Tenderomania, simboli i ekonomisë kriminale kosovare (Video)

  • 12 June 2018 - 10:21
Tenderomania, simboli i ekonomisë kriminale kosovare (Video)

Qindra miliona euro përfundojnë në xhepat e të korruptuarve

"Shteti ynë po vazhdon që të vuajë nga korrupsioni, sepse tenderomania, që nga paslufta e deri më sot, po i zhvat milionat dhe raporti i OKB-së ka pasur të drejtë në të gjitha shifrat. Faktikisht për këtë gjendje të rëndë të biznesit vendor janë fajtore të gjitha qeveritë tona të deritashme dhe strukturat politike e shtetërore. Kësaj klase politike të pushtetarëve të tanishëm i ka kaluar koha, sepse janë politikat e tyre qeveritare të mbrapshta dhe zhvatëse që na kanë sjellë në këtë gjendje të mjerë dhe pa perspektivë për qytetarin, por edhe bizneset", potencoi Salih Salihu për "Kosova Sot"

Që nga paslufta e deri më sot, në Kosovë nuk ka asnjë lloj shanse që të fitohen tenderët bazuar në kritere profesionale dhe ligjore, por vetëm në mënyrë kriminale, kurse kjo po ndodh veçanërisht qysh se pushteti kishte kaluar nga UNMIK-u tek organet vendore më 2001 dhe qendrore më 2003. Këto fakte i kishte publikuar edhe në vitin 2013 Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogë dhe Krim në Vjenë, kur kishte përgatitur një raport nga një hulumtim të kryer me biznese kosovare, në të cilin u bë publike mënyra kriminale se si fitohen tenderët në Kosovë. Hulumtimi tregon se një përqindje e konsiderueshme e gjithë ryshfetit, që u është paguar zyrtarëve publikë, nga bizneset në Kosovë, është paguar në para të gatshme. Andaj analistët vlerësojnë se në Kosovë pa dhënë ryshfet ose pa "ia lagur fytin" pushtetarëve, qoftë në komuna apo në nivelin qendror, nuk ka shanse të merret as edhe një dokument i vetëm, qoftë ai leje për ndërtim nga komunat, licenca pune apo ndonjë vendim tjetër administrativ nëpër ministri. Analistët e shtrojnë në debat çështjen se a është në Kosovë çdo institucion në duart e mafio-oligarkëve të inkriminuar dhe nëntokës kriminale e parapolitikës, ku po qe se nuk je pjesë e klanit mafioz, po qe se nuk paguan ryshfet dhe haraç, nuk ke shanse të investosh, pasi që bllokimin ta bëjnë nëntoka kriminale me pushtetarët e nivelit të lartë në të dyja nivelete pushtetit. Qytetarët dhe analistët pyesin se përse prokuroria edhe pse kemi hyrë në vitin e 11-të të pavarësisë nuk e ka sjellë asnjë "peshk" të nivelit të lartë nga majat e pushtetit komunal dhe as nga majat e pushtetit qendror para drejtësisë.

Politikat zhvatëse e rrënuan shtetin

Deputeti opozitar i Kuvendit të Kosovës, Salih Salihu (i pavarur), për gazetën "Kosova Sot" theksoi se që nga paslufta korrupsioni nëpër tenderë po zhvat milionat e buxhetit."Ndaj shteti ynë po vazhdon që të vuajë nga korrupsioni, sepse tenderomania që nga paslufta e deri më sot po i zhvat milionat dhe raporti i OKB-së ka pasur të drejtë në të gjitha shifrat. Faktikisht për këtë gjendje të rëndë të biznesit vendor janë fajtore të gjitha qeveritë tona të deritashme dhe strukturat politike e shtetërore. Kësaj klase politike të pushtetarëve të tashëm u ka kaluar koha, sepse janë politikat e tyre qeveritare të mbrapshta dhe zhvatëse që na kanë sjellë në këtë gjendje të mjerë dhe pa perspektivë për qytetarin, por edhe bizneset", potencoi ai. Ndërsa, afaristi Ramadan Maloku për gazetën "Kosova Sot" tha se Qeveria 'Haradinaj' duhet të ndryshojë me veprime konkrete bindjen që është krijuar nga qeveritë e kaluara se asnjë iniciativë asnjë tender apo leje pune apo biznesi nuk mund të jetë në veprim dhe të ketë sukses pa qenë i lidhur mepushtetin."Kjo ka shkaktuar një pesimizëm tek shpirti aktiv ndërmarrës që e ka përcjellë qytetarin e vendit tonë edhe në periudha më të vështira. Ndaj ky besim mund të kthehet vetëm me një qeverisje me duar të pastra", theksoi Maloku.

