Më shumë rëndësi gjeneratave të reja!

  • 13 December 2018 - 08:49
Më shumë rëndësi gjeneratave të reja!

Kosova e mbushur me talente, kërkohet më shumë punë  

Kosova llogaritet si një tokë e talenteve. Lojtarët e talentuar nuk mungojnë në shumë sporte, por nevojiten kushte më të mira, si dhe punë më e madhe. Gjeneratave të reja duhet të kushtohet më shumë rëndësi dhe e ardhmja është e sigurt. Investimi në grupmoshat e reja është garanci për të ardhmen

S portistët shihen si ambasadorët më të mirë të një vendi. Përkundër shumë barrierave, sportistët e Kosovës kanë arritur suksese në garat ndërkombëtare, gjë që nuk e kanë bërë as politikanët. Suksese në vende që nuk e kanë njohur Kosovën, nuk i kanë njohur dokumentet dhe nuk kanë lejuar as imbolet shtetërore. Përkundër sukseseve, kanë munguar investimet, sidomos në gjeneratat e reja. Kosova shihet si një vend me shumë talente, megjithatë, nevojitet më shumë kushte dhe punë. Nëse investohet dhe punohet ashtu siç duhet, atëherë e ardhmja është e garantuar.

Më shumë investime dhe më shumë punë

Njëri nga ish-hendbollistët e njohur, Alban Dobroshi, thotë se duhet më shumë investime. Dobroshi, i cili është duke punuar me gjeneratat e reja në aspektin fizik, flet edhe për rëndësinë që kanë grupmoshat e reja."Sa i përket punës me gjenerata të reja, mendoj se këtë vit është pakëz më mirë se në vitet e kaluara. Mendoj se nuk i kushtojnë rëndësi, për faktin sepse institucionet komunale duhet t'i kushtojmë më shumë rëndësi dhe të investojnë në gjenerata të reja. Për shembull, lojtarët e rinj duhet të kenë më shumë hapësirë për të punuar më tepër dhe jo të presin një termin në ditë siç është në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, që është e ngarkuar tejmase. Hendbolli është sport jashtëzakonisht i vështirë, por edhe specifik. Në sportet tjera mund të luash kudo, derisa në hendboll është e kundërta dhe nevojiten kushte më speciale. Për këtë arsye, prindërit hezitojnë që fëmijët e tyre të merren me hendboll. Edhe pse mendoj se kemi shumë talente të hendbollit në Kosovë, por për të pasur suksese, dhe për të pritur rezultate, duhet të investohet më shumë dhe të punohet më shumë me gjenerata të reja. Kjo është e vetmja formë për të pasur sukses", ka thënë Alban Dobroshi për gazetën "Kosova Sot".

Baza nga shkolla fillore

Por, puna me gjenerata të reja, nuk duhet të jetë vetëm nëpër klube, sipas ish-hendbollistit të njohur. Ai thekson se puna duhet të fillojë që nga shkollat fillore."Duhet të ketë një plan-program afatgjatë nëpër shkollat fillore. Të bisedohet me profesorët e edukatës fizike, mandej të punohet në mënyrë sistematike me këta fëmijë. Unë besoj se kemi rini shumë të mirë, dhe premton shumë për të ardhmen. Por, duhet të punojnë profesionistët dhe t'u gjenden afër. Duhet të merren edhe trajnerë të huaj dhe të gjithë të punojnë për të ardhmen, sepse gjeneratat e reja janë baza për një të ardhme më të ndritur dhe më të suksesshme në arenën ndërkombëtare. Mendoj se kemi shumë talente, vetëm duhet më shumë punë", është shprehur Alban Dobroshi për gazetën "Kosova Sot". Gjeneratat e reja në sporte kolektive kanë pasur vështirësi në arenën ndërkombëtare, e gjithë kjo për shkak se në klubet sportive në Kosovë, nuk u kushtohet shumë rëndësi lojtarëve të rinj, duke u fokusuar gjithnjë në ekipin e parë, dhe të gjitha investimet të fokusohen në skuadrën e parë.

 

(Kosova Sot)