Shkarkimi dhe burgosja e mafio-politikanëve është “ilaç” për korrupsionin (Video)

  • 01 February 2019 - 13:59
Shkarkimi dhe burgosja e mafio-politikanëve është “ilaç” për korrupsionin (Video)

Qarri: Është plotësisht e pakuptueshme se si ka mundësi që disa njerëz në Kosovën e varfër të bëhen brenda natës milionerë, pa punuar kurrë në jetën e tyre!

“Nuk u bënë përshtypje këtyre asnjë apel i asnjë ambasadori. Këta të shantazhuar e dinë vetëm frikën kur t’u vijë në shenjë kërcënimi. Pa i kërcënuar me burg dhe për shkarkim këta nuk veprojnë. Të kota janë të gjitha apelet dhe raportimet vendore dhe ndërkombëtare, sepse mafia e pastron mafinë... Vetting-u gjithsesi është i domosdoshëm me monitorim ndërkombëtar dhe me seleksionim ndërkombëtar; amerikan, anglez, gjerman, madje nga e para”, thotë ish-kreu i AKK-së, Hasan Preteni, për “Kosova Sot”

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philipp Kosnett, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për dështimin në luftën kundër korrupsionit në sektorin publik, duke  kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të jenë të gatshëm për më shumë llogaridhënie për vitin 2019. Ambasadori Kosnett ka rikujtuar se përmes  një postimi në “Twitter” se: “ #CPI2018 ka dalë dhe perceptimet mbi korrupsionin në sektorin publik në Kosovë në vitin 2018 ishin më të këqija sesa në vitin 2017. Kjo duhet të shqetësojë çdo qytetar të Kosovës. Si mund të ndikoni në llogaridhënien e Qeverisë tuaj në vitin 2019? #Të Bashkuar Kundër Korrupsionit”, ka shkruar në llogarinë e tij në “Twitter” ambasadori amerikan Kosnett. Sipas deputetëve opozitarë, analistëve politikë dhe qytetarëve, ky  mesazh i ambasadorit amerikan është edhe një vërejtje që vjen nga SHBA-ja për këtë klase politike të korruptuar e të tejinkriminuar, por edhe për sistemin e drejtësisë që është tërësisht i varur nga politika dhe mafio-oligarkia.

Ky mesazh cilësohet  si një porosi për qytetaret e Kosovës, se qytetarët duhet të jenë ata që mund të ndikojnë në llogaridhënien e Qeverisë, pasi zgjedhjet janë afër dhe vota është kruciale për të mos zgjedhur më asnjëherë këtë klasë të tejkorruptuar. Një vlerësim të tillë ka për këtë reagim deputeti i LDK-së, Armend Zemaj. “Sigurisht që ambasadori  amerikan, z. Kosntetti e ka ngritur me të drejtë një shqetësim të tillë, sepse  dita- ditës po shihet një degradim i kësaj qeverisje që nga marrja e mandatit në këtë fushë, në fushën e sundimit të ligjit, të luftës kundër krimit dhe korrupsionit”, u shpreh ai.

Zemaj: Opozita kërkon rilegjitimim të pushtetit

“Nuk është vlerësuar kot së koti ose vetëm për çështje të simpatisë politike qeverisja e  kaluar, e kryesuar nga ish- kryeministri Isa Mustafa, si një qeverisje e vetme që  ka pasur Kosova pa skandale dhe  pa afera të  krimit të organizuar e të korrupsionit, gjë që ka ndikuar të kemi edhe vlerësimin pozitiv për liberalizimin e vizave, mirëpo kthesa negative ndodhi me të shpejtë, pasi iu pa mundësua dërgimi deri në fund i atij mandati qeverisës, me çka do të dëshmohej akoma më shumë projekti LDK për zhvillimin e vendit dhe ballafaqimin e pakompromis kundër krimit e korrupsionit, vendosjen e bazamentit të shëndoshë të shtetit ligjor dhe krejtësisht të pavarur nga ndikimet e politikës. Kjo është edhe një arsye plus pse ne si opozitë po kërkojnë rilegjitimim të qeverisjes së vendit me një proces të ri zgjedhor për ta kthyer shpresën e qytetarit me zhvillim ekonomik dhe shtet efektiv të së drejtës, sepse nuk presim që kjo Qeveri e tanishme do të veprojë dhe  do ta përmirësojë gjendjen në këtë fushë, por vetëm sa do të thellohet akoma më shumë kapja e shtetit”, tha Armend Zemaj për “Kosova Sot”.

