Fabregas: Ndihem më shumë anglez sesa spanjoll

  • 17 January 2019 - 11:37
Fabregas: Ndihem më shumë anglez sesa spanjoll

Mesfushori i ri i Monacos, Cesc Fabregas, e bëri prezantimin zyrtar te klubi francez të mërkurën dhe ai e bëri të qartë se ky ishte momenti i duhur për t’u largua nga Premierliga. Ai kishte luajtur dhe jetuar në Angli për një kohë aq të gjatë, saqë ka thënë se nganjëherë ndihet më shumë anglez sesa spanjoll.

Spanjolli e kompletoi transferimin e tij nga Chelsea të premten e javës së kaluar e madje edhe luajti kundër Marseille të shtunën. Nga ndeshja e tij e parë nën drejtimin e Thierry Henrys, ai arriti ta marrë vetëm një pikë, pasi ndeshja përfundoi me rezultat 1-1.

“Mendoj se kishte ardhur koha për t’u larguar nga Premierliga pas 501 ndeshjeve në Angli. Ka qenë shumë e vështirë, pasi që gjatë 13 vjetëve aty fitova shumë trofe dhe e kisha përkrahjen e shumë tifozëve”, ka thënë Fabregas.

“Nganjëherë ndihem më shumë anglez sesa spanjoll”.

Henry është duke tentuar të sjellë më shumë lojtarë cilësor dhe me përvojë më të gjatë në futboll në skuadrën e Monacos, e cila është e mbushur me lojtarë të rinj. Fabregasi ka thënë se ai është i emocionuar për sfidën që ka para vetes.

“Ligue 1 është njëra ndër ligat më të mirë në Evropë. Në fund të fundit, futbolli është i ngjashëm në të gjitha pjesët”, është shprehur spanjolli.

Monaco është në pozitën e 19-të në tabelën e Ligue 1, pas 20 ndeshjeve të zhvilluara këtë sezon. Ata kanë vetëm një pikë më shumë se klubi në vendin e fundit, Guingamp, dhe janë vetëm dy pikë larg klubit në vendin e 18-të, Dijon. 

(Kosova Sot)