Juventusi e ruan ecurinë e përkryer në ligë pas fitores minimale ndaj Torinos

  • 15 December 2018 - 22:49
Juventusi e ruan ecurinë e përkryer në ligë pas fitores minimale ndaj Torinos

Juventusi e ka regjistruar fitoren e shtatë radhazi duke e ruajtur ecurinë e përkryer pa humbje në Serie A, pas fitores minimale ndaj Torinos në derbin e qytetit, falë golit të Cristiano Ronaldos nga penalltia të shtunën në “Stadio Olimpico” të Torinos.

Para këtij takimi, skuadra e Massimiliano Allegrit pësoi humbje befasuese nga Young Boys në Ligën e Kampionëve pasi veçse e kishte siguruar kalimin në fazën tjetër të garës, dhe pritej të rikthehej fuqishëm në derbin ndaj Torinos.

Pikërisht edhe ashtu ndodhi, Juve e mundi Torinon 1-0, ashtu siç ka bërë në shumicën e takimeve të fundit mes tyre në ligë, dhe e çoi në 11 pikë epërsinë ndaj ndjekësit të parë në tabelë, Napolit.

Në një ballafaqim mjaft të vështirë, “Zonjës së vjetër” iu desh penalltia për ta arritur fitoren.

Njëzet minuta para fundit, portieri Ichazo bëri një gabim trashanik duke shkaktuar ndërhyrje të palejueshme në Mario Mandzukicin pas një topi të kthyer nga Simeone Zaza.

Ronaldo, që shfaqi formë të dobët në këtë takim, pati fat në goditjen e tij nga pika e bardhë, pasi Ichzo e lexoi dhe e pati në dorë topin, por nuk bëri mjaft për ta mbajtur jashtë rrjetës së portës së tij. 
Kjo ishte fitorja e 15 nga 16 ndeshje për Juventusin, një ecuri e përkryer. Ndeshja e vetme ku kampioni në fuqi lëshoi pikë ishte ajo ndaj Genoas shumë javë më parë.

Juve tani grumbullon plot 46 pikë në krye të renditjes, duke lënë prapa Napolin me 35 dhe Interin me 32.

Torino renditet e gjashta me 22 pikë.

 

(Kosova Sot)