Aliu: Klasa politike, e korruptuar

Analisti politik Bislim Aliu konsideron se kjo kritikë e radhës e ambasadorit amerikan është plotësisht e arsyeshme, por pikëpyetje mbetet nëse  këtë herë  institucionet e shtetit do të marrin kurajë të lëvizin përpara ose do ta injorojnë atë, sikur kanë vepruar edhe në raste të mëhershme. “Mendoj se me plot arsye, ambasadori amerikan në Kosovë, Philipp Kosnett, e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, për dështimin e saj në luftë kundër korrupsionit në sektorin publik. Dhe, për këtë, Ambasadori Kosnett kërkoi nga Qeveria e Kosovës, që të jenë të gatshëm për llogaridhënie për vitin 2019. Korrupsioni po lulëzon dhe po shkon edhe më keq. Kjo duhet gjithsesi të shqetësojë çdo qytetarë të Kosovës! Kjo vërejtje që po vjen nga SHBA-ja është edhe një vërejtje për këtë klasë politike të korruptuar e të tejinkriminuar, por besa, edhe për sistemin e drejtësisë, që është tërësisht i varur nga politika dhe mafia-oligarkia! Kjo është edhe një porosi për qytetarët e Kosovës, se qytetarët duhet të jenë ata, që mund të ndikojnë në llogaridhënien e Qeverisë, pasi zgjedhjet janë afër dhe vota është kruciale, për të mos zgjedhur më këtë klasë politike të tejinkriminuar.

Por, për mua mbetet pikëpyetje e madhe: A thua, sa do ta pafillë drejtësia kosovare këtë apel për llogaridhënie, por edhe apelin e muajit dhjetor, kur ambasadori amerikan, Philipp Kosnett, kërkoi llogaridhënie, me ndëshkim dhe konfiskim të pasurive të paligjshme? Unë nuk shpresoj shumë. Ndaj, ambasadori amerikan Plilipp Kosnett, me plot arsye e kishte theksuar qartë, se ka ardhur koha që të ketë llogaridhënie, shkelësit e ligjit duhet të përfundojnë në burg. Ai ka folur shumë mirë, kuptueshëm e qartë, duke u dërguar mesazhe të forta institucioneve dhe të gjithëve, që ta zbatojnë ligjin, përndryshe do të pasojnë keq! Andaj, është koha e fundit, që askush të mos jetë e të ndihet mbi ligjin, qoftë edhe zyrtari më i lartë në vend. Ndaj, si ka mundësi, që brenda natës, disa kosovarë të bëhen milionerë dhe multimilionerë pa punuar kurrë në jetë e tyre! Dhe, është koha kur duhet të bëhet VETTING-u, kur duhet pastruar politikanë dhe gjyqësinë e korruptuar”, tha Aliu për “Kosova Sot”.

Zeqa: Pushtetarët po pasurohen jashtëligjshëm

Analisti politik Florim Zeqa i ka thënë gazetës “Kosova Sot” se, edhe përkundër stimulimit ekstrem të prokurorëve dhe gjyqtarëve me dyfishim të pagave, performanca e tyre jo vetëm që nuk ka shënuar ngritje, por vërehet rënie e dukshme e efikasitetit të sistemit të drejtësisë përgjatë vitit 2018. “Kjo, përveçse shqetësim për qytetarët e Kosovës, ka nxitur me plot arsye edhe ambasadorin e ri të SHBA-së në Kosovë, Philipp Kosnett, i cili e kritikoi Qeverinë e Kosovës për dështimin në luftën kundër korrupsionit në sektorin publik.

Ambasadori Kosnett i tërhoqi vërejtën Qeverisë së Kosovës që të jenë të gatshëm për llogaridhënie për vitin 2019, për shkak se perceptimet mbi korrupsionin në sektorin publik në Kosovë në vitin 2018 ishin më të këqija sesa në vitin 2017”, u shpreh ai. “Njëherësh, kjo është vërejtja më serioze që vjen nga SHBA-ja për këtë klasë politike të korruptuar e të tejinkriminuar, por edhe për sistemin e drejtësisë që është tërësisht i varur nga politika dhe mafio-oligarkia. Kjo duhet të jetë edhe një porosi për qytetarët e Kosovës, se qytetarët duhet të  jenë ata që mund të ndikojnë në llogaridhënien e Qeverisë, pasi zgjedhjet janë afër dhe vota është kruciale për të mos zgjedhur më asnjëherë këtë klasë të tejkorruptuar.

