Pritet rikonfigurimi i Qeverisë (Video)

  • 05 February 2019 - 14:49
Pritet rikonfigurimi i Qeverisë (Video)

Qarri: Zgjedhjet e reja nuk preferohen as nga ndërkombëtarët

"Nëse Haradinaj nuk tërhiqet nga taksa, mendoj që gjasat më të mëdha janë që të ketë një rikonfigurim të Qeverisë, brenda konstelacionit të tanishëm të Kuvendit të Kosovës. Kështu i lexoj edhe deklaratat e fundit të LDK-së. Përderisa LDK-ja më herët më shumë bënte thirrje për zgjedhje, sikur është tërhequr pak prej asaj kërkese. Duket sikur po çon drejt krijimit mbase të një Qeverie të re, e cila ende nuk dihet se a do të jetë LDK – PDK apo do të përfshijë edhe të tjerë", thotë analisti Ali Hertica për "Kosova Sot"

Edhe pse u shfaqën në një darkë së bashku, krerët e vendit, bashkë me mbështetësin e idesë së ndarjes së Kosovës, kryeministrin Edi Rama, ende nuk dihet se a do të heqë dorë kryeministri Haradinaj nga taksa prej 100 për qind ndaj Serbisë. Ndërkaq, analistët nuk e përjashtojnë mundësinë se në skenën politike edhe mund të kemi një rikonfigurim të plotë të Qeverisë, një ndryshim të kryeministrit dhe një përfshirje të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Analisti Gani Qarri, për gazetën “ Kosova Sot’, thotë se nuk pret të ndodhë ndonjë gjë spektakolare as këtë javë. “Problemi real për Kosovën nuk është taksa 100 për qind, por marrëveshjet e dëmshme nga Hashim Thaçi për faljen e veriut të vendit tonë Serbisë, për pengimin e të cilës është vënë edhe kjo taksë, si mjet i vetëm me veprim paqësor. Për aq më tepër, edhe zgjedhjet e parakohshme jo vetëm se nuk do të sillnin zgjidhje të problemeve as koalicion të qëndrueshëm udhëheqës, por humbësit më të mëdhenj, pa asnjë dyshim, do të ishin vetë Thaçi dhe PDK-ja, me të cilën askush më nuk dëshiron të hyjë në koalicion zgjedhor as qeverisës”, u shpreh ai.

Pak mundësi për zgjedhje të reja

Sipas analistit Qarri, kryeministri Haradinaj duket se nuk do të zmbrapset nga qëndrimet e tij. “Kurse zgjedhjet e reja jo vetëm se nuk janë opsion i shumicës së partive në koalicionin PAN, por sidomos PDK-ja përjashton çdo mundësi të zgjedhjeve të parakohshme eventuale, e vetëdijshme se do t’i humbiste të gjitha, dhe për pasojë do të zhvlerësohej edhe pozita e presidentit”, theksoi ai.

“Zgjedhjet e reja nuk preferohen as nga ndërkombëtarët,për faktin se, përveçqë shtyjnë vazhdimin e bisedimeve për shumë kohë, ato nuk ofrojnë asnjë siguri se pas tyre mund të pushojnë problemet, kemi një koalicion të qëndrueshëm dhe udhëheqje më stabile të vendit. Ndaj, megjithëse taksa 100 për qind ndaj mallrave që vinin nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina ka bërë që liderët shtetërorë të mos pajtohen në qëndrime, siç duket edhe vetë kryeparlamentari Kadri Veseli, përkundër përpjekjeve që bëri, duke dalë në javën që lamë pas para liderëve të koalicionit qeverisës me propozimin me shkrim për pezullimin e përkohshëm të taksës për një afat prej120 ditësh, tanimë është bindur se nuk do të ketë lëvizje nga qëndrimi për taksën, përderisa nuk ndryshojnë qëndrimet e Serbisë ndaj Kosovës”, vijoi më tej Qarri. “Një rikonfigurim i Qeverisë mund të ndodhë me përfshirje edhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, gjë për të cilën tashmë ka sinjale të konfirmuara për pjesëmarrje edhe nga vetë LDK-ja, por e cila e vë theksin vetëm në një “rikonfigurim të nevojshëm” për momentin dhe me përfshirjen e të gjitha partive, pa pretendime për marrjen e pozitës së kryeministrit dhe as përjashtimin e AAK-së nga Qeveria”, ka vlerësuar ai.

