11 vjet shtet, 10 njohje minus (Video)

  • 05 February 2019 - 14:37
11 vjet shtet, 10 njohje minus (Video)

Aliu: Edhe pse që 11 vjet është shtet i pavarur dhe 20 vjet në liri, Kosova po mbetet shtet i krimit të organizuar dhe i mafio-oligarkëve

"Republika e Kosovës ditëlindjen e 11-të është duke e pritur e katandisur si asnjëherë më parë; me fusnotë dhe me status të hapur në arenën ndërkombëtare. Liderët e shtetit me fusnotë në bisedimet e Brukselit nuk prezantohen si përfaqësues të shtetit të pavarur, por si përfaqësues të subjektivitetit 1244 të KS të OKB-së, ndërsa të njëjtët liderë para opinionit të brendshëm kosovar me entuziazëm paraqiten si liderë të shtetit të pavarur! Si rezultat i personalitetit të dyfishtë të liderëve shtetërorë, që 11 vjet Kosova vendnumëron dhe rrotullohet rreth boshtit të pavarësisë së 17 shkurtit 2008, duke i kaluar 11 vjet izolim me njohje ndërkombëtare, pa mirëqene qytetare dhe pa asnjë perspektivë zhvillimore”, thotë analisti Florim Zeqa për gazetën "Kosova Sot"

Analistët politikë dhe qytetarët, duke pritur shënimin e përvjetorit të 11-të të shpalljes së Pavarësisë së shtetit të Kosovës, ndihen të zhgënjyer për dekadën e parë që po mbetet mbrapa. Sipas tyre, të gjitha qeveritë e pasluftës nuk e zhvilluan, por vetëm e shkatërruan shtetin e Kosovës.

Kjo klasë e inkriminuar politike, përveç inkriminimit në krim të organizuar, nuk bën asgjë për shtetin dhe popullin, por përkundrazi i shkaktojnë shtetit në baza ditore dëme të pariparueshme. Analisti politik Florim Zeqa tha për “Kosova Sot” se Republika e Kosovës ditëlindjen e 11-të është duke e pritur e katandisur si asnjëherë më parë; me fusnotë dhe me status të hapur në arenën ndërkombëtare.

“Liderët e shtetit me fusnotë në bisedimet e Brukselit nuk prezantohen si përfaqësues të shtetit të pavarur, por si përfaqësues të subjektivitetit 1244 të KS të OKB-së, ndërsa të njëjtit liderë para opinionit të brendshëm kosovar me entuziazëm paraqiten si liderë të shtetit të pavarur! Si rezultat i personalitetit të dyfishtë të liderëve shtetërorë, që 11 vjet Kosova vendnumëron dhe rrotullohet rreth boshtit të pavarësisë së 17 shkurtit 2008, duke i kaluar 11 vjet izolim me njohje ndërkombëtare, pa mirëqene qytetare dhe pa asnjë perspektivë zhvillimore”, vlerësoi Zeqa.

Zeqa: Kusarët politikë e uzurpuan shtetin

“Rihapja e statusit të Kosovës në dialogun e Brukselit Kosovës i kushtoi me tërheqjen e më se 10 njohjeve ndërkombëtare. Gjykata Speciale mbi kokën e liderëve të korruptuar dhe tej inkriminuar shtetërorë e partiakë shtetit të Kosovës i kushtoi me humbjen e mbi 8200 hektarëve tokë, me tendencën e humbjes edhe të rreth 3500 kilometrave katrorë në veri të vendit, krejtësisht shkaku i një lidershipi të shantazhuar, të cilëve sa më shumë u shtohet presioni nga Gjykata Speciale, aq më tepër e rrisin gatishmërinë për kompromise (falje të territoreve) të reja ndaj Serbisë.

Kësisoj, kjo klasë e inkriminuar politike e shkatërruan shtetin e Kosovës, të cilët përveç inkriminimit në krim të organizuar nuk bëjnë asgjë për shtetin dhe popullin, por përkundrazi i shkaktojnë dëme të pariparueshme shtetit në baza ditore. Politikanët me personalitete të dyfishta e kanë humbur tërësisht besimin tek qytetarët, por edhe bashkësia ndërkombëtare.

