Rooney tregon se kush duhet të jetë trajneri i ri i Man Unitedit

  • 19 January 2019 - 10:49
Rooney tregon se kush duhet të jetë trajneri i ri i Man Unitedit

Ish-sulmuesi legjendar i Manchester Unitedit, tani në DC United, Wayne Rooney, beson se trajneri i ardhshëm i ish-klubit të tij duhet të jetë trajneri i Tottenhamit, Mauricio Pochettino, edhe pse mendon se Ole Gunnar Solskjaer e meriton mundësinë për ta dëshmuar veten.

Jose Mourinho u shkarkua nga pozita e trajnerit të Manchester Unitedit më 18 dhjetor të vitit të kaluar për shkak të rezultateve dhe paraqitjeve të dobëta të skuadrës së tij deri atëherë

Në vend të tij, vetëm 24 orë më vonë, u emërua ish-sulmuesi legjendar i klubit, Solskjaer, i cili do të jetë trajnerit i skuadrës angleze deri në fund të këtij sezoni, kur do të kthehet te klubi të cilin e drejtonte më herët, Molde nga Norvegjia.

Përderisa me Mourinhon dukej se sezoni kishte marrë fund për Manchester Unitedit, tani djelmoshat e Solskjaer kanë marrë më shumë vetëbesim për shkak se që nga emërimi i trajnerit të ri, ata i kanë fituar të gjitha ndeshjet e zhvilluara, gjithsej gjashtë.

Megjithatë, trajneri norvegjez e ka bërë të qartë se ai është në këtë pozitë vetëm deri në fund të këtij sezoni, pasi që drejtuesit e Manchester Unitedit janë në kërkim të një trajneri me më përvojë. Emri më i përfolur për t’u emëruar në këtë pozitë është Pochettino.

“Pikë së pari, duhet t’ia japësh Oles një mundësi dhe ky është një bisedë që ai duhet ta bëjë me pronarët e klubit, Glazers. Por, nëse unë do e kisha mundësinë ta emërojë dikë tjetër në këtë pozitë, do ta emërojë Pochettinon”, ka thënë Rooney.

“Mendoj se Manchester Unitedit, veçanërisht gjatë vjetëve të fundit me Sir Alex Fergusonin, e ka bazuar lojën e vet te lojtarët e rinj, duke i nxjerrë ata nga akademia. Mendoj se Pochettino e nxjerr më të mirën nga lojtarët e tij, qofshin ata të rinj apo të vjetër”.

(Kosova Sot)