Chiellini: Me Ronaldon, Juventusi po i tejkalon limitet

  • 19 February 2019 - 16:23
Chiellini: Me Ronaldon, Juventusi po i tejkalon limitet

Giorgio Chiellini e ka lartësuar Cristiano Ronaldon për plotësimin e boshllëkut të lënë nga largimi i Gianluigi Buffonit dhe për ndihmesën që i ka dhënë Juventusit t’i tejkalojë limitet.

Në një intervistë me të përditshmen spanjolle, Marca, Chiellini foli edhe për ndikimin e Cristiano Ronaldos në skuadrën bardhezi dhe për Ligën e Kampionëve.

“Po punojmë për ta fituar Ligën e Kampionëve”, tha qendërmbrojtësi italian për gazetën spanjolle një ditë para ndeshjes së Juventusit kundër Atletico Madridit në 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve.

“[Liga e Kampionëve] është objektivi ynë, edhe pse e komplikuar. Shorti na e përcaktoi një ekip që është shumë i ngjashëm me tonin”, shtoi ai.

Ai tha se ardhja e Ronaldos në Juve ka qenë shumë e rëndësishme për kampionin italian.

“Ardhja e Ronaldos ishte e rëndësishme. Sa i përket karakterit, ai e ka mbushur boshllëkun e lënë nga largimi i Buffonit. Vetëm një budalla do të dyshonte në aftësitë e tij për të shënuar gola dhe për të dhënë asiste”, theksoi Chiellini.

“Pasi kemi dominuar në Itali për kaq shumë vite, është normale të mendosh se ne e kemi arritur kulmin, por falë Ronaldos ne i kemi tejkaluar limitet”, këmbënguli ai. 

(Kosova Sot)