Salihaj: Loja e Veselit me taksën

Ish- deputeti i Kuvendit të Kosovës, Adem Salihaj, për gazetën “ Kosova Sot ”, thotë se loja e Kadri Veselit për ta pezulluar taksën për tre muaj, nuk është asgjë tjetër, por vetëm loja e Thaçit për ta hequr taksën, që të mos jetë objekt bisedimesh me Serbinë,sepse kështu e ul pazarin e Serbisë për copëtimin e Kosovës. Pezullimi i taksës për tre muaj bëhet që brenda kësaj periudhe të kryhet copëtimi i Kosovës.  “Kadri Veseli dhe krejt PDK-ja janë në anën e Thaçit për ta realizuar planin e copëtimit të Kosovës dhe për ta realizuar Serbinë e Madhe. Tash, ne duhet ta shohim se sa do të mund t'i mbajë këtë herë qëndrimin Ramushi, apo do të ndodhë sikur me demarkacionin.”, theksoi ai.

Hertica: Presioni për taksën

Njohësi i rrethanave politike në vendin tonë Ali Hertica, për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se tani i gjithë spektri politik thuajse ka filluar të joshet me deklaratat se duhet të hiqet taksa për Serbinë,dhe kjo po reflekton edhe tek Haradinaj. “Nëse Haradinaj nuk tërhiqet nga taksa, mendoj që gjasat më të mëdha janë që të ketë një rikonfigurim të Qeverisë, brenda konstelacionit të tanishëm të Kuvendit të Kosovës. Kështu i lexoj edhe deklaratat e fundit të LDK-së. Përderisa LDK-ja më herët më shumë bënte thirrje për zgjedhje, sikur është tërhequr pak prej asaj kërkese. Duket sikur po çon drejt krijimit mbase të një Qeverie të re, e cila ende nuk dihet se a do të jetë LDK – PDK apo do të përfshijë edhe të tjerë. Isa Mustafa e ka përmendur më parë opsionin e përfshirjes së partisë së tij në një Qeveri gjithëpërfshirëse”, u shpreh ai.

Opozita nuk pret Qeveri të re

Deputetët e opozitës në Kuvendin e Kosovës thonë se janë kundër përfshirjes së LDK- së në Qeveri. Deputeti Naser Rugova(LDK), për gazetën “Kosova Sot”,  tha se në LDK nuk e kanë diskutuar asnjëherë një mundësi të tillë që të jenë pjesë e Qeverisë “Haradinaj”. “Andaj, jam shumë i bindur se edhe po të ndodhë rikonfigurimi i kësaj Qeverie, në asnjë mënyrë nuk do të ndodhë edhe përfshirja e LDK-së në Qeverinë ‘Haradinaj’. Ndërsa, mund të them se askush nuk e dinë me saktësi se a do të heqë dorë kryeministri Haradinaj nga taksa prej 100 për qind ndaj Serbisë, duke e pezulluar taksën”, theksoi ai.

Ndërsa, deputeti tjetër nga opozita, Ali Lajçi ( LV V), thotë se për “Kosova Sot”, se pezullimi i taksës ndaj Serbisë mbetet një mister i madh, sepse askush nuk e di me saktësi se a do të heqë dorë kryeministri Haradinaj nga taksa prej 100 për qind ndaj Serbisë. “Jam i bindur se nuk pritet se do të ketë një rikonfigurim të Qeverisë së tashme dhe përfshirjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Qeverinë e z. Ramush Haradinaj”, tha ai.

Qytetarët, të zhgënjyer nga koalicionet e LDK-së me PDK-në

Qytetarët nuk e përjashtojnë mundësinë se do të kemi një rikonfigurim të plotë të Qeverisë. Qytetari nga Prishtina Shefki Muqolli, për gazetën “ Kosova Sot’, thotë se edhe ata që po udhëheqin me shtetin nuk janë duke e ditur se çfarë do të ndodhë e çfarë duhet bërë. “Prandaj, në këtë situatë liderët tanë duhet që të tregojnë një urti e maturi në veprimet e tyre dhe të gjitha këto duhet bërë në të mirën e këtij populli...Janë kompromentuar tej mase dhe e kanë komprometuar këtë vend”, u shpreh ai.

Ndërsa, qytetari tjetër Ramush Berisha, po ashtu nga Prishtina, për gazetën “Kosova Sot’, thotë se taksa ka qenë shumë meritore dhe nuk duhet hequr. “Ndërsa, sa u përket mundësive të rikonfigurimit të Qeverisë edhe me LDK-në, them se pas tërë këtyre akuzave ndaj njëra- tjetrës koalicionet që nga pas lufta te ne po ndodhin, qoftë duke e bërë këtë për interesa personale apo edhe interesa klanore. Tash jemi në një amulli të plotë, ndonëse edhe LDK-ja mund që të hyjë në një koalicion me këta të Qeverisë së Ramush Haradinaj, por më duhet të them se, ndonëse jam njeri apolitik,vlerësoj se LDK-ja me këto koalicione me PDK-në tashmë e ka humbur vlerën e saj që dikur e kishte me Ibrahim Rugovën”, theksoi Berisha.

(Kosova Sot)