Mbrojtësi i Realit: Isco është ndër lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës

  • 17 January 2019 - 12:46
Mbrojtësi i Realit: Isco është ndër lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës

Mbrojtësi spanjoll i Real Madridit, Nacho Fernandez, është i bindur se bashkëlojtari i tij, Isco, është ende njëri ndër lojtarët më të rëndësishëm për klubin dhe trajnerin Santiago Solarin, përkundër që nuk ka luajtur në shumicën e ndeshjeve të këtij sezoni.

E ardhmja e Iscos në Madrid mbetet e paqartë, pasi që trajneri Santiago Solari nuk i beson atij mjaftueshëm për ta lënë titullar. Për shkak numrit të vogël të minutave që Isco po i luan me Real Madridin, kanë filluar spekulimet se ai mund të transferohet në Manchester City.

Që kur Solari u emërua në pozitën e trajnerit, Isco është lënë jashtë edhe bankës rezervë në plot gjashtë ndeshje, nga gjithsej 18. Ndërsa ka qenë titullar në vetëm tri prej tyre.

26-vjeçari i ka bërë vetëm pesë paraqitje si titullar në La Liga këtë sezon, mirëpo ishte pjesë e formacionit të parë në ndeshjen e mbrëmshme kundër Leganes, të cilën madrilenët e humbën me rezultat 1:0. Përkundër disfatës, djelmoshat e Solarit u kualifikuan në çerekfinale të Kupës së Mbretit, pasi që ndeshjen e parë e kishin fituar me rezultat 3:0.

“Isco është i rëndësishëm për ekipin. Ai është njëri ndër lojtarët më të rëndësishëm për skuadrën dhe duhet vetëm të vazhdojë të punojë në të njëjtën mënyrë”, ka thënë Nacho në një intervistë për BeIN Sports.

“Trajneri është me të dhe ai duhet vetëm dëshmojë veten kur është në fushën e lojës”.

(Kosova Sot)