Skitaret kosovare vazhdojnë përgatitjet për Festivalin Olimpik

  • 19 January 2019 - 16:15
Skitaret kosovare vazhdojnë përgatitjet për Festivalin Olimpik

Skitaret e Ekipit Olimpik të Kosovës, Elba Kokaj dhe Klea Vrella, po përgatiten në qendrën skitare në Brod të Dragashit, para pjesëmarrjes në Festivalin Olimpik Evropian Dimëror (EYOF), që mbahet prej 9-16 shkurt 2019 në Sarajevë dhe Sarajevën Lindore të Bosnjë e Hercegovinës.

Kokaj (17-vjeçare)  dhe Vrella (16) do të garojnë në disiplinat sllallom dhe sllallom i madh.

Përgatitjet skitareve u janë mundësuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës, sikurse përgatitjet jashtë vendit të mbajtura javë më parë në Erzurum të Turqisë.

“Jemi të vendosur në Brod prej dy ditësh dhe do të qëndrojmë edhe javën e ardhshme. Kushtet janë të mira dhe përgatitjet janë të mirëseardhura për përfaqësim sa më të mirë në EYOF”, deklaroi trajneri Feim Kollçaku për “noc-kosovo.org”. Me skitaret në Brod ndodhet edhe trajneri tjetër, Egzon Agani.

Kosova është në mesin e 48 shteteve të Evropës që do të marrë pjesë në EYOF Sarajeva & Sarajeva Lindore 2019.  Për herë të parë në EYOF-in dimëror, KOK-u u paraqit në Erzurum 2017.

 

(Kosova Sot)