Kosova nuk mund t’i kushtëzojë Amerikën dhe BE-në (Video)

  • 30 January 2019 - 10:45
Kosova nuk mund t’i kushtëzojë Amerikën dhe BE-në (Video)

Aliu: Politikanët kosovarë nuk janë në situatë që mund t'u qesin kushte partnerëve vendimtarë të shtetësisë sonë - SHBA-së dhe BE-së

 “Të kërkosh konferencë ndërkombëtare për Kosovën, kur e ke statusin e zgjidhur dhe kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka legjitimuar pavarësinë e saj, për më tepër se gabim skandaloz, është miopi politike dhe dështim total në politikëbërje. Veprimi i fundit i kryeministrit tregon se më shumë se ai kanë gabuar këshilltarët e kryeministrit, që i kanë sugjeruar ta shkruajë këtë letër skandaloze dhe tepër të dëmshme për Kosovën”, thotë analisti Florim Zeqa për “Kosova Sot”

Analistët politikë, por edhe qytetarët, të informuar për letrën me kushtëzime që kryeministri Haradinaj u ka dërguar një ditë më parë ambasadorëve të shteteve të ndryshme, duke përfshirë edhe SHBA-në dhe BE-në, të gjitha shtete që e kanë njohur Kosovën, duke vendosur edhe kushte  për pezullimin e taksës ndaj Serbisë, mendojnë së është një qasje shumë e gabuar e kryeministrit që në vend të kultivimit të politikës për partneritet mundohet të vendosë kushte ultimative. Për të qenë akoma më skandaloze, analistët dhe qytetarët e kritikojnë këtë veprim të kryeministrit, pasi, sipas tyre, është gabim skandaloz të kërkosh konferencë ndërkombëtare për Kosovën kur e ke statusin e zgjidhur dhe kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka legjitimuar pavarësinë e saj. Për më tepër, kjo sjellje e tillë tregon se këshilltarët e kryeministrit, që i kanë sugjeruar ta shkruajë këtë letër, kanë bërë gabim të rëndë, sepse kryeministri duhet ta ketë parasysh se kur mbahet një konferencë e tillë, një “Rambuje II”, p.sh.,  Kosova duhet të bëhet gati për lëshime të reja, përndryshe nuk ka përse të organizohet ajo.

Analisti politik Florim Zeqa tha për “Kosova Sot” se kushtëzimet e kryeministrit Haradinaj ndaj SHBA-së dhe BE-së ngjajnë sikur e krejt bota sillet rreth Kosovës, ndërsa veprimet e tij sikur e tërë Kosova është duke u sjellë rreth tij.  “Të kërkosh konferencë ndërkombëtare për Kosovën, kur e ke statusin e zgjidhur dhe kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka legjitimuar pavarësinë e saj, për më tepër se gabim skandaloz, është miopi politike dhe dështim total në politikëbërje. Veprimi i fundit i kryeministrit tregon se më shumë se ai kanë gabuar këshilltarët e kryeministrit, që i kanë sugjeruar ta shkruajë këtë letër skandaloze dhe tepër të dëmshme për Kosovën”, ka theksuar Zeqa për “Kosova Sot”.

 Zeqa: Konferenca, paralajmërim për kompromise të reja

“Këshilltarët dhe kryeministri duhet ta kenë parasysh se kur mbahet një konferencë e tillë, një “Rambuje II”, p.sh.,  Kosova duhet të bëhet gati për lëshime të reja, përndryshe përse duhet organizuar ajo! Sa absurd, po aq qesharak është afatizimi i konferencës dhe ‘obligimi’ i SHBA-së dhe BE-së për të dhënë zotime publike ndaj Kosovës, kur vetë institucionet kosovare (Kuvendi e Qeveria) e kanë miratuar marrëveshjen e Asociacionit. Po ashtu, tepër i ulët dhe ironik është edhe kushtëzimi i BE-së për liberalizimin e  vizave, kur dihet që shtetet e mëdha, si Gjermania, Franca etj., kanë rezerva për liberalizimin e vizave dhe kërkesa duhet t’u adresohet atyre në mënyrë të posaçme e jo të futen në një ‘thes’ me pesë shtetet që nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës. Kryeministri Haradinaj dhe këshilltarët e tij po tregohen aq naivë, saqë besojnë se një marrëveshje eventuale me Serbinë na anëtarëson menjëherë në OKB dhe siguron njohje reciproke! Kur dihet fakti se për të hyrë në OKB duhet kaluar një proces tepër i vështirë, ku vetoja ruse është e do të jetë pengesa kryesore dhe vështirë e kapërcyeshme.

