Bayern Munich e mposht bindshëm Hannoverin

  • 15 December 2018 - 17:36
Bayern Munich e mposht bindshëm Hannoverin

Bayern Munich e ka mundur bindshëm 4-0 Hannoverin në udhëtim, në një ndeshje të Bundesligës ku shkëlqyen dy mbrojtësit të krahut me gola të bukur të shtunën në “HDI-Arena”.

Skuadra e Niko Kovacit, që po vinte nga një fitore e vështirë ndaj Werder Bremenit një javë më parë pas një ecurie tejet negative, e vazhdoi këndelljen në ligën elitare gjermane duke e dërrmuar Hannoverin.

Me këtë fitore, kampioni në fuqi i është afruar në vetëm gjashtë pikë liderit dhe rivalit, Borussia Dortmundit, i cili, megjithatë ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

Në një ndeshje të destinuar për të shkëlqyer mbrojtësit, Joachim Kimmich theu akullin për bavarezët qysh në minutën e dytë, duke realizuar me një goditje të fuqishme nga rreth 20 metra largësi.

Pas gjysmë ore lojë, mbrojtësi tjetër, ai i majtë, David Alaba bombardoi portën e Esserit me një goditje raketë nga rreth 22 metra largësi.

Bayerni shkoi në pushimin mes pjesëve me dy gola epërsi, teksa i kishte rezervuar edhe dy tjera për pjesën e dytë të takimit.

Serge Gnabry me një solo depërtim në zonë, shënoi për ta trefishuar epërsinë e mysafirëve në minutën e 53-të.

E kur akrepat shënon vetëm pak më shumë se një orë lojë, Robert Lewandowski shënoi me kokë nga afërsia duke e vulosur fitoren e Bayernit.

Bayern tani ka 30 pikë në vendin e tretë, aq sa ka edhe Monchengladbach në vendin e dytë, dhe gjashtë më pak se lideri Dortmundi, i cili ka një ndeshje më pak të zhvilluar. 

 

(Kosova Sot)