A do zhvillohet ndeshja e Kosovës në orën 18:00 apo 19:00? Tregon FFK-ja

  • 21 March 2019 - 10:57
A do zhvillohet ndeshja e Kosovës në orën 18:00 apo 19:00? Tregon FFK-ja

Për shkak të paqartësive të krijuara për orën e fillimit të ndeshjes miqësore mes Kosovës dhe Danimarkës, Federata e Futbollit të Kosovës ka dalur me njoftim për ta sqaruar këtë situatë.

Në disa bileta për këtë ndeshje shkruhet se ndeshja do të fillojnë në orën 18:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” e në disa të tjera shkruhet se loja nis në orën 19:00.

FFK-ja ka bërë të ditur se ndeshja do të fillojë në orën 19:00, por edhe ka sqaruar se pse ka ndodhur ky problem, përmes një njoftimi.

“Kjo ndeshje fillimisht ishte paraparë të luhej nga ora 18:00, por për shkaqe teknike me vendim të UEFA-s termini i ndeshjes është zhvendosur në orën 19:00. Si rrjedhojë kompania përgjegjëse për shitjen e biletave një numër të biletave i ka shtypur paraprakisht me orën e nisjes së ndeshjes në 18:00”, shkruhet në njoftimin e FFK-së.

“Kjo gjë ka shkaktuar lajthitje te një pjesë e opinionit, prandaj luten qytetarët që ta kenë parasysh faktin se ndeshja do të nisë në orën 19:00”.

Lexo edhe: Sulmuesi i rrezikshëm danez: Kosova, një provë perfekte

Kjo do të jetë ndeshja e parë e Kosovës që nga përballja me Azerbajxhanin, më 20 nëntor të vitit të kaluar, në kuadër të Ligës së Kombeve. Përballja me Danimarkën është ndeshje miqësore, ndërsa “Dardanët” e fillojnë rrugëtimin për EURO 2020 të hënën, me ndeshjen kundër Bullgarisë. 

(Kosova Sot)