Real Madridi, PSG-ja dhe Bayerni përgatitin oferta marramendëse për transferime gjatë verës

  • 21 March 2019 - 09:55
Real Madridi, PSG-ja dhe Bayerni përgatitin oferta marramendëse për transferime gjatë verës

Afati kalimtar i verës, i cili hapet në fund të këtij sezoni, pritet të jetë shumë i rëndësishëm për disa klube dhe Bayern Munichu është klubi i parë që e ka paralajmëruar botën e futbollit.

Presidenti i klubit, Uli Hoeness, bëri të ditur se ata janë të gatshëm të bëjnë investime të mëdha gjatë verës, në tentim për ta përforcuar dhe rindërtuar skuadrën e klubi.

Dhjetorin e kaluar, klubi gjerman bëri të ditur se veteranët Franck Ribery dhe Arjen Robben do të largoheshin në fund të sezonin, pasi e përfaqësuan gjigantin e Bundesligës për një dekadë. Si rezultat, skuadra bavareze është detyruar ta rindërtojë skuadrën.

Transferimi i Benjamin Pavardit për 35 milionë euro tashmë është arritur dhe klubi ka shprehur interesim edhe për Lucas Hernandezin e Atletico Madridit. Ata besohet se i kanë rreth 200 milionë euro për afatin tjetër kalimtar.

Por, Bayerni nuk është klubi i vetëm që planifikon të bëjë shpenzime të mëdha gjatë verës.

Real Madrid

Ky sezon ka qenë i tmerrshëm për gjigantin spanjoll. Pasi i kanë ndërruar tre trajnerë dhe i kanë humbur shpresat për tre titujt qysh para marsit, Florentino Perezi e di se rindërtimi i skuadrës duhet të fillojë tani.

Askush nuk e ka plotësuar hapësirën e lënë bosh nga Cristiano Ronaldo dhe bordi do të duhet t’i transferojë  disa nga lojtarët më të mirë në botë për ta përforcuar repartin e sulmit.

Transferimi i Eder Militaos nga Porto për 50 milionë euro ka qenë shenja e parë dhe lojtarë si Paul Pogba, Christian Eriksen, Eden Hazard, Mauro Icardi, Harry Kane, Kylian Mbappe dhe Neymar kanë qenë të përfolur për transferimë të mundshme në Santiago Bernabeu.

Paris Saint-Germain

Pasi u eliminua nga Liga e Kampionëve në fazën e 1/8 të finales edhe këtë sezon, Paris Saint-Germaini e ka kuptuar se duhet të bëhen disa ndryshime domethënëse në skuadrën e klubit.

Francezët e kanë Neymarin dhe Kylian Mbappen si liderë të sulmit kështu që opsioni më i mirë për ta është kërkimi i lojtarëve të rinj të talentuar.

Me marrëveshjet e fundit për sponsorizim, klubi mund të fillojë të investojë shumë para dhe të tentojë ta fitojë titullin e Ligës së Kampionëve, të cilin presidenti Nasser Al-Khelaifi e ëndërron.

Manchester United dhe Juventus

Që të dy këto klube kanë nevojë për ndryshime të shpejta në skuadër dhe Paulo Dybala duket se është personi që i lidh dy klubet.

“Djajtë e kuq” besohet se janë të gatshëm të investojnë para në transferimin e lojtarëve gjatë afatit kalimtar të verës për ta rindërtuar skuadrën. Ata janë të gatshëm t’i shpenzojnë deri në 120 milionë euro për Dybalan, ndërsa Juventusi mund ta marrë Romelu Lukakun në shkëmbim.

(Kosova Sot)