Apelin për llogaridhënie duhet ta ketë parasysh edhe drejtësia kosovare, për ndëshkim dhe konfiskim të pasurive të paligjshme, për shkak se ka ardhur koha  për llogaridhënie dhe shkelësit e ligjit duhet të përfundojnë në burg e jo të ngrihen në majat e pushtetit, siç ka ndodhur deri më tani”, vijoi më tej Zeqa. “Ka ardhur koha e fundit që askush të mos jetë e të ndihet mbi ligjin, qoftë ky edhe zyrtari më i lartë ne vend. Pra, ka ardhur çasti i volitshëm për të bërë VETTING me vetëpastrim, fillimisht në sistemin e drejtësisë e pastaj në politikë, si dhe në sektorët e tjerë të shoqërisë, përfshirë jetën institucionale në vend. Nuk duhet lejuar tutje që njerëzit të bëhen milionerë e multimilionerë pa punuar kurrë në jetën e tyre, sikurse që nuk duhet lejuar që një grusht njerëzish, të instaluar në pushtet me të ardhura mesatare sa për të jetuar në mënyrë modeste, të zhyten në luks të parajsës! Përfundimisht, ka ardhur koha që premtimi për llogaridhënie të bëhet realitet përmes VETTING-ut të monitoruar nga SHBA-ja dhe BE-ja, si garantues të zbatimit të ligjit në Kosovë”, tha Zeqa për “Kosova Sot”.

Qeveritarët, të shantazhuar

Sipas analistit politik Gani Qarri, për partitë në pushtet ka filluar vërtet një vit i vështirë dhe viti 2019, siç duket, do të jetë një vit me shumë sfida, sidomos për koalicionin PAN, për shkak të fillimit të punës së Dhomave të Specializuara të Gjykatës në Hagë, vënia e taksës 100 % ndaj mallrave të Serbisë e Bosnjës, si dhe trysnia ndërkombëtare për arritjen e marrëveshjes me Serbinë, sfida të cilat padyshim do ta tronditin gjithë skenën politike në Kosovë. Qarri thotë se madje përkundër premtimeve megalomane të Kadri Veselit, se ky koalicion u ndërtua për të marrë “vendime të mëdha” si dhe për startimin me një “fillim të ri”, që ishte edhe slogani primar parazgjedhor i PDK-së, sa i takon rendit dhe ligjit si dhe veprimit të Gjyqësorit dhe prokurorisë, vetëm sa u shtuan e u bënë edhe më të theksuara problemet në vend, pasi çdo gjë vazhdoi me të vjetrën.

“E pikërisht për shkak të mosfunksionimit të sistemit të kapur të drejtësisë, Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, me të drejtë dhe plot arsye kritikoi ashpër Qeverinë aktuale, veçanërisht për dështimin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në sektorin publik, i cili kërkoi publikisht nga Qeveria e koalicionit PAN, që të jenë të gatshëm për llogaridhënie në vitin 2019. Tanimë është plotësisht e qartë se për këtë klasë të korruptuar e të tejinkriminuar politike në krye të shtetit, e cila ka kapur çdo gjë, përfshirë edhe vetë sistemin e drejtësisë që është tërësisht i varur nga politika dhe mafio-oligarkia në vend, fjala e Ambasadorit të SHBA-s, z. Kosnett, ishte një vërejtje më se e nevojshme që vjen në momentin e duhur dhe kohë shumë kritike për Kosovën, pasi konflikti i brendshëm ndërmjet partive vendore, jo vetëm se nuk ofroi zgjidhje për asnjë problem, por shkaktoi edhe bllokadë totale dhe sfida të reja edhe më të mëdha për të gjithë vendin”, vlerësoi ai.

“Deklarata e z. Kosnett ishte një porosi shtesë edhe për qytetarët e Kosovës se vet ata duhet te jene faktori vendimtar që mund të ndikojnë në llogaridhënien e Qeverisë, pasi zgjedhjet janë afër dhe vota e tyre është kruciale për të mos votuar me asnjëherë këtë klasë të korruptuar dhe tejinkriminuar politike. Përndryshe, jo vetëm thirrjen e tanishme për llogaridhënie, por as apelin e muajit dhjetor të Ambasadorit amerikan Philip Kosnett, për ndëshkim dhe konfiskim të pasurive të paligjshme, me këtë kastë të shantazhuar dhe plotësisht të inkriminuar udhëheqëse në krye të vendit, drejtësia e kapur vendore, kurrë nuk do të arrijë ta realizojë në Kosovë, as të dërgojë ndonjëherë shkelësit e ligjit në burg, nga të cilët vetë Prokuroria dhe Gjyqësori dirigjohen. Për aq më tepër është jo vetëm shqetësuese, por edhe plotësisht e pakuptueshme se si ka mundësi që disa njerëz në Kosovën e varfër të bëhen brenda natës milionerë pa punuar kurrë në jetën e tyre dhe një grusht njerëzish partiakë e pushtetarë me të ardhura mesatare sa për të jetuar në mënyrë modeste, të zhyten në luks të pashembullt, nga kooketimi me disa kompani anonime që përfitojnë miliona nga buxheti i shtetit pa kurrfarë përvoje, pune e ekspertize”, theksoi Qarri për “Kosova Sot”.

