Pochettino: Taktikat për ndeshjen e radhës, të frymëzuara nga Messi

  • 19 January 2019 - 11:47
Pochettino: Taktikat për ndeshjen e radhës, të frymëzuara nga Messi

Trajneri i Tottenhamit, Mauricio Pochettino, do ta ketë të vështirë ta zgjedhë 11-ën startuese për ndeshjen e së dielës kundër Fulhamit, mirëpo ka bërë të ditur se ai mund ta përdorë Dele Allin në pozitën e nëntëshit të rremë, ashtu siç luan Lionel Messi.

Qendërsulmuesi anglez, Harry Kane, do të mungojë rreth një muaj për shkak të një lëndimi të kyçit të këmbës dhe Heung-Min Son është për momentin me ekipin kombëtar në Kupën e Azisë

Këto lëndime bëjnë që Fernando Llorente të mbetet sulmuesi i vetëm në skuadrën e Tottenhamit, pasi që klubit londinez nuk iu lejua kthimi i Vincent Janssen, i cili ishte huazuar për këtë sezon.

Megjithatë, Pochettino ka zbuluar se ai mund të ketë plane të tjera për opsionet në fazën e sulmuesit dhe është inspiruar nga Lionel Messi, gjatë ndeshjes së Barcelonës kundër Levantes.

“Dje isha duke e shikuar Barcelonën dhe në pozitën e sulmuesit luante Leo Messi. Unë mund të luajë me Llorente, me Dele Allin, me Eric Lamela, e madje edhe me Kazaiah Sterlingun dhe Troy Parrottin. Nuk e di”, ka thënë Pochettino.

“E kam kuptuar se mund të luash me shumë, shumë lojtarë të ndryshëm. Nuk duhet të jetë patjetër një sulmues specifik për pozitën e qendërsulmuesit. Chelsea luan me Eden Hazardin, kur Olivier Giroud është në stol dhe Alvaro Morata jashtë skuadrës”.

“Ne jemi të çmendur. Nganjëherë ne, trajnerët, vendosim t’i bëjmë disa gjëra më ndryshe, apo jo?”.

(Kosova Sot)