Pakënaqësia e klubeve

  • 12 December 2018 - 08:44
Pakënaqësia e klubeve

Seleksionimi nuk bëhet në mënyrë të drejtë  

Shumica e klubeve në Kosovë nuk kanë sponsor gjeneral dhe janë të detyruara të varen nga komunat përkatëse ku veprojnë. Por, klubet ankohen se ndihma nuk është e madhe, madje, shpeshherë ndahet edhe në mënyrë të padrejtë. Për këtë arsye, shumë klube janë të pakënaqura

Pasluftës kanë qenë të shumta bizneset që kanë ndihmuar klubet e Kosovës, madje, pa edhe asnjë përfitim të vetëm. Megjithatë, me kalimin e viteve, numri i bizneseve që kanë përkrahur sportin ka filluar të bie, për shkaqe të ndryshme. Klubet nuk kanë sponsor gjeneral për t'i mbuluar të gjitha shpenzimet që i kanë. Ato janë të detyruara të gjejnë forma të ndryshme për të mbijetuar. Njëra ndër to është edhe ndihma nga komunat që marrin. Por, klubet ankohen se kjo ndihmë është shumë e vogël në krahasim me shpenzimet që kanë brenda një viti, derisa shumë ankohen se shpërndarja e mjeteve brenda një komune të caktuar, ndodh në mënyrë të padrejtë. Kështu thonë klubet e volejbollit për Komunën e Prishtinës.

Ndarje pa kriter

Njëri nga trajnerët më të njohur të volejbollit në Kosovë është Naser Krasniqi. Ai thotë se ndarja duhet të bëhet në bazë të rezultateve të arritura dhe jo pa kriter. "Sa i përket mbështetjes së klubeve nga Drejtoritë e Sporteve pranë Kuvendeve Komunale, ose më saktësisht në Prishtinë, si kryeqytet, me numrin më të madh dhe me numrin më të madh të taksapaguesve, ndihmon klubet, por, jo në mënyrë të kënaqshme. Komuna subvencionin klubet sportive nga dy herë në vit, një herë në pranverë dhe një herë në vjeshtë, që është ndihmesë e madhe për klubet, sado simbolike, që është kjo shumë e ndarë. Sipas mendimit tim, duhet të bëhet një seleksionim të skuadrave të qytetit që kanë organizim më të mirë, e po ashtu edhe rezultate më të mira, e kjo ndarje e mjeteve të bëhet pa ndonjë kriter të caktuar", është shprehur Naser Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". Prishtina gjithashtu ka numrin më të madh të klubeve në Kosovë, ku shumë prej tyre janë të pakënaqura si ndahen mjetet. KV Prishtina Volley femrat, KV Prishtina Volley meshkujt dhe KV Prishtina femrat, janë tri klubet që janë të pakënaqura me ndarjen e mjeteve financiare nga komuna e Prishtinës. 

Mjetet e ndara në mënyrë të njëanshme

Gjithnjë sipas Krasniqit, ndarja e mjeteve është bërë në mënyrë të njëanshme. "Vërejtjen më të madhe në ndarjen e këtyre subvencioneve e kanë klubet e volejbollit, e veçanërisht, klubet si KV Prishtina Volley në të dyja konkurrencat, si dhe KV Prishtina në konkurrencën e femrave. Ndarja e këtyre mjeteve për klube është bërë në mënyrë të njëanshme, duke ndarë buxhetin e paraparë për klube, ku gati 50 % ka shkuar vetëm për basketbollin. Ka raste, ku nga ky buxhet i Komunës i është ndarë një shumë prej 9000 euro Federatës së Basketbollit të Kosovës, federatë që financohet edhe nga Ministria e Sporteve dhe raste të tilla të subvencioneve ka shumë. Pra, Komisioni që ka bërë planifikimin e këtyre mjeteve, ka favorizuar basketbollin, duke ju bërë padrejtë sporteve tjera kolektive, e sidomos klubeve të volejbollit. Prandaj është e nevojshme që komunat në këto komisione të kenë njerëz të pavarur nga politika dhe nga favorizimet ndaj disa sporteve. Mendimi im është që Komuna e Prishtinës të krijoj një fond shumë më të madh për të ndihmuar klubet e qytetit, duke u bazuar në rangun dhe rezultatet e këtyre klubeve", ka shtuar tutje Naser Krasniqi për gazetën "Kosova Sot".  

 

(Kosova Sot)