Diplomacia amerikane dhe evropiane ta thotë me një zë qëndrimin unik, njohja reciproke e shtetësisë dhe pavarësisë mes Kosovës dhe Serbisë kryefjalë e marrëveshjes nga dialogu

Diplomacia amerikane dhe evropiane ta thotë me një zë qëndrimin unik, njohja reciproke e shtetësisë dhe pavarësisë mes Kosovës dhe Serbisë kryefjalë e marrëveshjes nga dialogu
Diplomacia amerikane dhe evropiane ta thotë me një zë qëndrimin unik, njohja reciproke e shtetësisë dhe pavarësisë mes Kosovës dhe Serbisë kryefjalë e marrëveshjes nga dialogu

Gani Qarri

  • 14 June 2024 - 20:03

Shkruan:ANALISTI-Gani Qarri

Plotësimi i marrëveshjes së dakorduar në Bruksel me 27 shkurt 2023 dhe aneksit të saj me18 mars të vitit të kaluar në Ohër, me njohjen reciproke ndërmjet të dy vendeve, është akt i patejkalueshëm, pa të cilin, as që duhet të rifillojnë bisedimet, sepse çfarëdo imponimi tjetër, që nën përmban njohjen reciproke, jo vetëm që nuk e përmbushë vizionin për një Evropë të plotë, të lirë, e të begatshme dhe me garanci për paqe afatgjatë, por as që mund të paramendohet arritja e marrëveshjes përfundimtare as normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, formulim ky të cili duket se nga definicioni i marrëveshjes së dakorduar 11 pikëshe, e hoqi vet emisari proserb për Ballkanin perëndimor Gabriel Escobar.

 

Ndërsa fakti se Serbia hegjemoniste, para pak ditësh organizoi, një kuvend të ashtuquajtur gjithëserb, nën sloganin “Një popull, një kuvend”, ku përveç pjesëmarrjes së të ashtuquajturës "Republika Srpska" nuk mungoi as krye parlamentari serb, i Malit të Zi, si dhe udhëheqësit fetar të kishës ortodokse serbe, dhe në emër të mbrojtjes dhe ardhmërinë e përbashkët të të gjithë serbëve, u përsërit edhe në dokumentin zyrtar të tubimit, dogma se kinse Kosova është pjesë e Serbisë, akt shumë i rrezikshëm që dëshmon vazhdimin e traditës luftënxitëse të ultra nacionalistëve serb dhe shpreh pretendimet okupuese të Serbisë hegjemoniste, për zhdukjen e shqiptarëve dhe gllabërimin e tokave të tyre, të cilat datojnë qysh nga koha e Ilija Garashaninit dhe Vasa Çubrilloviqit, duket se shkundi edhe një herë kujtesën e SHBA-ve, se Serbia nuk kupton gjuhë tjetër, përveç dhënies së një përgjigjeje të prerë dhe të vendosur. Ndaj, duke pasur parasysh faktin se çfarë rrezikshmërie bartin në vete, për shtetet fqinje, deklaratat e tilla të Vuçiqit dhe projektet shoviniste të Serbisë fashiste, për kërcënimin e paqes në rajonin e gjithë Ballkanit perëndimor, duket se ambasada e SHBA-ve, por vetëm kjo në Kosovë, mori sinjal nga administrata e shtetit, që në përgjigje të asaj, që u tha në Beograd, ambasadori Hovenier tu rikthehet deklaratave për njohjen reciproke, gjë që nuk e bëri edhe ambasadori Hill në Beograd, përkundrazi, ai deklaroi se Serbia nuk ka nevojë, as ta njoh Kosovën fare, për anëtarësimin e saj në BE! Madje ashtu siç u shpreh edhe vet Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është një sfidë që jo vetëm duhet, por as që ka alternativ tjetër për ta tejkaluar përveç njohjes reciproke dhe asgjë më pak, pra përfundimi i këtij procesi, ashtu edhe siç ishte formuluar procesi i dialogut, para se të emërohej Gabriel Eskobar emisar për bisedimet Kosovë-Serbi dhe Ballkanin Perëndimor si dhe Kristofer Hill ambasador në Beograd, njohja ndërmjet të dy vendeve, duhet të jetë thelbi i gjithë kësaj maratone dialoguese, sepse çfarëdo tjetër, më pak se njohja, nuk e përmbush vizionin për një Evropë të plotë, të lirë, e të begatshme dhe në paqe me garanci afatgjate! Andaj, pas deklaratave të fundit për Kosovën, në të ashtuquajturin kuvend gjithëserb, në Beograd, është momenti vendimtar që përfundimisht të unifikohet edhe i gjithë spektri politik i Kosovës, të refuzohet publikisht formim i çfarëdo lloj "zajednice" serbe brenda territorit të Kosovës dhe të kundërshtohet me vendosmëri, çfarëdo formë e propozimit për marrëveshje finale me Serbinë, ku nuk figuron dhe nuk e sanksionohet në mënyrë onbligative, njohja reciproke në mes të dy vendeve. Në anën tjetër deklaratat e ambasadorit kontrovers amerikan në Beograd Kristofer Hill, për hapjen e dyerve për anëtarësim të Serbisë në BE, pa detyrimin që ajo, ta njoh pavarësinë e Kosovës, është një stimulim aq negativ, sa që dëmton vërtetë shumë rëndë pozitën e Kosovës, ndaj SHBA duhet të dalin me qëndrim të prerë, për njohjen reciproke, përndryshe Kosova nuk duhet dhe as që ka mundësi për të pranuar imponime tjera të paprecedent, me të cilat rrezikohet hapur e ardhmja dhe ekzistenca e shtetit të Kosovës.

