Danimarka mund të luante me kundërshtar të fuqishëm, kjo është arsyeja pse e zgjodhi Kosovën!

  • 21 March 2019 - 11:11
Danimarka mund të luante me kundërshtar të fuqishëm, kjo është arsyeja pse e zgjodhi Kosovën!

Danimarka ka mundur të gjente kundërshtarë më të fortë, siç ishte Gjermania, por në fund trajneri danez e preferoi Kosovën.

Danimarka kishte mundësi ta gjente një kundërshtar më të fortë për miqësoren e marsit.

Mirëpo, danezët e preferuan Kosovën, me kërkesë të trajnerit Age Hareide.

Këtë e ka zbuluar drejtori i Federatës Daneze të Futbollit, Peter Moller.

“Mund të them se jemi një kundërshtar tërheqës. Janë të shumta skuadrat që duan të luajnë me ne, që kanë arritur rezultate të mira në dy vjetët e fundit. Mirëpo, duhet ta shikojmë edhe veten dhe të bëjmë gjithçka që është e mundur për të marrë pjesë në Kampionat Evropian”, deklaroi Moller për mediat daneze.

“Kemi zgjedhur të përballemi me një skuadër, e cila në syrin tonë na ofron mundësinë më të mirë sportive për t’u bërë gati për lojën me Zvicrën, e cila është ndeshja më e rëndësishme e vitit 2019. Trajneri e ka zgjedhur Kosovën dhe natyrisht ne e mbështesim”, ka shtuar Moller para përballjes me Kosovën, e cila gjendet ne vendin e 130-të në renditjen e FIFA-s.

Prej opsioneve më të përfolura ishte Gjermania, por që u konsiderua një kundërshtar i vështirë për t’u përballur me të në këtë periudhë.

“Ne jemi të hapur për oferta për të ardhmen, jo vetëm për këtë vit. Ka ekipe të mëdha që e kanë shprehur dëshirën të ballafaqohen me ne edhe në vitin 2020. Pra, i kemi opsionet në tavolinë dhe mund të zgjedhim se me kë duam të luajmë.

Edhe pse Kosova është shumë poshtë në renditjen e FIFA-s, për danezët ky fakt nuk sjell problem.

“Renditja botërore nuk është një parametër shumë i rëndësishëm për ne. Ne i zgjedhim kundërshtarët që i shohim më të përshtatshëm. Bazohemi ekskluzivisht në përgatitjet sportive”, nënvizoi drejtori i Federatës Daneze.

Lexo edhe: A do zhvillohet ndeshja e Kosovës në orën 18:00 apo 19:00? Tregon FFK-ja

“Ne duhet ta zgjedhim skuadrën kundërshtare në bazë të zhvillimit dhe përparimit të skuadrës. Fatmirësisht, jemi kualifikuar në fazën e fundit të Ligës së Kombeve. Prandaj, mund të takohemi me Kosovën tash, ndërsa më pas na presin ekipe të fuqishme”, përfundoi Moller. 

(Kosova Sot)