  Politikanët kosovarë në asnjë rrethanë nuk duhet t'u qesin kushte partnerëve vendimtarë të shtetësisë sonë-SHBA-së dhe BE-së, për shkak të varësisë së ekzistencës së shtetit tonë nga ndihma e tyre në konsolidimin shtetit, respektivisht sigurisë së vendit tonë dhe aspekteve zhvillimore. Kryeministri Haradinaj, paraprakisht adresimit SHBA-së dhe BE-së, do të duhej adresuar grevistëve me vendimin për  tërheqje të Ligjit për rritje të pagave për kabinetin qeveritar dhe stafin e lartë të drejtësisë kosovare, përfshirë përgjysmimin e pagave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës”, tha Zeqa për “Kosova Sot”.

Aliu: Kërkesa e kryeministrit, gabim trashanik

Sipas analistit politik Bislim Aliu, Kosova asnjëherë nuk mund ta kushtëzojë SHBA-në dhe BE-në, siç bëri kryeministri ynë, Haradinaj. “Mendoj se është një gabim skandaloz, të kërkosh konferencë ndërkombëtare për Kosovën, kur e ke statusin e zgjidhur dhe kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka legjitimuar pavarësinë e saj. Ky veprim skandaloz tregon qartas se këshilltarët e kryeministrit, të cilët e kanë sugjeruar ta shkruaj këtë letër, kanë bërë gabim trashanik.

Ndaj, kryeministri duhet të ketë parasysh, se kur mbahet një konferencë e tillë, një "Rambuje II", p.sh., Kosova duhet të bëhet gati, për lëshime të reja, përndryshe përse duhet të organizohet ajo. Edhe kushtëzimi i BE-së është tepër ironik për liberalizimin e vizave, kur dihet që shtetet e mëdha, si Gjermania, Franca etj., kanë rezerva për liberalizimin e vizave dhe kërkesa duhet t’u adresohet atyre në mënyrë të posaçme. Kam përshtypjen se kryeministri dhe këshilltarët e tij, sikur besojnë në mënyrë naive, saqë mendojnë se një marrëveshje eventuale me Serbinë na anëtarëson menjëherë në OKB dhe siguron njohje reciproke! Duhet të dihet, se për të hyrë në OKB duhet kaluar një proces tepër i vështirë, ku vetoja ruse është dhe do të jetë pengesa kryesore dhe tejet vështirë e kapërcyeshme! Andaj, politikanët kosovarë nuk janë në situatë, që mund t'u qesin kushte partnerëve vendimtarë të shtetësisë sonë - SHBA-së dhe BE-së”, tha Aliu për “Kosova Sot”.

 Badallaj: Pushteti e verboi Haradinajn

Analisti politik Reshat Badallaj po ashtu thotë për “Kosova Sot” se skandali në këtë letër të kryeministrit Haradinaj ndodh sidomos kur bëhet kërkesa edhe për konferencë ndërkombëtare për Kosovën.“Të kërkosh konference ndërkombëtare për Kosovën, padyshim që është tepër skandaloze dhe turp i llojit të vet, po vërtet turpi nuk paska brirë! Banda e Ramush Gjoko Haradinajt e ka humbur rrugën në oborr, por mua aspak nuk më habit, sepse shih këshilltarët që ka rrotull janë njerëz të kafeneve, pijanecë kronikë që i njeh populli, njerëz të paditur dhe derisa të bëhen këshilltarë të kësaj bande njiheshin dhe janë antikombëtarë dhe bastardë dhe si të mos ndodhë ky skandal. Kësaj ndryshe i bie tamam sikur i mbyturi kur mbytet në det dhe mundohet të kapet për kashte, që do të thotë kjo bande mundohet të shpëtojë që të mos bjerë nga pushteti”, tha Badallaj për “Kosova Sot”. Sipas tij, kryeministrin Haradinaj po e mashtron  verbimi pas pushtetit dhe hajnisë, prandaj të dyja këto lakmi e kanë bërë për të pranuar që t’u besojë besëprerëve. “Me këtë letër, kjo bandë shpalos plagë të panevojshme, plagë që i hedhin kripë. Me këtë kanë për të na bërë rezilë para botës së qytetëruar dhe do t’i japin raste Serbisë fashiste që nesër para botës do të thonë:’ja me kë keni të bëni’. Turp dhe gazi i botës na bënë këta kope hajnash”, theksoi Badallaj.

Liderët kosovarë, në qorrsokak

Njohësi e zhvillimeve politike, Hysni Aliu, tha për “Kosova Sot” se në botën që po jetojmë kushtëzimet e drejtpërdrejta janë me efekt vetëshkatërrues, andaj ato nuk duhet të bëhen.  “Shumë vende kanë tentuar ta kushtëzojnë Amerikën, por janë vetëshkatërruar, madje as Amerika nuk po mund ta kushtëzojë plotësisht as BE-në, as Kinën e as Rusinë.  Udhëheqësit tanë janë në një qorrsokak, si presidenti, i cili ka nisur një projekt që duhet ta përfundojë, sepse është zotuar para atyre që qëndrojnë mbrapa projektit, ashtu edhe kryeministri, që po mundohet ta mbrojë një gjë të shenjtë në gjithë botën,  e ajo është kufiri shtetëror. Gjërat e kanë marrë rrjedhën e vet, andaj është vështirë të ndalen.

