Lukaku i arsyeton paraqitjet e dobëta: Shtova shumë peshë gjatë Kupës së Botës

  • 10 December 2018 - 13:15
Lukaku i arsyeton paraqitjet e dobëta: Shtova shumë peshë gjatë Kupës së Botës

Qendërsulmuesi belg i Manchester Unitedit, Romelu Lukaku, ka bërë të ditur se ai kishte shtuar shumë peshë gjatë rrugëtimit të Kombëtares së Belgjikës në Kupën e Botës, dhe për këtë arsye nuk kishte arritur ta fillonte sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme me “Djajtë e kuq”.

Lukaku i ndihmoi Belgjikës të arrinte deri në gjysmëfinalet e Kupës së Botës në Rusi, duke i shënuar katër gola. Mirëpo, ai nuk ka arritur të performojë në të njëjtën mënyrë për Manchester Unitedin këtë sezon, duke i shënuar vetëm gjashtë gola në gjithsej 15 paraqitje

25-vjeçari arriti ta shënojë golin e tij të parë në Old Trafford që nga maji i këtij vitit, gjatë fitores me rezultat 4-1 kundër Fulhamit dje. Goli i shënuar në ndeshjen paraprake, kundër Southamptonit, i dha fund ecurisë prej 12 ndeshjeve pa asnjë gol për klubin e tij.

“Unë shtova më tepër muskuj se që duhej gjatë Kupës së Botës. Unë thjesht po ndihesha mrekullueshëm dhe mendoj se luajta mjaft mirë atje [në Rusi], por kur u ktheva këtu, ishte një stil i ndryshëm i futbollit”, ka thënë Lukaku.

“Në Premierligë nuk mund të luaj me të njëjtën masë të muskujve si në futbollin kombëtar. Kur u ktheva, e kuptova menjëherë se nuk mund të luaj në këtë stil. Unë u detyrova të humbja peshë. Kështu që qëndrova larg fitnesit, duke pirë shumë ujë, duke ngrënë perime dhe peshk”.

“Unë kisha biseda të mira me trajnerin gjatë ditëve të fundit [para ndeshjes kundër Fulhamit], kur ai më tregoi se çfarë kërkon nga unë. Gjithashtu, unë e di se duhet të luaj më mirë, me më shumë intensitet. Por, kundër Fulhamit, mendoj se luajta me të njëjtin intensitet si të gjithë”.

“Unë thjesht u detyrova të luaja ndryshe, stërvitesha më shumë për t’i parandaluar lëndimet dhe stërvitesha për të vrapuar më shpejt”.

(Kosova Sot)