OpenAI pranon se GPT-4 mund të jetë më i keq në disa detyra pasi përdoruesit u ankuan se ky model është ‘më dembel’

  • 03 August 2023 - 10:38
OpenAI pranon se GPT-4 mund të jetë më i keq në disa detyra pasi përdoruesit u ankuan se ky model është ‘më dembel’

OpenAI, kompania e cila e krijoi ChatGPT-në, bëri të ditur se performanca e GPT-4shit mund të jetë me e keqe në disa detyra, teksa përdoruesit janë ankuar duke thënë se modeli i ri është më “dembel” dhe “më pak i mençur” në krahasim me modelet e kaluara, transmeton "Kosova Sot Online".

“Përderisa shumica e metrikës është përmirësuar, mund të ketë disa detyra ku performanca mund të jetë më e dobët”, ka deklaruar OpenAI përmes një postimi në blog, përmes të cilit i prezantuan përditësimet e reja.

Përdoruesit e GPT-4 kanë filluar të ankohen javët e fundit për një performancë më degraduar në krahasim me aftësitë e mëparshme të këtij modeli të chatbot-it, raporton Business Insider.

Disa shprehën zhgënjimet e tyre në Twitter dhe në forumin online të zhvilluesve të OpenAI-t rreth çështjeve që përfshijnë logjikën e dobësuar, përgjigjet më të gabuara, humbjen e gjurmës së informacionit të dhënë, vështirësinë në ndjekjen e udhëzimeve, harrimin e shtimit të kllapave në kodin bazë të softuerit dhe kujtimin vetëm të kërkesës më të fundit. 

“Versioni actual i GPT-4 është zhgënjyes”, shkroi një zhvillues që përdor GPT-4 për ta ndihmuar atë të kodojë funksionet për faqen e tij të internetit.

“Është njësoj si të ngasësh një Ferrari për një muaj dhe papritmas ai kthehet në një kamionçinë të vjetër. Nuk jam i sigurt se dua të paguaj për të”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online )