Preteni: Shteti i ryshfetit dhe abuzimeve

Ish- kreu i AKK-së, Hasan Preteni, mendon se të gjitha këto kritika që vijnë nga miqtë ndërkombëtarë, edhe nga ata që aq shumë po investojnë në sundimin e ligjit në Kosovë, sikur po hasin në vesh të shurdhër, sepse interesat e politikës vendore nuk janë akoma në atë vullnetin e funksionalizimit të shtetit ligjor dhe krejtësisht të pandikuar nga politika.“Nuk pati asnjë reagim për të gjeturat e TI-së, nuk u dëgjua presidenti si kryesuesi i Këshillit Kombëtar kundër Korrupsionit, nuk u dëgjuan as shefat e KGJK-së e të KPK-së, nuk u dëgjuan as titullarët e mekanizmave të pavarur që kanë për mision luftën kundër korrupsionit. Çudi, as në televizionet publike e private nuk u dëgjua asnjë koment apo diskutim në lidhje me Raportin e Institucionit më kredibil në botë. Le të ndodhë çfarëdo qoftë në Kosovë dhe për Kosovën, temat janë gjithmonë politike.

Prandaj, shtrohet pyetja se a është kjo politika e titullarëve të institucioneve që problemet politike të përdoren si mbulesë dhe si mburojë për të mos lënë hapësirë për problemet jetësore. Ja ku kemi arritur ne si shoqëri. S’ka tema jetësore, por tema politike, tani edhe ky Ligji i pagave. Që së paku dy vjet është trumbetuar se po bëhet Ligji për pagat, sa komisionet, sa punëtoritë, sa ekspertët sa mëditjet, sa drekat e darkat dhe në fund Produkti zero, raporti i pagave 1:12. Tani, komisionet e Kuvendit po e bëjnë punën e Qeverisë. Së paku është dashur të largohet ministri i MAP-it dhe të largohet sekretari dhe këshilltarët ligjorë të kësaj ministrie. Punë koti dhe shpenzime koti. Nuk është korrupsion vetëm marrja e mitës dhe ryshfetit, por çdo shkelje ligji është korrupsion...”, theksoi Preteni për “Kosova Sot”.

Qytetarët e mbështetin deklaratën e ambasadorit amerikan

Qytetari Naser Qiraxhiu thotë se ndërkombëtarët, sikurse në këtë rast ambasadori Kosnett, vazhdimisht kanë tërhequr vërejtjen, por politika dhe drejtësia e politizuar kosovare po bëhen veshshurdhër dhe të verbër. “Çka kemi të mendojmë ne për këtë, ata gjithmonë na kanë këshilluar, gjithherë na kanë ndihmuar dhe gjithherë duhet t’i dëgjojmë, sepse besoj që na mësojnë për të mirë. E kemi parë edhe në të kaluarën, që sa herë na kanë këshilluar vetëm mirë na ka dalë neve, ka qenë mirë për Kosovën dhe për popullin, por tash sa do t’i dëgjojnë këta këto këshilla, këta e dinë më mirë...

Sa i takon krimit dhe korrupsionit, unë mendoj që këtë këta njerëzit tanë vetë duhet ta luftojnë dhe të mos i presin të tjerët që të vijnë për të na e luftuar krimin dhe korrupsionin neve këtu. Ata kanë luftuar boll për neve deri tash, na kanë ndihmuar neve, e ne tash duhet të punojmë, të luftojmë e të angazhohemi për veten tonë, sepse nëse neve vetë nuk i kryejmë detyrat tona, neve do të ngelim sikur që jemi duke ngelur ”, theksoi Qiraxhiu. Qytetari Qerim Zariqi tha për “Kosova Sot” se  për këtë dukuri negative po dalin edhe raporte të OJQ-ve vendore dhe atyre ndërkombëtare, prandaj edhe reagimi i ambasadorit amerikan është  i drejtë dhe në frymën e këtyre  analizave, gjë që po e shohin edhe qytetarët po këtë gjendje duke u ballafaquar me këto probleme në jetën e përditshme.

 

“Unë nuk jam aq shumë në ngjarje që t’i përcjell këto gjëra, sepse nuk e kam dhe për detyrë që t’i përcjell këto, por megjithatë si qytetar kam shumë vërejtje, e kam edhe unë mendimin tim, dhe i kam opinionet e mia se kjo klasë politike nuk është kah e kryen funksionin dhe rolin e vet për ndërtimin e shtetit ligjor. Ka plot lëshime, ka plot abuzime dhe keqpërdorime dhe plot dukuri negative që lidhen edhe me aspektin e korrupsionit e krimit të organizuar dhe nuk ke se çka flet mirë për ta”, vlerësoi ai për “Kosova Sot”. Sipas Zariqit, Kosovës i duhet një klasë e re politike, një klasë e pastër politike që e siguron së pari funksionimin e shtetit ligjor.

(Kosova Sot)