Vështirë t'i shpëtosh haraçit

Analisti i ekonomisë, Lulzim Beqiri, për gazetën "Kosova Sot" tha se të bësh sot biznes në Kosovë nuk është sfidë e lehtë, mund të përballosh konkurrencën e padrejtë mund të përballesh me sfidën e financimit, por disi mund të kalosh, mirëpo në momentin që përballesh me haraçin në Kosovë është e vështirë të përballesh pa pasur një krah të fortë përndryshe duhet ta mbyllësh biznesin dhe për t'ia mësyrë ndonjë vendi, i cili ka ambient të sigurt për biznes."Që nga paslufta këtu nuk vlen teoria nëse ke ide ke gjithçka, në Kosovë vlen nëse ke krahë që shpëton nga haraçi, atëherë je i suksesshëm dhe mund të arrish majatNë Kosovë ka shumë nepotizëm nga të gjitha partitë politike, nuk ka rëndësi përgatitja profesionale, përvoja e punës, shkathtësitë e ndryshme, kriter kryesor është me qenë militant i një subjekti politik, pastaj të tjerat nuk kanë rëndësi dhe e siguron një vend pune", potencoi ai."Këtu nuk ka rëndësi se cilës parti i përket, ngase ato e kanë ndarë kulaçin, pra dikasteret ku t'i punësojnë militantët e vet, por pyetja është në familjen e madhe të Bashkimit Evropian a ndodh një krim i tillë", ka thënë më tej Beqiri. Sipas tij, Kosova ballafaqohet sot me sfida shumë të mëdha në integrimet euroatlantike.Ndërsa, eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, thotë për "Kosova Sot" se me sjelljen e kësaj elite politike në vend dhe të disa ambasadave të shteteve me ndikim është krijuar përshtypja që ky vend drejtohet nga këto ambasada, ndërsa taksapaguesit janë në shërbim të politikës ditore."Edhe ato investime që bëhen në emër ty qytetarit zhvaten në secilën ditë që kalojnë, kështu që hapja e tenderëve nuk bëhet pa u pajtuar paraprakisht me kontraktuesin për përqindjen e mitës", u shpreh ai. "Si duket edhe miqtë tanë ndërkombëtarë nuk e kanë seriozisht korrupsionin, sepse në vazhdimësi e paraqesin nivelin e lartë të korrupsionit dhe nuk marrin masa ndaj politikës ditore. Si duket as bashkësisë ndërkombëtare ende u hyn në punë ky profil i politikanëve", ka shpjeguar Kadriaj.

Luftimi i korrupsionit të bëhet prioritet qeveritar

Eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, thotë për gazetën"Kosova Sot" se shkalla e korrupsionit në vendin tonë vazhdon që të jetë pengesë për zhvillim ekonomik."Megjithatë, luftimi i korrupsionit duhet të jetë një nga prioritetet qeveritare. Kjo ngase korrupsioni e pengon konkurrencën korrekte dhe mungesa e konkurrencës korrekte çon në disbalanc të çmimeve, ulje të cilësisë së produkteve dhe shërbimeve, shpërndarje të pabarabartë të pasurisë brenda vendit, dekurajim të investitorëve të huaj dhe shumë dëme të tjera", theksoi ai."Edhe raportet dhe hulumtimet vendore e ndërkombëtare shpërfaqinnivele alarmante të korrupsionit në vend, megjithatë pak është bërë në drejtim të luftimit të kësaj dukurie. Duhet një mobilizim gjithëshoqëror që ky kancer i zhvillimit ekonomik të zvogëlohet sa më shumë", vlerëson Grapci. Ai thotë se për të garantuar zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe mirëqenie sociale një nga hapat urgjentë që duhet të ndërmarrin institucionet kompetente është të veprojnë konkretisht në luftimin e këtij fenomeni dhe ndëshkimin e rasteve që zbulohen."Përveç ndëshkimit të korrupsionit, duhet të punohet edhe në edukimin e shoqërisë për dëmet që shkaktohen nga korrupsioni, me qëllim të ngritjes së vetëdijes qytetare dhe rritjes së pjesëmarrjes së qytetarëve në raportimin dhe luftimin e korrupsionit", vijoi më tej Grapci. Edhe qytetarët tanë janë të zhgënjyer nga mitoja e madhe që bëhet nëpër tenderët milionësh në institucione. Andaj edhe ata thonë se në Kosovë pa dhënë ryshfet ose pa "ia lagur fytin" pushtetarëve, qoftë në komuna apo në nivelin qendror, nuk ka shans të merret as edhe një dokument i vetëm, qoftë ai leje për ndërtim nga komunat, licencë pune, apo ndonjë vendim tjetër administrativ nëpër ministri. Qytetari Rrahman Rrahmani tha për "Kosova Sot" se zyrtarët po marrin mitë dhe nuk po i kryejnë detyrimet e tyre ligjore. Sipas tij, politika ditore ka ndikuar që edhe sundimi i ligjit të dështojë e korrupsioni të mos ndalet.  

(Kosova Sot)