Shkaku i uzurpimit nga kusarët politikë, Kosova edhe pse 11 vjet shtet i pavarur dhe 20 vjet në liri ka mbetur oazë e krimit të organizuar, në duart e nëntokës dhe mafio-oligarkëve, pa ekonomi të tregut, por me monopole, pa sundim të ligjit e me krim të organizuar, pa arsim të mirëfilltë dhe me gjysmë analfabetë, pa shëndetësi e me shumë të sëmurë, pa e kontrolluar tërë territorin e vet, pa e njohur si shtet të gjithë qytetarët e saj, pa ushtri, pa liberalizim të vizave, pa Kartonin e Gjelbër në Evropë e pa shumëçka tjetër bazike për jetë normale të qytetarëve. Kosova mbase është i vetmi vend në rajon dhe më gjerë ku nëntoka kriminale është mbi ligjin dhe vendos për gjithçka natën e ditën dhe ku për shkak të mossundimit të ligjit pandëshkueshmëria e kriminelëve është bërë normë, ndërkaq pabarazia qytetare është bërë rregull e pashkruar në (pa)drejtësinë kosovare”, ka pohuar Florim Zeqa për “Kosova Sot”.

Badallaj: Bandat e shkatërruan Republikën

Sipas analistit politik Reshat Badallaj, janë pikërisht bandat e inkriminuara politike që nga paslufta e deri më sot shtetin e Kosovës e kanë shkatërruar deri në palcë.“Prandaj, qytetarët e vendit janë shumë të dëshpëruar dhe të pashpresë me këto banda hajnash, rrenacakësh dhe premtues mashtrues. Në ditëlindjen e 11 Kosova do të duhej të ishte shembull jo vetëm në rajon, por në Evropë e botë kur shumë shtete të botës e ndihmuan në të gjitha fushat dhe sidomos financiarisht, por bandat u turrën si llave ujkonjash dhe pa pikë mëshire e plaçkitën dhe u bënë supermilionerë për vete dhe sot nuk di ta thotë askush se cili nga krerët e bandave politike nuk është bërë supermilioner.

Këta banditë e shkuar banditëve në vend se të ngrejë shtetin në zenit, të zvogëlojnë papunësinë, të përmirësojnë gjendjen në arsim, në shëndetësi, këto banda formuan klane mafioze të organizuara në krim dhe këto banda për 11 vjet e kapën pushtetin për interesa të tyre politike dhe nuk e lanë me ngrit krye. Mafio-oligarkët na qitën hije të zezë në botën e qytetëruar, për 11 vjet rresht, faktori ndërkombëtar, ambasadorë të huaj dhe të tjerë thoshin ndaleni korrupsionin që u kishte rënë në sy edhe të huajve hajnia nga krerët e këtyre bandave. Shikoni se si kanë punësuar këta banditë njerëzit e paditur, me skandale, afera korruptive, hajni, kriminalitet dhe i kanë lënë njerëzit e ditur rrugëve të papunë.

E kanë bërë këtë përjashtim për ata të cilët nuk ua ‘lagnin fytin’ këtyre banditëve të peshave të rënda, ata të cilët nuk ishin akraba me këtë kope banditësh dhe ky klan banditësh veproi si në nivelin qendror, si në nivelin lokal”, theksoi Badallaj për “Kosova Sot”.“Mirëpo, ka shenja që populli e ka humbur besimin në këto banda dhe nuk i beson askush, sepse janë dëshmuar se janë vetëm hajna për interesa të tyre personale, janë rrenacakë, mashtrues dhe se japin premtime të mëdha boshe dhe nuk i realizojnë fare, por e kanë sa për t´i mashtruar votuesit dhe pastaj thikë pas shpine.

Dhe, e kanë parë qytetarët se Kosova ka hyrë si emër për të keq në botë duke ia qitur namin pikërisht këta banda të kanaleve të nëntokës kriminale si rrjeti më i rrezikshëm dhe shihet ashiqare se pikërisht këta banditë, fjalën e kam për organet shtetërore të larta, që nuk e respektojnë as ligjin, as Kushtetutën e as shtetin, por pikërisht këto banda janë që e shkelin me të dy këmbët, e vendin e konsiderojnë si të ishte malli i babës apo pronë private dhe e shesin dhe e konsiderojnë si plaçkë pazari”, vlerësoi Badallaj.

