Klopp: Solskjaer e meriton të jetë trajner i një klubi të madh

  • 21 February 2019 - 18:37
Klopp: Solskjaer e meriton të jetë trajner i një klubi të madh

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, ka thënë se homologu i tij te Manchester Unitedi, Ole Gunnar Solskjaer, e meriton ta drejtojë një klub të madh.

Solskjaer është momentalisht trajner në detyrë i Unitedit, por e ka gëzuar një sukses të jashtëzakonshëm deri tani që prej u emërua në vend të Jose Mourinhos në dhjetor.

Unitedi dukej jashtë garës për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve në kohën kur ai e mori drejtimin e skuadrës, por tani renditet në vendin e katërt, pasi i ka fituar tetë ndeshje dhe ka barazuar një herë në nëntë takimet e para të trajnerit norvegjez në krye.

I pyetur se çfarë mendon për ecurinë e Solskjaerit deri tani, Klopp tha: “Edhe unë jam trajner dhe e di se ne nuk jemi magjistarë”.

“Nuk është se ne mund të vijmë dhe të themi ‘ti nuk je i mirë, por unë mund të të bëj shumë të mirë!’ Por, jemi të bekuar me futbollistë të mirë dhe Ole Gunnar Solskjaer është duke e bërë një punë të shkëlqyer”, tha Klopp.

“Rëndësi ka ta nxjerrësh potencialin e një ekipi, ta përmirësosh cilësinë, dhe këtë e ka bërë ai dhe kjo e bën atë trajner të aftë për ta drejtuar një ekip të madh”, shtoi Klopp.

Manchester Unitedi e pret Liverpoolin të dielën në Old Trafford, në derbin më të rëndësishëm në Premierligë.

(Kosova Sot)