Thaçi e Veseli ia gatuajnë kulaçin Haradinajt (Video)

  • 17 January 2019 - 13:05
Thaçi e Veseli ia gatuajnë kulaçin Haradinajt (Video)

Kelmendi:  Asnjë koalicion deri tash, nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, nuk ka shkuar deri në fund, pasi nga PDK-ja është shkatërruar pa e përfunduar afatin ligjor të zgjedhjeve kushtetuese

 “Përvoja e deritanishme na ka mësuar se sa herë që PDK-së t'i dalë nga dora vendimmarrja në qeverisjen e vendit i ndërron partnerët e koalicionit duke rrëzuar Qeverinë, siç kishte vepruar dy herë me LDK-në,...e së shpejti edhe me AAK-në e vogël në numra, por më e fuqishme në përmbajtjen e saj. Po ndodh pikërisht kështu për faktin se PDK-ja është mësuar të mbetet në pushtet vetëm përmes shkaktimit të krizave artificiale, për të mbetur në pushtet e padëmtuar substanca dhe nëntoka e krimit të organizuar, për të vazhduar të sundojë pa asnjë pengesë dhe në përkrahje të plotë të pushtetit në të dyja nivelet e pushteteve të inkriminuara”, thotë analisti Florim Zeqa për “Kosova Sot”

 

Analistët politikë dhe ish-deputetët e Kuvendit të Kosovës, por edhe qytetarët, duke përcjellë përplasjet e fundit brenda partnerëve të koalicionit qeverisës, sidomos raportet e acaruara mes presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj për taksën, mendojnë se me këto zhvillime të fundit PDK-ja po përgatitet  seriozisht për rrëzimin e Haradinajt nga posti i kryeministrit. Pjesë e këtij skenari ata mendojnë që është edhe ftesa publike e partisë së Kadri Veselit partisë së Isa Mustafës për  bashkëpunim për rrëzimin e qeverisë së udhëhequr nga Ramush Haradinaj. Deklarata e kryeministrit Ramush Haradinaj dhënë nga Reçaku, i cili tha se askush nuk do të guxojë të falë tokën e Kosovës, sipas analistëve ishte mesazh për Kadri Veselin dhe PDK-në, që tregon se kryeministri nuk do t’u nënshtrohet presioneve edhe për çmimin e rrëzimit nga pozita. Sipas analistit politik Florim Zeqa, ka një kohë relativisht të gjatë që kanë filluar përgatitjet e PDK-së për rrëzimin e Haradinajt nga posti i kryeministrit të vendit. Ai thotë se përplasjet e para të Haradinajt me presidentin e vendit shënojnë zanafillën, rritja e pagave për kabinetin qeveritar, vazhdimin, ndërsa vënia e taksës ndaj produkteve serbe pa pëlqimin e Hashim Thaçit shënon fillimin e finalizimit të planit të PDK-së për rrëzimin e "Rambos" nga pushteti. “Kështu pra së shpejti po i vjen radha edhe AAK-së së Haradinajt që të provojë ‘Zanzibarin’ e PDK-së. E dhimbshme, por situatë e pakalueshme për AAK-në! Dy dekada në politikë nuk janë pak për një lider partiak, për të mos arritur të mësojë ABC-në e politikës. Mbetet e pafalshme për Haradinajn mosarritja e të mësuarit e ‘Dovëve të Gjarprit’, pas sprovave të njëpasnjëshme me Hashim Thaçin”, potencoi ai për “Kosova Sot”.

Zeqa: Taksa, si alibi e PDK-së

“Përvoja e deritanishme na ka mësuar se sa herë që PDK-së t'i dalë nga dora vendimmarrja në qeverisjen e vendit i ndërron partnerët e koalicionit duke rrëzuar qeverinë, siç kishte vepruar dy herë me LDK-në,...e së shpejti edhe me AAK-në e vogël në numra, por më e fuqishme në përmbajtjen e saj. Po ndodh pikërisht kështu për faktin se PDK-ja është mësuar të mbetet në pushtet vetëm përmes shkaktimit të krizave artificiale, për të mbetur në pushtet e padëmtuar substanca dhe nëntoka e krimit të organizuar, për të vazhduar të sundojë pa asnjë pengesë dhe në përkrahje të plotë të pushtetit në të dyja nivelet e pushteteve të inkriminuara. Sikurse taksa që është duke u përdorur si alibi, ngjashëm janë duke u përdorur edhe kinse raportet e përkeqësuar me amerikanët për ta ‘kryqëzuar’ Haradinajn. Kjo është e paqëndrueshme, për faktin se interesat strategjike afatgjatë të amerikanëve në Ballkan janë të lidhura ngushtë me ekzistencën e shtetit të Kosovës dhe anasjelltas”, tha Zeqa për “Kosova Sot”.

