhe si shoqëri) të mos presim kurrë se do ketë ndërrim të një gjendjeje të keqe mes nesh si shoqëri.

(Kosova Sot)