NBA: Curry dhe Durant shkëlqejnë për Warriors, Rockets mposhtet përkundër 58 pikëve të Harden

  • 17 January 2019 - 12:54
NBA: Curry dhe Durant shkëlqejnë për Warriors, Rockets mposhtet përkundër 58 pikëve të Harden

Golden State Warriors duket se kanë gjetur ritmin e duhur, duke mposhtur çdo kundërshtar që u del përpara. Kështu radhën për t’u dorëzuar para kampionëve në fuqi e kishin New Orleans Pelicans, që pavarësisht se mbajtën një ritëm të lartë, u mposhtën në fund 147-140. Më i miri mbi parketin e “Oracle Arena” ishte i zakonshmi Stephen Curry, me plot 41 pikë, por vendimtar rezultoi edhe Kevin Durant me “double-double”: 30 pikë e 15 “rebound”. Për Pelicans bëri maksimumin Anthony Davies me 30 pikë dhe 18 “rebound”, që sigurisht nuk mjaftuan për të shmangur humbjen.

E pabesueshme sesi 58 pikët dhe 10 “rebound” të James Harden nuk u mjaftuan Houston Rockets përballë Brooklyn Nets, me skuadrën njujorkeze që triumfoi 142-145 pas kohës shtesë. Protagonist në radhët e Nets rezultoi Spencer Dinwiddie, me 33 pikë e 10 asiste, ku përfshihet edhe trepikëshi i realizuar në shtesë, që përcaktoi edhe fituesin.

Fitore e bukur e Boston Celtics 117-108 përballë Toronto Raptors në të ashtuquajturën “big match”. Skuadra e Brad Stevens e siguroi suksesin falë një periode të dytë të jashtëzakonshme, ku shënoi një rezultat të pjesshëm 34-17. Kyrie Irving e mbylli takimin me 27 pikë e 18 asiste, por por kaq rëndësi kishin edhe 24 pikët e Al Horford. Për Raptors nuk mjaftuan 33 pikët e Kawhi Leonard dhe 22 të Serge Ibakas.

Humbja e Raptors u dha mundësi Milwaukee Bucks të merrnin kreun e Konferencës së Lindjes falë suksesit 111-101 ndaj Memphis Grizzlies. Për fitoren e Bucks mendoi i zakonshmi Giannis Antetokounmpo, që bëri diferencën mbi parket me 27 pikë dhe 11 “rebound”.

Në takimet e tjera San Antonio Spurs fituan 105-101 me Dallas Mavericks, ndërsa Los Angeles Clippers pësuan humbjen e katërt radhazi, 129-109 ndaj Utah Jazz. U desh koha shtesë për të përcaktuar fituesin mes Detroit Pistons dhe Orlando Magic, me vendasit që triumfuan në fund 120-115 falë 30 pikëve të Blake Griffin. Ndërsa Damian Lillard me 33 pikë, udhëhoqi Portland Trail Blazers drejt suksesit 129-112 kundër Cleveland Cavaliers. 

Rezultatet:

Detroit Pistons – Orlando Magic 120-115 d.t.s
Boston Celtics – Toronto Raptors 117-108
Houston Rockets – Brooklyn Nets 142-145 d.t.s
Memphis Grizzlies – Milwaukee Bucks 101-111
Dallas Mavericks – San Antonio Spurs 101-105
Portland Trail Blazers – Cleveland Cavaliers 129-112
Los Angeles Clippers – Utah Jazz 109-129
Golden State Warriors – New Orleans Pelicans 147-140

(Kosova Sot)