Aliu: Humbja e besimit

Po aq vlerësim negativ të qeverisjes së vendit nga kjo kastë politike, për 11 vjet pavarësi, ka edhe analisti Bislim Aliu. “Republika e Kosovës po e pret ditëlindjen e 11-të keq e më keq dhe me shumë mangësi e me probleme? Kjo klasë politike e inkriminuar, e shkatërroi shtetin e Kosovës, të cilët përveç inkriminimit në krim të organizuar, nuk bën asgjë të hairit, për shtetin dhe për popullin, por përkundrazi shkatërruan shtetin në mënyrë të pariparueshme? Ndaj, në këtë klasë politike tërësisht e kanë humbur besimin edhe qytetarët, por edhe bashkësia ndërkombëtare!

Edhe pse Kosova që 11 vjet është shtet i pavarur dhe 20 vjet në liri, ai po mbetet shtet i krimit të organizuar dhe i mafio-oligarkëve, pa ekonomi të tregut, por me monopole, pa sundim të ligjit e me krim të organizuar, pa arsim të mirëfilltë dhe me gjysmanalfabetë, pa shëndetësi, e me shumë të sëmurë, pa e kontrolluar tërë territorin, pa ushtri, pa liberalizim të vizave, pa Kartonin e Gjelbër në Evropë, e pa shumëçka tjetër bazike për jetë normale të qytetarëve. Andaj, Kosova si shtet është bërë vend ku nëntoka kriminale është mbi ligjin dhe vendos për gjithçka, natën e ditën, dhe për shkak të mossundimit të ligjit pa ndëshkueshmëria është bërë krejt normale”, theksoi Aliu për “Kosova Sot”.

11 vjet të nëntokës dhe krimit të organizuar

Analisti politik Ragip Guraziu tha për “Kosova Sot” se në 11- vjetorin e ditëlindjes së Republikës së Kosovës ndryshimi i vetëm pozitiv është që po e gjen Kosovën me ushtri, por hija e zezë që e zbeh këtë është shifra me 14 shtete të tërhequra nga njohja e pavarësisë dhe shkatërrimet tjera tej mase që politika i ka bërë dhe po i bën vendit, duke rrezikuar edhe ndarjen dhe copëtimin e shtetit.

“Këtë 11-vjetor është e vërtetë se Republikës së Kosovës, nga gjithë kjo që shkruam më lart, po i rrezikohet edhe ndarja, sepse me këso klase politike të inkriminuar dhe krime të organizuara nuk bëjnë asgjë për shtetin dhe popullin e saj. Pra, kështu po e pret Republika e Kosovës ditëlindjen e 11-të, si e shkatërruar  nga kjo klasë e inkriminuar politike, të cilët përveç inkriminimit në krim të organizuar, e të cilin e dinë shkëlqyeshëm, nuk bëjnë asgjë për shtetin dhe popullin, por përkundrazi i shkaktojnë shtetit në baza ditore dëme të pariparueshme”, u shpreh ai.“Një e vërtetë ekziston, se e kanë humbur tërësisht besimin në këtë klasë politike edhe qytetarët, por edhe bashkësia ndërkombëtare.

Shtrohen pyetja si po mbetet Kosova edhe pse 11 vjet shtet i pavarur dhe 20 vjet në liri, shtet i krimit të organizuar dhe nëntokës së mafio-oligarkëve, pa ekonomi të tregut, por me monopole, pa sundim të ligjit e me krim të organizuar, pa arsim të mirëfilltë dhe me gjysmanalfabetë, pa shëndetësi e me shumë të sëmurë, pa e kontrolluar tërë territorin e vet, pa e njohur si shtet të gjithë qytetarët e saj, pa ushtri, pa liberalizim të vizave, pa Kartonin e Gjelbër në Evropë e pa shumëçka tjetër bazike për jetë normale të qytetarëve”, vijoi më tej Guraziu.

“Unë kam përshtypjen se Kosova është bërë një vend ku nëntoka kriminale është mbi ligjin dhe vendos për gjithçka natën e ditën dhe ku për shkak të mossundimit të ligjit pandëshkueshmëria është bërë normë dhe kësaj klase politike kaherë i ka humbur rruga në oborr, dhe veç shkatërrimeve tjera që kjo politikë momentale e kriminalizuar do të na dërgojë deri te copëtimi i trojeve të Kosovës, si vend i humbur dhe i shkatërruar, dhe kjo klasë politike me nëntokën e saj duhet të ecë nga politika, por nuk duhet shpëtuar kurrsesi nga llogaridhënia, sepse, po qe se u referohemi Kushtetutës dhe ligjit, këta të gjithë duhet të burgosen”, ka potencuar analisti Ragip Guraziu.

