Problemet me mirëmbajtjen e palestrave në Kosovë

  • 21 January 2019 - 08:52
Problemet me mirëmbajtjen e palestrave në Kosovë

Përgjegjësia bie mbi Kuvendet Komunale  

Një nga problemet kryesore në sportin kosovar është infrastruktura. Megjithatë, edhe shumë objekte sportive që janë ndërtuar nga fillimi ose janë rinovuar, më pas nuk janë mirëmbajtur sa duhet dhe janë shkatërruar. Sistemi i mirëmbajtjes është i domosdoshëm në mënyrë që objektet sportive të mos dëmtohen

Infrastruktura mbetet një nga problemet kryesore në sportin e Kosovës. Pasojat i vuajnë klubet dhe sportistët, derisa ende nuk është gjetur një zgjidhje e përgjithshme. Edhe ato palestra që janë, nuk janë në gjendjen më të mirë, për shkak se nuk kanë nxemje qendrore. Për disa palestra siç është ajo në Rahovec, ndërtimi i saj ka zgjatur për 10 vite. Gjithashtu shumë palestra që janë ndërtuar ose rinovuar, më pas janë dëmtuar, pasi nuk janë mirëmbajtur ashtu siç duhet. E nëse nuk mirëmbahen, atëherë, rrezikojnë të shkatërrohen dhe tërë mundi e paratë të shkojnë poshtë. 

Kuvendet Komunale duhet t'i kushtojnë më shumë rëndësi

Trajneri shumëvjeçar i volejbollit, Naser Krasniqi, ka thënë se, mirëmbajta e palestrave është shumë e rëndësishme, sepse në të kundërtën rrezikojnë të dëmtohen."Të gjitha palestrat në Kosovë, pronë e Kuvendeve Komunale e kanë problem numër një sistemin e mirëmbajtjes. Një mënyrë e tillë e menaxhimit siç është kjo që po bëhet në Kosovë, nuk garanton cilësi në ruajtjen e objekteve sportive ekzistuese.Zgjidhja për të arritur një mirëmbajtje apo menaxhim të objekteve ekzistuese sportive është që të formohet një kompani e specializuar për mirëmbajtje në kuadër të komunave që i menaxhojnë këto objekte", është shprehur Naser Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". Shumica e palestrave nuk kanë ngrohje, dhe kjo po u shkakton shumë telashe skuadrave, që duhet të stërviten në kushte shumë të vështira, madje, rrezikojnë edhe shëndetin. Gjithashtu edhe shumë ndeshje në garat vendore zhvillohen në temperatura të ulëta, që nuk është e lejuar me normat ndërkombëtare.

Vonesat në punime

Krasniqi ka shtuar tutje se, në disa palestra është investuar edhe me dekada, që të jenë të gatshme për klubet dhe sportistët."Shumë palestra në Kosovë janë të papërfunduara, edhe pse punimet në to kanë filluar para shumë viteve. Kemi Rahovecin, Skenderajn, Istogun e Kaçanikun, zvarritja e përfundimit të punimeve është çështje e Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit dhe Ministrisë së Financave. Një praktikë e tillë, i ka problemet tek strukturat politike të komunave dhe në nivelin qendror. Më së shumë këtë rast po pëson sporti dhe sportistët, për të cilat këto objekte janë edhe të dedikuara. Këto vitet e kaluara mendoj se është investuar me miliona në ndërtimin e disa palestrave sportive me kapacitet më të madh se që është numri i popullatës në ato vende, dhe këto palestra nuk janë të shfrytëzuara dhe as që kanë skuadra sportive për t'i shfrytëzuar ato.

Për shembull në Kastriot (Obiliq), që është ndërtuar palestra. Edhe sot ka shumë pak ose fare klubet që zhvillojnë aktivitet të mirëfilltë për ta shfrytëzuar atë. Kemi shumë raste të tilla, ku nuk janë bërë investime të qëlluara në infrastrukturën sportive. Fakti tjetër është se këto palestra kërkojnë mirëmbajtje dhe menaxhim më të mirë, e që mungon gjithkund tek ne. Prapë se prapë palestrat që kanë filluar me dekada të ndërtohen dhe nuk kanë përfunduar me ndërtim, është shumë dukuri negative dhe se e humbin edhe vlerën e këtyre objekteve në ndërtim e sipër", ka shtuar tutje Naser Krasniqi për gazetën "Kosova Sot".

(Kosova Sot)