Legjenda e Arsenalit: Dembele më i mirë se Neymari

  • 13 December 2018 - 10:41
Legjenda e Arsenalit: Dembele më i mirë se Neymari

Ish-ylli i Kombëtares së Francës dhe Arsenalit, Robert Pires, mendon se Barcelona do të bënte gabim nëse do ta shiste sulmuesin anësor, Ousmane Dembele, për ta kthyer në klub Neymarin nga Paris Saint-Germaini.

Barcelona e transferoi Dembelen si zëvendësues për Neymarin, i cili u transferuar verën e vitit të kaluar për 222 milionë euro në PSG. Dembele dhe Coutinho, të cilët erdhën në Barcelonë pas largimit të brazilianit, janë dy lojtarët më të shtrenjtë të klubit.

Lëndimet patën një ndikim të madh në sezonin e parë të Dembeles, ndërsa këtë sezon paraqitjet e tij janë dëmtuar nga kritikat për sjelljen e tij, veçanërisht për vonesat në seancat stërvitore.

Neymar ka qenë i lidhur gjatë kohëve të fundit me një kthim në Camp Nou dhe kjo ka shkaktuar spekulime edhe për të ardhmen e Dembeles, por Pires është i bindur se Barcelona gabon nëse e largon bashkëkombësin e tij nga skuadra.

“Unë e dua shumë Dembelen. Gjithmonë flasim për Messin, por ky djalosh është shumë i mirë. Ai është i ri, por ai bën gjëra që i bëjnë të gjithë fëmijët. Ai duhet të disiplinohet, por është ende i ri dhe aftësitë dhe talentin e tij, ai mund t’i ndihmojë Barcelonës ta fitojë Ligën e Kampionëve dhe La Ligës”, ka thënë Pires.

“Nëse do të duhej ta zgjedhja, nuk do ta ndërroja Dembelen për Neymarin. Ousmane është 21-vjeçar, luan si me këmbën e djathtë, ashtu edhe këmbën e majtë, si dhe është shumë i talentuar me topin”. 

(Kosova Sot)