Këto janë 5 sfidat e radhës të Leo Messit

  • 16 January 2019 - 15:51
Këto janë 5 sfidat e radhës të Leo Messit

Edhe pse tashmë është pronar i rekordeve të panumërta dhe me 400 gola të shënuara vetëm në La Liga, Leo Messi vazhdon t’i caktojë vetes sfida të reja për t’u bërë edhe më madhështor seç është.

1 – Ta arrijë shifrën e 600 golave me Barçën

Pasi i ka shënuar 400 gola në 435 ndeshje në ligë, Messi është shumë pranë ta arrijë shifrën e 600 golave për klubin katalonas në të gjitha garat. Në 659 ndeshje zyrtare deri tani, Leo i ka shënuar 575 gola. Pra, ai i ka katër muaj e një javë të këtij sezoni për ta arritur 600-shin, shifër jashtëtokësore. Cesar Rodriguez është në vendin e dytë me 232 gola. Messi, thjesht brutal!

2 – Të bëhet njëshi i çfarëdo lige

Duke i dhënë jehonë 400 golave të Messit, UEFA e ka publikuar një renditje me lojtarët të cilët kanë shënuar më së shumti gola në ligën e njëjtë në Ligat Elitare Evropiane. Ceku Josef Bican i kishte shënuar 500 gola në ligën elitare të Çekosllovakisë nga vitet 1937-1955. Jimmy McGrory realizoi 410 gola në ligën e Skocisë mes viteve 1922-1938 dhe Stepjan Bobek i arriti 403 gola mes viteve 1945-1958 në Jugosllavi, transmeton Gazeta Express.

3 – Ta ripushtojë Ligën e Kampionëve

Messi tashmë e ka bërë të qartë se do ta bëjë të pamundurën që ta rikthejë në “Camp Nou” trofeun më të bukur dhe më të kërkuar. Pas tri vitesh dështimi në çerekfinale të kësaj gare, Messi mund të bëhet lojtari i parë i Barcës që i fiton pesë tituj të Ligës së Kampionëve. Momentalisht ai ka katër, sa Xavi dhe Iniesta. Pique ka katër po ashtu, por një me Manchester Unitedin.

4 – Ta fitojë Kupën e Amerikës

Në Argjentinë thonë se Leo Messi do të rikthehet për ta veshur fanellën e ekipit kombëtar më 25 mars në një ndeshje miqësore ndaj Venezules në “Wanda Metropolitano” në Madrid. Kupa e Amerikës mbahet në Brazil nga 14 qershori deri më 7 gusht. Messi do të synojë të pushtojë diçka të madhe që ende i mungon me ekipin kombëtar.

5 – Ta fitojë Topin e Artë për herë të pestë

Për shkak të eliminimit të hershëm nga Liga e Kampionëve, gjeniu argjentinas nuk ka qenë në gjendje ta fitojë Topin e Artë në tri vitet e fundit. Të pestin dhe të fundit e fitoi më 2015, pak muaj pasi e fitoi Championsin në Berlin kundër Juventusit. Cristiano Ronaldo e barazoi Leon me këtë çmim në vitin 2017. Më 2018 e fitoi Luka Modrici. Në një vit pa Kupën e Botës, Liga e Kampionëve do të jetë vendimtare. 

(Kosova Sot)