Andaj dialogu mes Kosovës dhe Serbisë mund të përfundojë dhe marr kuptim, vetëm me njohje reciproke dhe asgjë më pak, formulim jetik ky, me të cilin medoemos duhet të plotësohet marrëveshjen e dakorduar me 27 shkurt të vitit 2023 në Bruksel dhe aneksi i saj me 18 mars të vitit 2023 në Ohër, si rruga e vetme për arritjen e marrëveshjes obligative, për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Përndryshe është shumë e habitshme se si dy ambasadorët të të njëjtit shtet si Amerika dhe me detyrë në të njëjtin rajon, si Hovenier në Prishtinë dhe Hill në Beograd, të vazhdojnë të mbjellin paqartësi me deklarata të ndryshme sa i takon arritjes së marrëveshjes ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe integrimit në BE.

Përderisa Hovenier në Prishtinë e tha qartë se kryefjala e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është njohja reciproke në mes të dy vendeve dhe hapja e perspektivës evropiane për integrim, homologu i tij në Beograd Hill, u shpreh se evropianët kërkojnë normalizim dhe jo njohje, ndaj Serbia nuk ka obligim ta njoh Kosovën, për integrim në BE, që në fakt nuk qëndron, ngase normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, është kusht i ankoruar për Serbinë, në procesin për integrim në BE. Unë mendoj se ata duan paqe e siguri në rajon, sigurisht edhe mes Kosovës e Serbisë, se ka anëtarë të Bashkimit Evropian që nuk e njohin Kosovën, kështu Madje është shumë e pakuptueshme se çfarë mendon Hill me shprehjen që çështja është të përpiqemi të arrijmë normalizimin ku ata kufij nuk do të jenë kufij që ndajnë, por kufij që bashkojnë dhe shpresoj që njerëzit ta kuptojnë se çfarë po themi në të vërtetë këtu për të ardhmen dhe si do të duket jeta e njerëzve?! Por për fat, sa i takon marrëveshjes me Kosovën dhe integrimit të Serbisë në BE, reagimi i BE-së ishte i menjëhershëm ku u theksua edhe një herë, se Serbia nuk mund të bëhet anëtare pa normalizimin e raporteve me Kosovën, pa zbatimin pikë për pikë të marrëveshjes së Ohrit ashtu sikur që është dakorduar. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano deklaroi se: “Marrëveshja e Ohrit e bën këtë shumë të qartë: Nëse nuk ka progres në normalizim, nuk do të ketë progres në negociatat e anëtarësimit. Qëndrimi i BE-së rreth kësaj nuk ka ndryshuar dhe mbetet i njëjti, siç është thënë në të kaluarën dhe siç është cekur në kriteret e anëtarësimit”. Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit, është e obligueshme për të dyja vendet andaj edhe perspektiva evropiane është në të njëjtit binarë, e vlefshme dhe plotësisht detyruese për Kosovën dhe Serbinë, që përfshinë edhe Nenin 4. andaj lobimi i Serbisë kundër Kosovës është shkelje e qartë e kësaj marrëveshje”, ka deklaruar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".