Zbulohet busti i Johan Cruyff në stadiumin e Ajaxit

  • 19 January 2019 - 13:54
Zbulohet busti i Johan Cruyff në stadiumin e Ajaxit

Johan Cruyff është ende i pranishëm në memorien e tifozëve të futbollit të bukur në mbarë globin, patjetër "jeton" edhe në zemrat e dashamirësve e drejtuesve të Ajax.

Këtë të premte u përurua edhe busti i ish-futbollistit legjendar holandez, edhe trajner i kësaj skuadre, në stadiumin e klubit, që ka marrë emrin “Johan Cruyff Arena”, pas vdekjes së tij.

Busti i punuar nga Guido Sprenlekls është vendosur në hyrje të stadiumit, në një metër lartësi. Pranë tij është instaluar edhe një afresk i madh me fotot bardhë e zi të Cruyff, gjithashtu edhe numri mitik 14, i theksuar me detaje neoni.

Skulptura u zbulua nga Wim Suurbier, ish-shok grupi i Johan Cruyff tek Ajax dhe kombëtarja holandeze. Ai tha: "Johan meriton më shumë nderime se ka marrë deri më tani. Ai nuk ishte vetëm një nga lojtarët më të mirë në botë, por edhe një person shumë i veçantë. Në qoftë se shihni se si ka punuar me fondacionin e tij për fëmijët, gjithçka është unike". 

Cruyff ndërroi jetë më 24 mars të vitit 2016 në moshën 68-vjeçare, holandezi po ashtu njihet edhe për kohën e tij në Barcelonë, si lojtar e trajner. 

(Kosova Sot)