Ftesa e Prokurorisë Speciale ndaj Albin Kurtit, ka konotacion të pastër politik

Ftesa e Prokurorisë Speciale ndaj Albin Kurtit, ka konotacion të pastër politik
Ftesa e Prokurorisë Speciale ndaj Albin Kurtit, ka konotacion të pastër politik

Florim Zeqa

  • 14 December 2024 - 07:45

Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa

Pavarësisht nga shkaqet dhe motivet apo nga kush mund të jetë inicuar ftesa e Prokurorisë Speciale ndaj kryeministrit Albin Kurti, ajo ka konotacion të pastër politik dhe ndërlidhje me fushatën elektorale, e më së paku ose fare me drejtësinë!

-Vetë ftesa e Prokurorisë Speciale për kryeministrin Albin Kurti si dëshmitar i një rasti të dyshuar për shpërdorim të viteve më parë në ditën e dorëzimit të listave zgjedhore në KQZ, ka lidhje direkte me zgjedhjet e 9 shkurtit 2025!

Pra, ky nuk është thjesht një përkim kohor, por është shfrytëzim i momentumit kohor për të ndikuar në personalitetin e kryeministrit në detyrë, qoftë për të mirë apo për të keq!?

Duke qenë se ftesa lidhet me rastin e rezervave shtetërore, pavarësisht faktit se a është i përfshirë në këtë rast apo jo, ftesa ndaj kryeministrit Kurti si dëshmitar, nuk do duhej të ndodhte në këtë kohë të (para)fushatës zgjedhore!

Prokuroria Speciale sikurse që kanë pasur hapësirë të mjaftueshme për ta ftuar Kurtin shumë kohë më parë si dëshmitarë, është dashur të presin epilogun e procesit zgjedhor për t’i bërë ftesë për të dhënë dëshminë e tij lidhur me rastin në fjalë pas përfundimit të procesit zgjedhor.

Përderisa Prokuroria Speciale prej vitesh i mban në sirtarë aktakuzat për shpërdorime qindramilionëshe për ish pushtetarët, pse e gjithë kjo nguti në fushatë zgjedhore për pushtetarët në ikje?!

Ky hap i vonuar apo i parakohshëm i Prokurorisë Speciale do të ndikojë në perceptimin e opinionit publik në krijimin e imazhit rreth integritetit të institucioneve shtetërore dhe vetë kryeministrit në veçanti në prag të zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025.

Siq dihet Prokuroria Speciale ka dërguar një ftesë në adresë të kryeministrit Albin Kurti për t’u paraqitur në këtë institucion me datë 16 dhjetor 2024.

Ndonëse në dokumentin e Prokurorisë Speciale thuhet se bëhet fjalë për rastin PPSnr. 62/2023, i cili është numri i lëndës për rastin e rezervave shtetërore, përkatësisht i vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës i 19 gushtit 2023 kur merr vendim për caktimin e masës së paraburgimit për Irfan Lipovicën, Hafiz Garën dhe Ridvan Muharremin, tek tani në fund të mandatit politik dikujt i bie ndërmend të shkaktoj “tërmet” politik në prag të fushatës zgjedhore.

Këto lloje veprimesh në kohë të fushatës zgjedhore nuk i bëjnë nder askujt, e më së paku Prokuorisë Speciale dhe imazhit të institucioneve shtetërore në përgjithësi!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".