 Salihaj: Kriminalizimi i shtetit po thellohet

Ish-deputeti nga radhët e LDK-së, Adem Salihaj, është i sigurt se tradita e ndërprerjes së mandatit në gjysmë nga PDK-ja, për partnerët e kaluar qeverisës, do të zbatohet edhe tani në koalicionin me AAK-në dhe kjo është vetëm çështje ditësh. “Fatkeqësia më e madhe e Kosovës, ndonëse jo e vetmja, është PDK-ja, me të gjitha strukturat e saj të krimit. Partitë e tjera nuk janë treguar vigjilente dhe konsekuente në qëndrimet e tyre, duke pohuar vazhdimisht se kurrë nuk do të bëjnë koalicion me PDK-në, e në realitet gjithmonë e kanë bërë të kundërtën. Kjo ia ka krijuar PDK-së mundësinë që të krijojë e rrëzojë qeveritë ashtu siç ia kërkonte interesi i saj partiak, duke shkelur jo vetëm interesat e partive tjera politike, por edhe interesat e Kosovës. Fatkeqësia më e madhe është se në cilindo variant, po vazhdon sundimi i krimit në Kosovë. Strukturat e krimit, jo që nuk po dobësohen, por po forcohen, duke lëshuar rrënjë edhe më tepër në të gjitha institucionet politike të Kosovës. Zgjidhja nuk është aspak të bashkëngjitja e LDK-së dhe VV-së këtij koalicioni, por vetëm te zgjedhjet e reja, të cilat do t'i krijonin legjitimitet një strukture të re qeverisëse. Këto zgjedhje nuk duhet të shkojnë më larg se në qershor, sepse siç po shihet tash të gjitha institucionet e Kosovës janë të bllokuara dhe pa legjitimitet. Fillimi i fushatës së Kadri Veselit për kandidaturën e tij të ëndërruar moti për kryeministër, është shenjë se PDK-ja tashmë po mendon ta rrëzojë Ramush Haradinajn dhe këtë qeveri”, tha Salihaj për “Kosova Sot”.

 Badallaj: Pazare të pista për pushtet

Një epilog të tillë e sheh tani si akt të përgatitur vetes, sa pritet edhe ekzekutimi i tij në kohën dhe momentin e duhur, analisti politik Reshat Badallaj.“Edhe Ramush Haradinaj e di një gjë të tillë se po deshi klani PRONTO, brenda natës ik si të mos ishte kurrë, por despoti dhe tirani i madh, Hashimi i Brojës dhe Kadri topuzi, e mbajnë në këmbë këtë qeveri kuislinge, hajnash dhe me një grumbull hajnash që nuk mbahet mend në historinë e Kosovës këtu e 20 vjet më parë... Por, me besoni se këtë prerje në BESË e ka hetuar edhe Ramush aga dhe ka filluar t´u lëpihet prapa me Isa Mustafën. Në Kosovë, tashmë u bë zakon, se kjo nuk është asgjë tjetër pos punë pazaresh të pista dhe ndoshta e keni vërejtur se asnjë qeveri bandite nuk e ka përfunduar mandatin e saj. Pastaj, janë dëshmuar këto banda politike të mbushura me plot banditë dhe hajna, që edhe në këtë qeveri hajnash shikoni se sa dhe kush  janë me skandale dhe afera korruptive dhe bile edhe me aktakuza të ngritura për HAJNI dhe të pafytyrët, idiotët, akoma vazhdojnë të qëndrojnë në këto pozita dhe pa pik morali as që skuqen... dhe më thoni në cilin vend të botës ndodh kjo pos në Kosovë. Puna e pazarit për të kapur pushtetin është parë hapur në Kosovë, se është tradhtuar edhe votuesi”, tha Badallaj për “Kosova Sot”.

