Ballack: U habita që Gjermania nuk e sharkoi Lowin

  • 11 October 2018 - 13:50
Ballack: U habita që Gjermania nuk e sharkoi Lowin

Ish-ylli i Chelseat dhe Gjermanisë, Michael Ballack, ka thënë se ishte habitur, si shumë njerëz të tjerë, që trajneri i Kombëtares së Gjermanisë, Joachim Low, nuk ishte shkarkuar nga pozita pas dështimit në turneun e Kupës së Botës.

Gjermania, e cila kishte qenë kampione në fuqi e botës deri këtë verë, nuk arriti ta përsërisë suksesin e njëjtë edhe në kampionatin që u mbajt këtë vit në Rusi. Këtë vit, Gjermania u eliminua qysh në fazën e grupeve, gjë që nuk kishte ndodhur që nga viti 1938, përcjell Gazeta Express.

Megjithatë, përkundër këtij dështimi, Federata e Futbollit të Gjermanisë vendosi që të mos e shkarkonte Lowin, vendim ky që e kishte habitur ish-kapitenin Ballackun.

“Si shumë njerëz të tjerë, edhe unë u habita që ai arriti ta mbajë pozitën e trajnerit. Ai ka punuar tash e një kohë të gjatë me këtë skuadër dhe nganjëherë duhet të thuash se gjërat nuk shkojnë edhe aq mirë kur qëndron një kohë të gjatë në një ekip të caktuar”, ka thënë Ballack, i cili ka bërë 98 paraqitje për Gjermaninë.

“Si një person jashtë skuadrës, shpresoja që Lowi do të kishte sukses për të mirën e Gjermanisë, sepse kur ke lojtarë të talentuar, nuk duhet të flasësh për gjëra të tjera dhe kjo gjë ndodhte para Kupës së Botës”.

“Kupa e Botës ishte shumë zhgënjyese dhe ekzistojnë arsyet për këtë gjë që ndodhi. Ato duhet të analizohen me të vërtetë dhe jo vetëm të thuhet: “Do ta analizojmë këtë”, kur veçse është marrë vendimi për ta mbajtur trajnerin. Kjo nuk është analizë e vërtetë”.

“Nuk duhet të jetë vetëm një person i cili i merr këto vendime. Duhet të ketë më shumë njerëz brenda Federatës Gjermane dhe duhet të ketë një strukturë më të mirë. Mendoj se kjo gjë mund të përmirësohet. Por, kjo nuk ka të bëjë me performancat në fushë. Kjo mund të jetë si arsyetim për lojtarët nganjëherë, por gjërat e tilla nuk duhet të lihen mënjanë”.