Prishtina e Feronikeli, rivalët që duan gjithçka në futbollin tonë

  • 12 December 2018 - 08:41
Prishtina e Feronikeli, rivalët që duan gjithçka në futbollin tonë

Pranvera pritet të jetë shumë e nxehtë dhe e ashpër

"Është e vërtetë që tashmë jemi ne dhe Prishtina dy skuadrat kryesore në garë për dy trofetë, pra titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës. Se a kemi forcë për të luftuar deri në fund për këto dy trofe, unë them se Feronikeli ka", ka thënë për gazetën "Kosova Sot" sulmuesi Astrit Fazliu

Organizimi i mirë dhe investimet e qëlluara në afatin kalimtar të verës kanë bërë që në futbollin kosovar fjalën kryesore ta kenë vetëm dy skuadra. Fjala është për Prishtinën e Feronikelin dhe bazuar në performancën e treguar në 17 ndeshjet e stinorit vjeshtor dhe 2 në Kupën e Kosovës, me plot të drejtë po cilësohen si rivalët e vetëm që në futbollin tonë synojnë gjithçka, pra titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës. Analistët kosovarë të futbollit tashmë e kanë ndarë mendjen dhe vlerësimin më të mirë ua japin "Niklit" e Prishtinës, derisa besojnë shumë se këto dy ekipe kanë edhe forcë edhe fond të mjaftueshëm të luftojnë deri në fund në të dyja taborët.

Feronikeli me ide të qarta

Ish-futbollisti i Prishtinës, Astrit Fazliu, i cili edicionin e kaluar e festoi titullin e kampionit me Dritën, po synon edhe sivjet ta fitojë këtë trofe por nën petkun e Feronikelit. Fazliu beson shumë në këtë sukses, derisa ai thotë se "Nikli" përveç titullit synim ka edhe Kupën e Kosovës."Është e vërtetë që tashmë jemi ne dhe Prishtina dy skuadrat kryesore në garë për dy trofetë, pra titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës. Se a kemi forcë për të luftuar deri në fund për këto dy trofe, unë them se Feronikeli ka. Kemi shumë lojtarë cilësorë dhe fond të pasur. Pra, edhe në fushë jemi shumë të fortë, por edhe bankinën e kemi të fortë. Me punën që jemi duke e bërë unë po shpresoj shumë se në fund t'i arrijmë këto dy trofe", ka thënë për gazetën "Kosova Sot" sulmuesi i Feronikelit, Astrit Fazliu, i cili e pranon se dëshira e tij më e madhe është ta fitojnë titullin sesa Kupën, pasi dëshiron të paraqitet në Champions. "Nëse më duhet të zgjedh në mes të këtyre 2 titujve, më me dëshirë do të përcaktohesha për titull të kampionit pasi dihet që kampioni luan edhe në Ligën e Kampionëve dhe kjo garë është shumë e dëshiruar për çdo futbollist", ka përfunduar Astrit Fazliu.

Prishtina hesht

Skuadra e Prishtinës këtë stinor ka shkëlqyer si me lojë ashtu edhe me rezultate. Futbollistët e drejtuar nga Mirel Josa arritën që stinorin vjeshtor ta mbyllin në pozitë e parë, derisa edhe në garat e Kupës patën sukses pasi u kualifikuan në çerekfinale. Megjithatë, ajo që bie në sy te kjo skuadër është "diktatura", që kanë sjellë te lojtarët. Drejtuesit e klubit duke dashur që të jenë vetëm ata që mund të flasin për skuadrën dhe ambiciet e saja ua kanë ndalur lojtarëve te flasin për medie."Me vjen shumë keq pasi nuk mund të përgjigjem. Drejtuesit e klubit na e kanë ndalur të flasim për media. Ne lojtarët nuk guxojmë të japim asnjë deklaratë për asnjë medium", i ka thënë gazetën "Kosova Sot" një prej futbollistëve të Prishtinës në kushte anonimiteti. Sido që të jetë pranvera pritet të jetë shumë e nxehtë. Feronikeli e Prishtina tash për tash janë të vetmet kandiate në luftë për titull, por sigurisht në pranverë do të hasin në shumë pengesa gjatë rrugës. Në anën tjetër edhe për Kupë, këto ekipe cilësohen si kandidatet potenciale. Të vetmet skuadra që mund t'ia rrezikojnë këtë trofe janë Drita e Trepça'89 dhe atë me kush që në dimër ato do të përforcohen, ndryshe nëse hynë me ekipet që kishin në vjeshtë, vështirë se mund të bëjnë diçka.

 

(Kosova Sot)