Bayerni nuk do të mundë t’ia rrëmbejë më lojtarët Dortmundit

  • 16 January 2019 - 15:58
Bayerni nuk do të mundë t’ia rrëmbejë më lojtarët Dortmundit

Bayern Munichu nuk mund të mbështetet më te Dortmundi për ta përforcuar skuadrën e vet, pasi që drejtuesit e Dortmundit kanë marrë vendim të mos ia shesin më asnjë lojtar kampionit gjerman, në mënyrë që të ketë më shumë konkurrencë në Bundesligë.

Gjatë viteve të fundit, kampioni në fuqi i Bundesligës, Bayern Munichu, i ka transferuar të gjithë lojtarët më të talentuar nga klubet e tjera në ligën e Gjermanisë, duke e ulur konkurrencën në këtë ligë.

Nga lojtarë si Leon Goretzka, Manuel Neuer dhe Niklas Sule te lojtarët e sapotransferuar, si Benjamin Pavard, Bayern Munichu ka tentuar ta eliminojë konkurrencën e klubeve të tjera në Gjermani. Por, ekipi që ka pësuar më së shumti nga kjo taktikë ka qenë Dortmundi.

Robert Lewandowski ishte ndoshta largimi me më së shumti ndikim, pasi që ai shkoi në Bayern si transferim i lirë në vitin 2014. Pastaj u transferuan edhe Mario Gotze dhe Matts Hummels. Mirëpo, e përditshmja gjermane, BILD, raporton se gjërat do të ndryshojnë.

Për ta sfiduar Bayernin vazhdimisht për titullin e Bundesligës, drejtuesit e Dortmundit kanë vendosur që të mos ia shesin më Bayernit yjet e skuadrës. Shitja e Christian Pulisicit në Chelsea erdhi si pasojë e këtij vendimi.

Dortmundi e kryeson tabelën e Bundesligës, me gjashtë pikë më shumë se Bayerni, që pozicionohet në vendin e dytë. Nëse Dortmundi arrin ta mbajë vendin e parë deri në fund të sezonit, atëherë ky do të ishte titulli i parë për ta që nga viti 2012. 

(Kosova Sot)