 Qarri: Edhe kësaj Qeverie po i përgatitet fundi, në mënyrat më tragjikomike që di vetëm PDK-ja

Sipas analistit politik Gani Qarri, është shumë e pritshme që  edhe tani të veprohet njëjtë, si në legjislaturën e kaluar, dhe të gjitha konstalacionet e deritanishme qeverisëse, që edhe kësaj qeverie nga po të njëjtit sharlatanë dhe banditë politikë, në mënyrat më tragjikomike që di vetëm PDK-ja t’i përgatitet fundi. “Kjo u pa më së miri edhe në mandatin e kaluar, kur Qeverinë e udhëhequr nga LDK-ja, pasi PDK-ja e shfrytëzoi deri në maksimum dhe keqpërdori në mënyrën më perfide politike, për katapultimin e Hashim Thaçit president edhe me detyrim të deputetëve nga Isa Mustafa, për të votuar pro, pothuajse menjëherë pas kësaj, po nga PDK-ja me Kadri Veselin në krye u bashkë-organizua dhe u mbështet publikisht mocioni për rrëzimin e Qeverisë që udhëhiqte vetë Isa Mustafa”, u shpreh ai. “Pasi Ramush Haradinaj zhveshi tërësisht tendencat e të ashtuquajturës PDK, në krye me Kadri Veselin, për shkatërrimin përfundimtar të Kosovës dhe u bë digë e pakalueshme kundër jetësimit të planeve të krye kuislingut Hashim Thaçi për ndarjen dhe faljen e 1/3-s, saj Serbisë,tanimë njëjtë si me LDK-në e Isa Mustafës po i përgatitet rrëzimi edhe kësaj qeverie, nga kush tjetër përpos nga krye-SHIK-asi Kadri Veseli. Ndaj veprimet e fundit të Kadri Veselit me ofertat e dërguara edhe vetë Isa Mustafës që me të njëjtat tradhti dhe mënyrën siç e rrëzoi atë (në kokërr të shpinës) ta rrëzojë tani edhe Ramush Haradinajn nga posti i kryeministrit, nuk janë më vetëm sinjale, por fakte dhe argumente të parapërgatitjes praktike që vendi sërish, pa përfundim të mandatit qeverisës, të shkojë në zgjedhje të reja, më së voni deri në shtator të këtij viti. Se PDK-ja udhëheq politikë të njëjtë si qeveria e Vuçiqit në Serbi dëshmon edhe fakti se ashtu siç bëri Ana Bërnabiq, e cila pas vënies së taksës 100 % nga Qeveria aktuale e Kosovës, kundër mallrave të Serbisë, i çoi ftesë edhe Shqipërisë që ta tërheqë njohjen e shtetësisë së Kosovës, edhe Kadri Veseli i dërgoi ftesë ish të tradhtuarit nga vetë ai, Isa Mustafës, për rrëzimin e qeverisë së udhëhequr tani nga Ramush Haradinaj”, tha Qarri për “Kosova Sot”. Ai shton se Veselit mund t’i dalin telashe në përpjekjen e tij për rrëzimin e Haradinajt nga pozita e kryeministrit dhe të qeverisë së tij si kabinet ‘i padëgjueshëm’. “Por, duke parë se njëjtë si në koalicionet e mëparshme, me çdo parti tjetër, PDK-ja do të përpiqet ta rrezojë edhe këtë qeveri në momentin që diçka nuk i shkon përshtati dhe pengohen tradhtitë e saj ndaj shtetit dhe shqiptarëve, kryeministri Ramush Haradinaj me deklaratën e dhënë nga Reçaku jo vetëm se përsëriti edhe një herë fuqishëm se askush nuk do të guxojë të falë tokën e Kosovës, por i dha një mesazh të qartë edhe Kadri Veselit dhe PDK-së se ai nuk është Isa Mustafa dhe nuk lejon të shantazhohet as me kërcënime për rrëzimin e Qeverisë nga Kadri Veseli, kur në pyetje është tendenca shtetshkatërruese e PDK-së me në krye Kadri Veselin dhe çmenduritë e kuislingut Hashim Thaçi për ndarjen e Kosovës”, tha Qarri për “Kosova Sot”.

PDK-ja është mësuar të “tradhtojë”