Pushteti na mashtroi

Të anketuar nga gazeta, edhe qytetarët e moshave të reja e të vjetra konsiderojnë se Republika e Kosovës po e feston ditëlindjen e 11-të jo si vend i fillimit të zhvillimit, si vend që ka filluar për t’u ndërtuar, por si një vend që vetëm është duke u shkatërruar nga kjo klasë e inkriminuar politike,të cilët përveç inkriminimit në krim të organizuar nuk bëjnë asgjë për shtetin dhe popullin, por përkundrazi i shkaktojnë shtetit në baza ditore dëme të pariparueshme dhe kjo po bën që të humbet besimi tërësisht në këtë kastë politike, edhe nga qytetarët, edhe nga faktori ndërkombëtar. Këtë gjykim e ka qytetari Bajram Hoti. “Të gjithë qytetarët, çdo njëri, është duke e parë se vetëm teposhtë është duke shkuar ky vend.

Hajni e madhe, plaçkë.. paranë e publikut, paranë e popullit, vetëm po e keqpërdorin. Këtë secili po e sheh, jo vetëm që po e them unë, por secili po e sheh se veç mbrapa, teposhtë, jemi duke shkuar si shoqëri dhe si shtet, se jo përpara. Veç shkatërrime po bëhen. Kjo është kështu, sepse në pushtet kanë hyrë hajnat. E hajni dihet që e vjedh edhe babanë e vet, e të mos flasim se si këta po i vjedhin shtetin dhe popullin. Ne po ua japim votën e këta po i keqpërdorin dhe kështu si është, këtu njeriu nuk di se çka të bëjë. Kur po dalim para kutie nuk po di njeriu se kujt t’ia japë votën, sepse pa dalë në votime nuk po kemi qare, por nuk po dimë se kujt t’ia qesim votën…Këta po na premtojnë dhe po na rrejnë sa po munden, por kur po ulen aty në pozita zoti të lashtë shëndosh se kush më nuk mendon për qytetarin”, theksoi Hoti.

Po aq i zhgënjyer me këtë qeverisje për këta 11 vjet është edhe i riu Liridon Sejdiu, sipas të cilit fusha më e dështuar vazhdon të mbetet arsimi jocilësor i brezit të ri që po shoqërohet edhe me mungesën e perspektivës për punësim dhe jetë të dinjitetshme, pa liri të lëvizjes si qytetarët tjerë në Evropë.“Në kohën kur është shpallur pavarësia, para 11 vjetësh, unë kam qenë nxënës i shkollës së mesme dhe atëherë kam pasur pritje shumë të mëdha dhe shpresa po ashtu të mëdha për të ardhmen, sepse ka pasur aso kohe edhe shumë premtime nga ana e liderëve politikë dhe institucionalë. Unë po besoj që tani e 11 vjet që kanë kaluar, shumica prej atyre premtimeve nuk janë realizuar.

Ndonëse vetëm disa aty këtu janë realizuar. Mirëpo unë them që ajo që ka qenë premtim shumë serioz për ne të rinjtë, që të kemi një arsim cilësor e kualitativ, kjo po vazhdon akoma të mbetet vetëm premtim i parealizuar, sepse kualiteti në arsim te ne lë shumë për të dëshiruar. Kjo fushë domosdo duhet dhe kërkon që të përmirësohet dhe po ashtu duhet që shteti apo të themi pushteti të largohet nga ndikimi brenda fushës së arsimit, si në UP edhe në arsimin parauniversitar”, potencoi ai. Sipas Sejdiut, nga kjo politikë na është premtuar shumë dhe akoma nuk e kemi deri më tani as liberalizimin e vizave, as atë Kartonin e Gjelbër.“Prandaj, këta njerëz që janë në pushtet për këto vite konsideroj që nuk meritojnë asnjë falënderim, por I takon popullit që me votën e tij t’i ndërrojë nga pushteti këta liderë politikë”, tha Liridon Sejdiu.

(Kosova Sot)