Real Madridi thyen edhe një tjetër rekord negativ

  • 17 January 2019 - 09:22
Real Madridi thyen edhe një tjetër rekord negativ

Rezultatet e Real Madridit gjatë këtij sezoni nuk janë aspak të përpjesëtim me madhësinë e klubit. “Los Blancos” i kanë humbur dhjetë ndeshje deri në këtë pikë të sezonit, rekordi ky më i keq i klubit që nga viti 1998/99, kur në pozitën e trajnerit ishte Guus Hiddink.

Djelmoshat e Santiago Solarit pësuan humbje me rezultat 1:0 mbrëmë kundër Leganes. Ndeshja ishte e vlefshme për Copa del Rey, por pasi që madrilenët e kishin fituar ndeshjen e parë me rezultat 3:0, ata e siguruan kualifikimin në çerekfinale,.

Real Madridi i ka zhvilluar gjithsej 32 ndeshje këtë sezon dhe dhjetë prej tyre kanë qenë disfata. Kjo gjë është e papranueshme jo vetëm për bordin drejtues të klubit madrilen, mirëpo edhe për tifozët.

Pakënaqësinë e tyre me situatën e klubit, tifozët e Real Madridit e kanë shprehur përmes numrit të vogël të të pranishmëve në stadium. Në ndeshjen kundër Real Sociadadit, që “Los Blancos” e humbën me rezultat 2-0, 30 mijë ulëse në Santiago Bernabeu ishin të zbrazëta.

Tifozët janë të pakënaqur jo vetëm pasi që klubi i tyre i ka humbur plot dhjetë ndeshje këtë sezon, mirëpo edhe pasi që deri më tani skuadra e Solarit nuk ka arritur të shënojë asnjë gol në plot tetë ndeshje.

Vetëm Huesca ka pranuar më shumë gola, 44, sesa Real Madridi në të gjitha ndeshjet e zhvilluara gjatë këtij sezoni. “Los Blancos” i kanë pranuar 37, po aq sa Levante dhe Rayo Vallecano.

Real Madridi e kishte përfunduar sezonin e kaluar me 62 ndeshje të zhvilluara, prej atyre 39 ishin fitore, 14 barazime dhe nëntë humbje. 

(Kosova Sot)