Motivim për sportistët

  • 10 December 2018 - 09:00
Motivim për sportistët

Vlerësimi në bazë të sukseseve në arenën ndërkombëtare  

Sportet, sportistët dhe trajnerët do të jenë të kategorizuar tash e tutje. Secili do të ketë pozitën e merituar dhe të ardhurat do të jenë në bazë të sukseseve që arrijnë. Kjo vlerësohet si shumë e rëndësishme për sportin kosovar.

Të premten, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka nënshkruar rregulloren për kategorizimin e sporteve dhe rregulloren për kategorizimin e sportistëve dhe trajnerëve. Këto dy dokumente normative përcaktojnë rregullat, kriteret dhe procedurat për kategorizimin e sporteve, sportistëve dhe trajnerëve në Republikën e Kosovës. Konkretisht, rregullorja për kategorizimin e sporteve përcakton mënyrën e kategorizimit të sporteve, ndarjen e sporteve në grupe, kriteret për kategorizim të sporteve dhe procedurat e ankimimit. Në bazë të kësaj rregulloreje sportet në Republikën e Kosovës ndahen në katër grupe, të ndara me shkronja "A" deri në "D", dhe në këto grupe përfshihen federatat në bazë të grumbullimit të pikëve. Grupi "A", ngërthen në vete federatat që kanë grumbulluar 70 pikë e më tepër, grupi "B", 50 - 69,99, pikë, në "C" hyjnë federatat që arrijnë të grumbullojnë 30 - 49,99 pikë ndërkaq grupi i fundit "D", i përfshin federatat të cilat kanë grumbulluar deri në 29,99 pikë. Gjithashtu, rregullorja i përcakton kriteret për kategorizimin e federatave. Federatat kombëtare të cilat organizojnë brenda vitit gara ndërkombëtare do të kenë bonus 10 pikë dhe 5 pikë nëse organizojnë ndonjë kampionat evropian ose botëror, ndërsa do të kenë bonus një pikë nëse organizojnë ndonjë garë rajonale (Kampionat Ballkanik). Federatat poentohen edhe në bazë të sukseseve në garat ndërkombëtare, nëse arrijnë të fitojnë medalje. Detajet janë të shpjeguara në rregullore. Ndërsa rregullorja për kategorizimin e sportistëve dhe trajnerëve e përcakton se këto kategori duhet të jenë pjesëtarë të federatave kombëtare të njohura nga Komiteti Olimpik i Kosovës dhe të licencuara në MKRS. Si kriter kryesor për kategorizimin e sportistëve dhe trajnerëve janë medaljet e fituara në Lojëra Olimpike dhe Paraolimpike, kampionate botërore, evropiane, mesdhetare e ballkanike. Rregullorja përcakton edhe kriteret për kategorizimin e sportistëve të rinj si dhe thirrjet e sportistëve dhe trajnerëve.

Tash me rregulla, kritere dhe procedura

Kategorizimi i sporteve, sportistëve dhe trajnerëve vlerësohet si shumë i rëndësishëm. Kështu e vlerëson edhe trajneri i volejbollit dhe gazetari shumëvjeçar i sportit vendor, Xhavit Kajtazi. "Nënshkrimi i rregullores për kategorizimin e sporteve dhe i rregullores për kategorizimin e sportistëve dhe të trajnerëve, që këtë fundjavë e bëri ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, janë edhe dy dokumente të radhës që ngadalë po e plotësojnë mozaikun e kodifikimit të sportit të Kosovës, që historikisht ka kaluar nëpër një rrugë ë rëndë e të vështirë, duke bërë jetë me rregulla e pa rregulla, me vendime e pa to, me kushte e pa kushte, por që asnjëherë më pozitive si në fillimshekullin 21, kur edhe sporti si pjesë e rëndësishme shoqërore, hap pas hapi, po përpiqet t'u japë fund të paditurve dhe t'u hap udhë njerëzve të fushës, që kanë prirje dhe aftësi për të ndërtuar dhe çuar përpara procese dhe projekte në hap me zhvillimet dhe të arriturat e sportit në rajon dhe në Botë. Tash do t'i kemi rregullat, kriteret dhe procedurat se si dhe n'ç'mënyrë duhet bërë kategorizimin e sporteve, të sportistëve dhe të trajnerëve, gjë që deri më tash kanë munguar dhe po vazhdojnë të mungojnë. Tash kemi sporte të ndara në katër grupe, të përcaktuara në bazë të pikëve që kanë grumbulluar federatat, pikëzimi i të cilave bëhet në bazë të sukseseve në garat ndërkombëtare", shprehet Xhavit Kajtazi për gazetën "Kosova Sot".

Bazë, suksesi nga rrafshi ndërkombëtar

Kategorizimi do të jetë në bazë të suksesit të arritur. "Edhe sa i përket kategorizimit të sportistëve dhe të trajnerëve, bazë do të jetë suksesi dhe medaljet e fituara në rrafshin ndërkombëtar. Gjithçka e qartë, e thënë saktë në letër, por do të ketë shumë punë për të sendërtuar gjithçka që është kodifikuar edhe për sa i përket kategorizimit të sportit, të sportistëve dhe të trajnerëve. Gjithçka që bëhet për të mirën e sportit dhe të sportistëve të Kosovës meriton përkrahje të plotë. Kjo që bëri Ministria e Sportit po ashtu duhet përgëzuar. Por, mbetet të shihet se me çfarë rezultatesh do të dalim sa herë që të bëjmë vlerësimet në këtë fushë shumë të rëndësishme", ka theksuar tutje Xhavit Kajtazi për gazetën "Kosova Sot".

 

(Kosova Sot)