Sipas profesorit Muhamet Kelmendi,çështja e shpërbërjes së koalicionit është një dukuri normale dhe juridikisht e lejueshme nëse koalicioni nuk funksionon dhe ka probleme në funksionim, prandaj nuk do të jetë befasi as prishja e koalicionit të tashëm  qeverisës, në krye të të cilit është kryeministri Haradinaj. Mirëpo, ai thotë se PDK-ja është mësuar që partnerëve t’u krijojë befasi tradhtish.“Çdo koalicion ndërtohet në bazë të një platforme të koalicioneve dhe ajo është ligj për palët gjatë koalicionit. Këto rregulla për PDK-në nuk kanë rëndësi as politike dhe as juridike. Tash, sipas PDK-së, është pengesë z. Ramush Haradinaj në realizimin e pikëpamjeve të PDK-së. Rruga e PDK-së në raport me koalicionet, me të gjitha partitë deri më tash, është rrugë jo e sinqertë dhe pa karakter të ndërtimit të shtetit. PDK-ja është angazhuar çdoherë në realizimin e synimeve të veta politike, karrieriste, financiare etj., që Republikën e kanë shkatërruar shumë dhe rëndë. Z. Ramush Haradinaj si kryeministër është pengesa më e madhe e PDK-së në realizimin e këtyre synimeve. Ata pretendojnë që nën udhëheqjen e z. Hashim Thaçi të bëjnë marrëveshje me shtetin serb dhe të korrigjojnë kufijtë, respektivisht të ndajnë Kosovën me shtetin kriminal serb. Këtë politikë po ua shkatërron kryeministri i Kosovës, z. Ramush Haradinaj”, potencoi ai. “Asnjë koalicion deri tash nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkuar deri në fund, pasi nga PDK-ja është shkatërruar pa e përfunduar afatin ligjor të zgjedhjeve kushtetuese. Tash po merret si shkak taksa 100%, numri i madh i të punësuarve në Kryeministri, të cilët kanë qenë dhe janë të PDK-së dhe të LDK-së. Aty i ka gjetur z. Haradinaj. Asnjë nuk e ka nxjerrë nga puna. Flitet edhe për ushtri. Për gjendjen në ekonomi e në shumë fusha, që ishin pranë shkatërrimit nga ish-qeveritarët, nga koalicioni PDK-LDK. Pra, po bëhet një luftë pa principe dhe tërësisht bazamentin e ka te marrëveshja me shtetin kriminal të  Serbisë dhe asgjë tjetër”, vlerësoi Kelmendi për “Kosova Sot”. Sipas tij, koalicioni mund të bjerë, pasi e ka në dorë PDK-ja,  por lufta për shtet dhe sovranitet nuk përfundon këtu.

  Qytetarët presin rrëzimin e Qeverisë

Qytetarët e anketuar rrëzimin e qeverisë ‘Haradinaj’ nga PDK-ja, pas përplasjeve të fundit që po ndodhin rreth pezullimit të taksës kundër Serbisë, me kërkesë të BE-së dhe të SHBA-ve, po e shohin çështje të kryer, vetëm sa nuk është marrë vendimi përfundimtar, sepse të gjitha veprimet e fundit janë sinjale që vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja, e kjo hetohet fare mirë  derisa partia e Kadri Veselit i ofroi partisë së Isa Mustafës bashkëpunim për rrëzimin e qeverisë së udhëhequr nga Ramush Haradinaj. Një mundësi të tillë e sheh shumë afër, madje edhe e konsideron veprim të domosdoshëm, qytetari Tahir Kolshi. “Sigurisht që krejt çka po ndodh procesi nga ajo anë është duke shkuar, derisa ne kemi kërkesa për heqjen e taksës nga miqtë tanë më të mëdhenj dhe nëse ato kërkesa nuk përfillen, atëherë ne diçka duhet të ndërmarrim, që diçka të bëhet në mënyrë më pozitive. Duhet të reflektohet gjithqysh, qeveria duhet të shkojë dhe duhet të vijë një qeveri tjetër e re, për të vazhduar tutje, sepse ne miqtë më të fortë që i kemi nuk mund t’i kundërshtojmë dhe nuk mund t’i humbim, sepse ata na kanë ndihmuar, na kanë sjellë deri këtu dhe ne duhet t’i dëgjojmë këshillat dhe kërkesat e tyre”, theksoi Kolshi. Edhe qytetari tjetër Mirsad Krasniqi mendon që Qeveria ‘Haradinaj’ është në ditët e saj të fundit, sepse përplasjet e këtyre ditëve rreth taksës, kundërshtimi i Haradinajt për ta pezulluar atë edhe përkundër kërkesave ndërkombëtare, do të përdoren nga PDK-ja me pretekst të rrëzimit të Haradinajt, shkuarjes në zgjedhje të reja dhe krijimit të koalicionit të ri PDK-LDK, i gatshëm për të pranuar qoftë edhe marrëveshjen më të dëmshme për Kosovën të imponuar nga faktori ndërkombëtar dhe lobi serbo-rus. “Sigurisht që do ta rrëzojnë, por unë konsideroj që nuk u bën për nder që të veprojnë dhe ta rrëzojnë në këtë mënyrë, mirëpo jemi dëshmitarë që jo vetëm PDK-ja, por edhe LDK-ja, dinë t’i bëjnë këto dhe sigurisht që do t’i bashkëngjitet thirrjes së PDK-së që të jetë në të ardhmen edhe ajo pjesë e dialogut me Serbinë”, potencoi Krasniqi për ‘Kosova Sot’.

 

(Kosova Sot)