Kosovare Asllani do të luajë sonte kundër Serbisë
Kosovare Asllani do të luajë sonte përsëri kundër Serbisë.
Futbollistja kosovare u përball me serbet në udhëtim pak ditë më parë, ndërsa sonte do të luhet ndeshja e kthimit mes Suedisë dhe Serbisë, e cila do të zhvillohet në kryeqytetin Stockholm duke filluar nga ora 19:00.
Ndeshja e parë e “play-off”-it për Evropianin e vitit 2025, e zhvilluar më 28 nëntor në Leskovc të Serbisë u fitua nga suedezet me rezultat 2:0.
Dhe, skandinavet u udhëhoqën pikërisht nga futbollistja nga Kosova, e cila ishte kapitene në atë ndeshje.
Kombëtarja që do të ketë rezultat më të mirë në dy përballjet mes tyre do ta sigurojë kualifikimin në Kampionat Evropian dhe suedezet janë në rrugë të mirë për ta bërë një gjë të tillë.
Kosovare Asllani, e cila më parë ka luajtur për Paris Saint-Germainin, Manchester Cityn, Real Madridin dhe Milanin, ndërsa e kishte provuar një eksperiencë edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tash është pjesë e ekipit London City.
35 vjeçarja konsiderohet si njëra prej futbollisteve më të mira që i ka pasur ndonjëherë Kosova.
(Kosova Sot Online)