Zbulohen faktet: Trafikantët e drogës, fajtorët kryesor që po e mbajnë peng liberalizimin e vizave për kosovarët!

Zbulohen faktet: Trafikantët e drogës, fajtorët kryesor që po e mbajnë peng liberalizimin e vizave për kosovarët!

Hajrullah Tërnava

  • 20 February 2022 - 08:51

Shkruan: ANALISTI- Hajrullah  Tërnava

Rasti i tregëtise me drogë i një zyrtari të lartë, ish-sekretarit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Burim Rreci i zënë me 50 kilogram marihuanë në veturën e tij, tani na e dëshmon me fakte se në çfarë situate gjendet shteti i ynë sa i përket krimit në përgjithësi. Kjo është pra ajo arsyeja e fortë dhe e argumentuar  që edhe faktori ndërkombëtar po na e tërheq vërejtjen që ta luftojmë krimin si kusht  kryesor për Liberalizimin e vizave, dhe ne vendorët shpesh herë mendojmë se ata veç që po munden po na akuzojnë  për gjana të imta, se po na gjejnë  behane qëllimisht, se ne moti i kemi plotësuar kushtet, që në të vërtetë ky e shumë raste tjera po na e dëshmojnë dhe konfirmojnë atë që po e thonë ndërkombëtarët.

 

Kjo gjendje që po vazhdon të zbulohet, rastet e shpeshtuara me kapjen e rrjeteve të trafikut të drogës, flet më së miri dhe na jep fakte të mjaftueshme për ekzistimin e një lidhje të fuqishme të nëntokës së krimit në Kosovë. Kjo akoma më fuqishëm argumentohet me rastin e arrestimit të ish-sekretarit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Burim Rreci, për tregti me dorë në veturën e të cilit u gjetën nga policja malazeze 50 kilogramë marihuanë. Rasti sikur ky flet  për domosdonë e fillimit të hetimit të pasanikëve të politikës, jo vetëm për krijimin e pasurisë së tyre me vjedhje të buxhetit për edhe trafikim droge. Rasti Rreci na jep për të dyshuar që njerëzit e politikës në pushtet ta kenë shfrytëzuar pozitën dhe imunitetin e tyre për tu marr me punë të tilla të pista, sikur që është tregtia me drogë, celulat dhe grupet e trafikimit të këtij “malli” po zbulohen gjithnjë e më shpesh në Republikën e Kosovës. Importimi i drogës nga Mali i Zi për në Kosovë nga Burim Rreci, hap dyshimin e bazuar se ai nuk ishte vetëm në këtë trafikim droge, por sigurisht që atë e kishte nisur dikush dhe e përcillte nga Kosova, dhe e priste dikush jashtë Kosovës, në Mal të Zi apo më tej, pastaj do të përcillej akoma më tutje ku e kishte destinacionin përfundimtar sasia e drogës së konfiskuar. Ky rast flet mjaft për imazhin negativ që njerëzit e tillë po i japin shtetit dhe politikës së Kosovës, ngase nuk është se ai person, ish zyrtar shteti, u zu thjesht me kontrabandë dosido të një malli deficitar, por u zu me drogë, dhe dihet që drogën nuk e trafikon gjithkush, por janë  grupet e besuara të rrjeteve të krimit të organizuar, njerëzit që kanë përvojë dhe besueshmëri   nga përvoja e gjatë e krijuar në bashkëpunim të tillë me mafiozët, dhe ky besim nuk  fitohet lehtë e dosido. Të gjitha gjasat janë se ai sigurisht se kishte kryer shërbime të ngjashme dhe herë të tjera, ose punë të ngjashme, që udhëhiqeshin nga kriminelët apo rrjetet e mëdha të krimit të organizuar madje në nivel ndërkombëtar, bashkëpunim ky që nga AKI-ja duhet të hetohet dhe kërkohet ndërmjet  bashkëpunimit të ngushtë në mes të mafiozëve dhe figurave të rëndësishme politike, të sotme apo edhe të mëparshme. Nëse do të hulumtohet guximshëm dhe në mënyrë profesionale dhe në detaje rasti Rraci, mundë të na qoj deri në zbulimin e një super skandali me përmasa më të mëdha nga i cili do të dilte në sipërfaqe një zinxhir i tërë i lidhjes kriminale të trafikantëve të drogës me vulë dhe emblemë politike, të atyre njerëzve që i njohim vetëm sipërfaqësisht dhe na mbajnë ligjërata patriotike. Meqenëse tani ka filluar të luftohet krimi në mënyrë permanente tani është rasti historik për një angazhim të vërtetë  “PATRIOTIK” që institucionet e  drejtësisë, të punojnë dhe hetojnë pa u ndal dhe ta  zbulojnë një rrjet të madh kriminal, ku janë të përfshirë edhe politikanë, sepse po shihet dita ditës që sinjalet të cilat vijnë nga ndërkombëtaret janë lufta antimafi, kërkesë që është nga më kryesorët, sepse bashkë me të luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni në shtet, të cilat zhvillohen e fuqizohen kryesisht nga mafia. Të tilla ishin edhe  mesazhet kryesore të miqve më të mëdhenj, SHBA-së, Britanisë, Gjermanisë etj, që i janë dërguar presidentes së vendit Vjosa Osmanit me rastin e 14 Vjetorit të Pavarësisë, që të gjitha me nga një theks takohen në një pikë luftimin e krimit nga institucionet shtetërore.  Madje të tilla mesazhe sollën edhe dy të dërguarit për dialog, së fundi, Ndihmës Sekretari i Shtetit Escobar dhe emisari i BE-së, Lajçak. Nëse nuk luftohet krimi ne mënyrë permanente dhe detale ndaj çdokujt që është marr me krimin e që  ende merret me atë krim, atëherë mbetet të dyshohet  se edhe  institucionet e shtetit janë pjesëmarrëse në krim, sepse mos luftimi i krimit për të cilin profesion zyrtarët marrin rroga të mira, i bëjnë bashkëpjesëmarrës në krim të gjithë së bashku si vepër kryesit si ata që nuk e luftojnë krimin e që paguhen për luftimin e krimit, të gjithë bëhen pjesëmarrës në krim.

 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".