E la Genkun për ditë më të mira, Zhegrova zhgënjehet edhe te Baseli
Edon Zhegrova duhet të presë ende për të debutuar me klubin e ri, Baselin.
U largua nga Genku për shkak se nuk merrte minutat e duhur nga trajneri, Philippe Clement. Por, Zhegrova është duke vuajtur tani për tani edhe në Basel.
Pavarësisht se ditë më parë, trajneri i Baselit, Marcel Koller, tha se talenti 19-vjeçar është adaptuar te klubi zviceran, ende nuk ia ka dhënë rastin anësorit të Kosovës.
Zhegrova e nisi nga stoli ndeshjen mes Baselit dhe Sionit, dhe e përfundoi atë aty, deri në fund të ndeshjes, pasi Koller inkuadroi të tjerë lojtarë në pjesën e dytë, e jo Edonin.
Në fitoren e Baselit, nuk luajti as shqiptari tjetër, Albian Ajeti, që qëndroi në stol me Zhegrovën, derisa për Sionin nga fillimi luajtën lojtarët e Kombëtares shqiptare, Kukeli dhe Lenjani.
Një gjë tashmë është e sigurt, Zhegrova nuk do ta ketë të lehtë as te Baseli dhe për këtë, duhet të punojë shumë që t’i kthejë gjërat në favor të tij.
(Kosova Sot)