Rashica: Po e kuptoj trajnerin seç herë e më mirë

  • 20 January 2019 - 12:03
Rashica: Po e kuptoj trajnerin seç herë e më mirë

Milot Rashica ia fitoi ndeshjen Werder Bremenit kundër Hannoverit. Goli i tij nuk ishte spektakolar por tejet i rëndësishëm. Për Werderin dhe për vetë anësorin kosovar.

Në një intervistë pas ndeshjes, ylli i Kosovës shpjegoi sesi i ka tejkaluar vuajtjet pas formës jo të mirë në fillimin e tij në Bundesligë.

“Nganjëherë shënon nga 30 metra largësi, e nganjëherë del huq nga dhjetë metra afërsi. Unë thjesht tentoj t’i harroj ato raste [të humbura] dhe të përqendrohem në detyrat e ardhshme”, tha Rashica pas ndeshjes.

Me paraqitjen e tij ndaj Hannoverit, 22-vjeçari tregoi se ia ka dalë me sukses, edhe pse prapë shpërdoroi disa mundësi. Në 11 ndeshje deri tani në Bundesligë, Rashica i ka shënuar tri gola dhe ka bërë një asist.

Sido që të jetë, Rashica është në prag ta zërë një vend titullar në formacionin bazë të Werderit. Florian Kainz është larguar nga klubi dhe për më tepër, shpejtësia e kosovarit është pothuajse e domosdoshme në lojën e Werderit.

Siç e ka shpjeguar edhe trajneri Florian Kohfeldt së fundmi, ndihma që vushtrriasi i ofron skuadrës duke u kthyer mbrapa po përmirësohet çdo herë e më shumë. Mund të shihet qartë se Rashica po bëhet lojtar i kompletuar i Bundesligës.

“Për mua ka qenë shumë e vështirë kur erdha në Werder, ishte një dallim i madh [me ligën holandeze]”, tha Rashica.

Para një viti, ai kaloi nga Vitesse në Bremen, dhe e kuptoi shpejt se liga holandeze Eredivisie është ndryshe, më e lehtë.  

Por, njeriu 7.5 milionësh i Werderit është i kënaqur me fillimin e vitit të ri 2019.

“Jam shumë i lumtur. Këto pikë janë shumë të rëndësishme për ne. Goli do të më japë vetëbesim. Unë e di se mundësitë vijnë nëse punon fort. Shanset më kanë ardhur”, tha 22-vjeçari. 

(Kosova Sot)