Përfundon telenovela e Libertadores, River Plate mbret i Amerikës Latine

  • 09 December 2018 - 23:43
Përfundon telenovela e Libertadores, River Plate mbret i Amerikës Latine

Ka përfunduar drama mes River Plate dhe Boca Juniors në kaudër të garës së Copa Libertadores.

River Plate tanimë është zyrtarisht kampion i Libertadores, pasi mposhti Bocan me rezultat 3-1 në ndeshjen e dytë të zhvilluar në “Santiago Bernabeu” me rezultat të përgjithshëm 5-3, pasi ndeshja e parë e zhvilluar në “Bombera” përfundoi 2-2.

Ndeshja e rregullt përfundoi 1-1, dhe pastaj skuadrat shkuan në vazhdime ku River Plate shënoi edhe dy gola të tjerë për ta marrë titullin.

Kjo ndeshje e kthimit për dallim nga finalet tjera u zhvillua në Madrid të Spanjës. Ajo ishte paraparë të luhej më 24 nëntor, por tifozët vendas të River Plates kishin sulmuar autobusin dhe lojtarët e Boca Juniorsit duke detyruar federatën të shtyjë ndeshjen e dytë, por edhe lokacionin.

Fillimisht Boca Juniors ishte skuadra që kaloi në epërsi, përmes golit të shënuar nga Dario Benedetto në minutën e 44-të. Ky gol kishte ardhur pas një kundërsulmi, pasi që vetëm disa sekonda më parë,  River Plate kishte qenë shumë afër shënimit të një goli.

Megjithatë, rezultati u barazua në minutën e 68-të, pasi që Lucas Pratto arriti ta shënojë golin e barazimit për River Plate. Pratto e shënoi golin nga afër portës, pas një pasimi shumë të mirë nga Ignacio Fernandez.

Pas përfundimit të kohës së rregullt, Juan Quintero shënoi një supergol për 2-1 në minutën e 109’ të lojës së vazhdimeve, kurse në minutën e fundit Gonzalo Martinez vulosi gjithçka për 3-1 në golin e zbrazët.

Ky është titulli i katërt i Copa Libertadores në histori të River Plate, ndërsa Boca Juniors ka fituar gjashtë herë këtë titull.

 

(Kosova Sot)