Marrëdhëniet me Uashingtonin nuk duhet të cenohen (Video)

  • 14 February 2019 - 13:38
Marrëdhëniet me Uashingtonin nuk duhet të cenohen (Video)

Taksa të zbutet gradualisht

 “Qeveria ‘Haradinaj’, për hir të miqve ndërkombëtarë, e pikërisht SHBA-së, duhet që ta aplikojë strategjinë e zbutjes graduale të taksës, jo heqjen e saj të menjëhershme”, thotë analisti Ali Hertica për “Kosova Sot”

Letra e tre zyrtarëve të lartë të SHBA-së, që shprehën pabesueshmerinë e tyre me refuzimin kosovar, ka nxitur reagime të shumta. Sipas njohësve të rrethanave politike, por edhe të qytetarëve,  vlerësohet se letra e dërguar së fundi krerëve të shtetit është një alarm për Kosovën. Shumica e tyre thonë se duhet të pezullohet taksa dhe t’i hapet rrugë dialogut. Kjo, ngase është momenti i fundit që Kosova ta ruajë miqësinë dhe përkrahjen që e ka nga SHBA-ja.

Analisti Hysni Aliu, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se problemi kryesor i shqiptarëve është se punojmë sot për sot. “Kjo mënyrë e të vepruarit dhe të menduarit na ka sjellë deri në këtë situatë, ku dikush e tërheq lokomotivën nga Evropa e dikush nga Trump-i/ SHBA-ja. Si rrjedhojë, ne gjithmonë detyrohemi të merremi me pasojat e gjithmonë harrohen shkaqet. Te ne në Kosovë, si në asnjë vend tjetër në Evropë, në ballë të betejave të vështira vendosen të paditurit (për të mos thënë budallenjtë), ndërsa për të na orientuar injorantët”, u shpreh ai.

Kosova, në mes përplasjes amerikano-evropiane

Sipas analistit Aliu, mbrapa Haradinajt qëndron politika evropiane anti-Trump, kurse mbrapa Thaçit ka qëndruar politika evropiane dezintegruese ndaj Kosovës që po zgjat me vite. “Pra, ne po i vuajmë pasojat e politikanëve të verbër dhe të kriminalizuar, politikës evropiane që ktheu mbrapa Kosovën në vitin 1999 , antagonizmit evropian-amerikan, politikës Trump që kjo është pasojë e politikave të gabuara në të kaluarën në mbarë botën. Haradinaj po thotë që " hapja e kufijve të Kosovës apo heqja e taksës ndaj Serbisë i shërben Putinit" , pra për ata që e kuptojnë, ai po thotë se Trump-i dhe SHBA-ja janë Putini”, potencoi ai.

“Kurrë në jetë nuk do të kisha besuar se do të arrijmë në një kohë kur një president të SHBA-së dikush nga Kosova do ta quante Putin. Besoj që për të qenë i sinqertë, edhe që është më e rëndësishmja për të mos i përsëritur gabimet, ne nuk duhet të koncentrohemi vetëm në të tanishmen (Haradinaj), por edhe në të kaluarën (Thaçi), po ashtu as vetëm në Trump politikën, por edhe Obama dhe BE politikën. Ne si shoqëri duhet të kuptojmë që një njeri pa mendje është si zjarri, nëse i afrohesh do të të djeg”, theksoi Aliu. 

Ndërsa, analisti Shefik Shkodra, për gazetën “ Kosova Sot’, thotë se kohëve të fundit ka ardhur në shprehje të dukshme jouniteti  në qarkun politik te ne. “Dhe, mosuniteti i personelit të institucioneve do të jetë një hendikep i madh në prosperitetin e mëtejmë të Kosovës”, potencoi ai.

Mungesë e theksuar uniteti

“Se a duhet të mbetet taksa apo të hiqet menjëherë sipas sugjerimeve nga të tjerët, kjo duhet të shikohet e të analizohet shumë saktë e në mënyrë unanime të merret qëndrimi. Për këtë është dashur të punohet shumë syçelë që njëzet vjet. E tash, po thuhet se nuk tolerohet të merren urdhrat nga jashtë. Por,  krejt këto thyerje janë neglizhencë e një koordinimi unik e pa interesa parciale.