Besoj që Qeveria e Kosovës duhet t’i çojë përpara projektet e veta, në mënyrë diplomatike, në mënyrë që të mos e shënjestrojë vetveten e jo në këtë mënyrë”, u shpreh ai. “Kjo që po ndodh, në vështrimin tim, nuk është betejë në mes Haradinajt e Thaçit, por  është betejë për mbrojtjen e dezintegrimit të Evropës. Pra, është një betejë në mes administratës Trump dhe shteteve të fuqishme evropiane, siç janë Gjermania, Franca, Anglia etj. Haradinaj nuk po mundohet t’i mbrojë kufijtë e Kosovës, por ata të Ballkanit dhe Evropës.  Unë në shkrimet e mia për vite të tëra  i kam tërhequr vërejtjen BE-së që dëmtimi i shteti të Kosovës do të sjellë dezintegrimin e Evropës, sepse Amerika do ta mbrojë ‘fëmijën e vet’, që është  Kosova, por çdo gjë ka rënë në vesh të shurdhët. Angazhimi i Gjermanisë për mbrojtjen e kufijve është shumë i vonuar, për mendimin tim. BE-ja së pari duhet të tërheqë çështjen e Asociacionit të komunave serbe nga projekti i tyre e tek pastaj mund t’i mbrojë kufijtë e Ballkanit. 

BE-ja duhet ta ndalë çnjohjen e Kosovës nga shumë shtete, sepse unë besoj që edhe ata janë pjesëmarrës direkt ose indirekt në këtë proces duke kërkuar një balancë Serbi- Kosovë. Shkurt për të thënë, Kosova tani është epiqendër e konfrontimit të ashpër të interesave të SHBA-së-  BE-së dhe Rusisë e Kinës, ndërsa Thaçi e Haradinaj janë vetëm pionë të ndonjërës nga këto shtete të mëdha”, tha Dr. Aliu për “Kosova Sot”.

 Bojaj: Kushtëzimi kosovar, qesharak

Po aq qesharak e sheh kushtëzimin e Haradinajt ndaj SHBA-së dhe BE-së, dhe të dëmshëm opsionin e një konferencë ndërkombëtare për Kosovën, edhe analisti dhe publicisti Ramiz Bojaj. “Kosova nuk mund të kushtëzojë asnjë vend për asgjë, e as Serbinë, e lërë më SHBA-në, BE-në e vendet e Kuintit. Republika e Kosovës është në një situatë të çekuilibruar politike e diplomatike, në kontekstin e të cilit ndodhin veprime të çoroditura, të paorganizuara, të pamatura e vetëvrasëse. Pikërisht duke shfrytëzuar këtë vorbullë aventureske të skenës sonë politike, Serbia ka zhvendosur betejat e veta anti-Kosovë, nga Beogradi në Prishtinë dhe në instancat më të larta ndërkombëtare: Bruksel, Uashington..... Prishtina e ka 'gjarprin' e Serbisë në krye të politikës, i cili helmon e vret të gjithë ata të cilët mbrojnë Kosovën nga agresioni eko-politik serbomadh. Së fundi edhe kryeministri Ramush Haradinaj duket se ka marrë 'dozën e helmit', dhe tashmë po tregon rropatjet e fundit të tij. Letra e Qeverisë dërguar Kuintit, e cila kërkon ‘një konferencë ndërkombëtare me qëllim të arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të pazgjidhura ndërmjet dy vendeve – konferenca duhet të fillojë sa më parë që është e mundur....'- tregon se edhe Qeveria e Kosovës ka rënë në rangun e Presidencës për një 'marrëveshje obliguese e gjithëpërfshirëse' që nënkupton marrëveshje për 'statusin final' të Kosovës”, u shpreh ai.

 “Dikur fjollat e borës na sollën fusnotën,  sot 'skllotat' e presidentit po na sjellin ndarjen dhe shkatërrimin e shtetësisë së Kosovës. Kryeministri Haradinaj në këtë letër është dashur të mbrojë parimet juridiko-kushtetuese të Kosovës, me të cilat do të kërkonte ndaljen e agresionit serb ndaj shtetit tonë, e jo të kërkojë obligime ndërkombëtare për çështjet e hapura me Serbinë. Sot, çështje e hapur me Serbinë është ndarja e Kosovës. Kjo për faktin se bisedimet e gjertanishme kanë rrënuar të gjitha principet juridike e kushtetuese të Kosovës dhe kanë hapur pazarin e copëtimit të vendit tonë. Duke u bazuar në këto rrethana, z. Haradinaj duhet ta ketë parasysh se një ‘Rambuje II’, mund të sjellë kompromise e dëme të mëdha për shtetin e Kosovës”, vijoi më tej Bojaj. “Çdo konferencë ndërkombëtare për Kosovën i shkon përshtati Serbisë, sepse e risjellë në tavolinë temën e ndarjes së vendit tonë dhe legjitimon interesin e Beogradit për të grabitur territor tonin, pa dhënë asnjë llogari për krimet e gjenocidin e saj.

