Ujkani me fjalë të mëdha për Zhegrovën, ia sugjeron Milanit

  • 17 January 2019 - 13:26
Ujkani me fjalë të mëdha për Zhegrovën, ia sugjeron Milanit

Portieri kosovar ka dhënë garanci për super-talentin kosovar, të cilin po e kërkojnë “Rossoneri” dhe Barcelona.

Samir Ujkani i ka dalë në krahë Edon Zhegrovës.

Talenti kosovar po kërkohet nga Barcelona dhe Milani, siç po raportojnë mediat e huaja.

Ndërsa, portieri kosovar është pyetur për shokun e tij të skuadrës tek Përfaqësuesja e Kosovës dhe ia ka sugjeruar atë gjigantit italian.

Ujkani është i bindur se nën urdhrat e Gennaro Gattusos, Zhegrova do të piqet si lojtar dhe person dhe se mund të bëhet lojtar i madh.

“Do t’ua propozoja pa asnjë dyshim. Është i ri, ka kualitete të jashtëzakonshme, të cilat i kam parë vetëm tek Dybala. Shpresoj që Milani ta gjejë një marrëveshje me të. Në fushë gjithmonë është një djalosh i ri, por me Gatusson do të bëhej një burrë i vërtetë, është trajneri që do t’i nevojitej. Është me të vërtetë një Messi i ri, siç edhe kanë filluar ta nisin”, ka thënë Ujkani për “tuttomercatoweb.com”.

Zhegrova, i kontakuar nga “Expressi” të mërkurën ka thënë se do të ishte i lumtur nëse do të transferohej në njërin nga dy gjigantët evropiane. 

(Kosova Sot)