Tash, nuk e kemi atë luks, sa një mendim të dalë për korrigjimin e kufijve, tjetri këmbëngul të kundërtën. Për këta tipa, njeriu veç harxhon fjalë e letër kot. As nuk duhet të nëpërkëmbet aleati më i vendosur për ne, po as të merret qëndrim për ndarje, korrigjim kufijsh. Vetëm uniteti e vendosmëria e përfaqësuesve politikë të Kosovës mund të zgjidhin problemet, bashkë me qytetarët e këtij vendi”, tha Shefik Shkodra për “Kosova Sot”.

Letra kërcënuese

Njohësi i rrethanave politike në vend Ali Hertica, për gazetën “Kosova Sot’, thotë se sot kemi rrahagjoksa që nuk duan ta dinë se ky projekt, përveçqë buron nga populli, pa mbështetjen e SHBA-së dhe ndihmës ndërkombëtare kurrë nuk do ta arrinim qëllimin tonë fisnik për pavarësi. “Letra e SHBA-së, ku kërkohej pezullimi i menjëhershëm i taksës ndaj Serbisë, ka bërë që liderët e shtetit të jenë shumë të kujdesshëm në këtë thirrje të SHB-së,përfshirë edhe Parlamentin  e Kosovës dhe tërë liderëve më të lartë të shtetit, presidentit Thaçi, kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, si dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, sepse shumë lehtë  SHBA-ja do të stopojë bashkëpunimin në fushën e sigurisë, ndaj qëndrimeve për taksën ku edhe, mund të shqyrtohen edhe bashkëpunimet në fusha të tjera mes Kosovës dhe SHBA-së”, u shpreh Hertica.

Qytetarët, të dëshpëruar me politikën kosovare

Krahas analistëve politikë, edhe qytetarët e anketuar thonë se janë të dëshpëruar nga injorimi i letrës së tre zyrtarëve amerikanë që po u bëhet nga Qeveria e Kosovës. Kësisoj, qytetari nga Prishtina, Hakif Hamiti, për gazetën “ Kosova Sot’, thotë se Kosova duhet të ketë kujdes se prej nga po vjen kjo kërkesë nga SHBA-ja, sepse shkresa e tyre mund të jetë një lojë e piste Lobit Serb dhe Rus në Amerikë. “I lus krerët e institucioneve tona që ta suspendojnë përkohësisht taksën ndaj Serbisë dhe mos të prishen në asnjë mënyrë marrëdhëniet shumë të mira me miqtë tanë më të mire,SHBA-në.

Po u prishëm me SHBA-në, vaj halli për Kosovën e qytetarët e saj”, u shpreh ai. Kurse, qytetari tjetër nga Prishtina Xhevat Ulaj, për gazetën “Kosova  Sot’, thotë se është për atë që taksa mos t’i hiqet Serbisë, bile ajo të ashpërsohet. “Por, kjo duhet që të bëhet në bashkëpunim me SHBA-në, sepse Kosova nuk guxon që të humbasë miqtë e saj më të mirë,SHBA-në. Por, nëse SHBA-ja do që vërtetë të na ndihmojë, as ata nuk duhet që të insistojnë së tepërmi nga Kosova që të hiqet embargoja ndaj Serbisë.

Sepse, Serbia njëherë e përgjithmonë duhet që të vetëdijësohet se ne tashmë jemi shtet dhe me ne mund të bisedojnë ashtu vetëm si shteti me shtet e jo sikurse që na ka injoruar deri më tash”, u shpreh ai. Sipas Ulajt, sanksionet  janë vetëm një lojë, sepse embargoja është vetëm në letër, ngase kudo në dyqanet tona ka plot artikuj të Serbisë.

 

(Kosova Sot)