 Është po ashtu mjaft qesharake, edhe afatizimi i konferencës dhe ‘obligimi’ i SHBA-së dhe BE-së për të dhënë zotime publike ndaj Kosovës, kur vetë institucionet kosovare e kanë miratuar marrëveshjen e Asociacionit.  Kryeministri Haradinaj nuk është dashur të angazhohet vetëm më taksën dhe 'Ekipin negociator', por është dashur të ngrejë një lloj moratoriumi dyvjeçar për bisedimet me Serbinë, jo të mobilizojë ndihmës të Thaçit”, vlerësoi  Bojaj për “Kosova Sot”. Sipas tij, edhe grevat në arsim, shëndetësi..... janë po ashtu të iniciuara politikisht, sepse të hysh në grevë për para, në kohën kur Kosova po copëtohet, është lojë politike antishqiptare, e cila mëton të largojë vëmendjen e ndarjes së Kosovës.

 Qytetarët, kundër propozimit të dëmshëm të kryeministrit

Qytetarët e anketuar nga gazeta, po ashtu mendojnë se Kosova nuk  mund ta kushtëzojë  SHBA-në dhe BE-në, siç bëri kryeministri Haradinajt dhe në këtë kushtëzim shfaqet edhe  një gabim skandaloz, që kërkohet konferencë ndërkombëtare për Kosovën, kur veç e  kemi statusin e zgjidhur dhe kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka legjitimuar pavarësinë e saj. Ata theksojnë se ky veprim vetëm tregon që  këshilltarët e kryeministrit, që i kanë sugjeruar ta shkruajë këtë letër, kanë bërë gabim të rëndë dhe të pafalshëm. Qytetari Selver Lenjani  thotë se është hipokrizia më e madhe të mendosh se mundë t’u vësh kushte SHBA-së dhe BE-së, aleatëve kryesorë që kanë mbështetur kauzën e luftës për liri dhe shtet të Kosovës, dhe budallallëku tjetër është insistimi në konferencë ndërkombëtare për statusin e Kosovës, sepse kjo e kthen Kosovën në pikën zero.

“Gabim skandaloz ka bërë kryeministri bashkë me këshilltarët e tij edhe kur kanë kërkuar konferencë ndërkombëtare për Kosovën, por këtu aq sa ka faj kryeministri, po aq kanë edhe këshilltarët e tij, madje dyfish e trefish  më shumë, dhe unë u them se është turp për ta që ta sjellin kryeministrin kështu para aktit të kryer, që të marrin pagat aty dhe të ushqejnë familjet e tyre. Është dashur ta dinë mirë këshilltarët e kryeministrit që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka vulosur të drejtën e  Kosovës për të qenë shtet i pavarur në këto 11000 km2, prandaj institucionet e Kosovës, krerët e tyre duhet ta korrigjojnë veten dhe këshilltarët e tyre dhe të ndalen e të analizojnë mirë se cilat vendime janë duke i marrë, sepse me këto vendime të kërkohet konferencë ndërkombëtare po ulet poshtë dhe po zhvlerësohet tërësisht edhe 17 shkurti 2008, po zhvlerësohen edhe ato 115 shtete që na e kanë njohur pavarësinë e Kosovës në këtë territor që e kemi tani, po zhvlerësohet edhe  opinion i Gjykatës Ndërkombëtare të drejtësisë që është në favorin e shtetit të Kosovës”, tha Lenjani për “Kosova Sot”. 

Këtë mendim ndan edhe qytetari Daut Saraqi. “Ne si shtet i ri, akoma në formësim e sipër, kushte nuk mund t’i qesim askujt nga ata që janë miq të mëdhenj e që e kanë  mbështetur pavarësinë e Kosovës, dhe po na  mbështesin akoma edhe tani. Bisedime duke u vendosur kushte miqve ndërkombëtarë që  e sponsorizuan pavarësinë e Kosovës nuk mund të ketë”, u shpreh ai. Sipas Saraqit, temat që janë të tipit të konferencave ndërkombëtare janë kryer kaherë dhe tani Kosova si shtet i pavarur është njohur prej shumë shteteve të  fuqishme të botës dhe nuk ka më nevojë për ato lloj konferencash.

(Kosova Sot)